Qeveria ruse është kthyer të investojë para për Rusi 2018-të dhe ka vendosur të rrisë shpenzimet për Kupën e Botës me 19,1 miliard rubla, domethënë 300 milionë euro më vlerat aktuale të këmbimit. Shtypit vendas, gjithsesi, nuk i është shpjeguar arsyeja e këtij investimi të papritur. Në fakt, në muajt e fundit janë bërë shkurtime në buxhetin e vënë në dispozicion për botërorin e ardhshëm. Falë vendimit për të derdhur në arkat e komitetit organizator 300 milionë dollarë, totali i shpenzimeve shkon në rreth 10 miliardë euro, një rritje kjo në kontrast me ecurinë e viteve të kaluar. Rritja e fondeve për futbollin ka ardhur pikërisht nga fondet e qeverisë, që do të mbulojnë 55% të shpenzimeve totale.
Nga sa është bërë e ditur, nga shtypi ndërkombëtar, nuk është dhënë asnjë sqarim nga autoritetet ruse në lidhje me arsyen e një investimi kaq të madh. Në të kaluarën, kur është marrë vendimi për të bërë shkurtime në buxhet, thuhej se nuk do të prekeshin fondet e vëna në dispozicion për infrastrukturën, por se kishin të bënin vetëm me burimet “cash” të vëna në dispozicion për komitetin organizator.
Tani ndoshta kjo lëvizje ka ardhur pikërisht për të zgjidhur disa probleme që kanë lidhje me infrastrukturën. Botërori do të zhvillohet në 11 qytete, por ndeshjet do të luhen në 12 stadiume, me Moskën që ka dy të tillë. Vetëm disa muaj më parë është shkruar se disa stadiume kishin nevojë për disa fonde ekstra për të kompletuar realizimin e tyre. Mes gjërave që duheshin përmirësuar ishte fusha e stadiumit të Zenitit, e cila rrezikon të konsiderohet e papërshtatshme për shkak të lëkundjeve të shumta terrenit.