Prodhuesi i energjisë së ngrohjes në Shkup, por edhe të rrymës nga gazi, kompania ruse ТETO me qarkullim prej afër 92 milionë euro renditet ndër kompanitë më të suksesshme në Maqedoninë e Veriut. Teto në vitin 2020 ka prodhuar 20 për qind të rrymës së prodhuar në vend. në vendin e 31-të me qarkullim prej afër 70 milionë euro renditet kompania tjetër ruse Lukoill me afër 70 milionë euro qarkullim
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 mars – Prodhuesi i energjisë së ngrohjes në Shkup, por edhe të rrymës nga gazi, kompania ruse ТETO me qarkullim prej afër 92 milionë euro renditet ndër kompanitë më të suksesshme në Maqedoninë e Veriut. Kapacitetet mesatare të saj të saja janë 220 megavat orë për prodhimin e energjisë elektrike dhe 160 megavat orë për prodhimtarinë e energjisë së ngrohjes. Sipas analizave të Komisionit Rregullator për Energjetikë, Teto në vitin 2020 ka prodhuar 20 për qind të rrymës së prodhuar në vend. Pas TETO-s që renditet në vendin e 15-të me xhiro më të madhe në ekonominë vendore, në vendin e 31-të me qarkullim prej afër 70 milionë euro renditet kompania tjetër ruse Lukoill me afër 70 milionë euro qarkullim. Në tregtinë me pakicë të derivateve të naftës, Llukoil merr pjesë me 14.4 për qind në vitin 2020, në tregun vendor ku me 42 për qind dominon kompania vendore MakPetroll. Në vendin e tretë me 10.6 për qind merr pjesë kompania Supertrejd. Të tre kompanitë e tregtisë së naftës mbulojnë afër 68 për qind të tregut vendor të naftës dhe benzinave që kryesisht importohen nga Greqia.
Gjithashtu në vitin 2020, importuesi më i madh i naftës ka qenë rafineria OKTA me gati 67 për qind, që gati dhjetë vite nuk është prodhues, por tregtar dhe nuk përdor as naftësjellësin nga kufiri grek deri në Shkup. Super Trejd merr pjesë me 10.4 për qind në importin e naftës, dhe Lukoil merr pjesë në importin e naftës me 8.5 për qind të totalit të tregut , tregojnë analizat e organeve rregullatore.
Ndër tre kompanitë më të mëdha ruse, në vendin e 62-të renditet kompania Buçim nga Radovishi si prodhuese e vetme e bakrit në Maqedoninë e Veriut që qarkullon afër 40 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare të kompanisë që gjendet në pronësi të kompanisë Solvej, Buçim në periudhën 2005-2020 , pas ristartimit të saj në vitin 2005 ka pasur qarkullim prej 627,7 milionë euro dhe harxhime prej 481 milionë euro, duke realizuar fitim prej afër 147 milionë euro para tatimit. Njëherësh në këtë periudhë ka paguar edhe tatim në fitim prej 14.5 milionë euro, si dhe 14 milionë euro në emër të koncesioneve për shtetin.
Njëherësh Maqedonia e Veriut deri në ndërtimin e kapaciteteve të reja për transportin e gazit nga Greqia në tërësi varet nga gazi prej Rusia. Nga ana tjetër, në rajon kompanitë ruse kanë vazhduar me punën e tyre me përjashtim të bankave në pronësi ruse, të cilat, pas vendosjes së sanksioneve ndaj bankave ruse në Evropë, kanë ndërruar pronarët në kushtet e ngrirjes së punës së tyre në BE.
Në Serbi, është blerë filiali i bankës Sber Bank në Serbi nga “mbreti serb i sheqerit“, Miodrag Kostiq apo nga AIK banka e tij. Në Slloveni ajo është blerë nga NLB banka, ndërsa në Kroaci nga ana e Bankës kroate të Postës.
Në Federatën e Bosnje Hercegovinës dhe Republikën Serbe, agjencitë kompetente për sistemin bankier kanë marrë në dorë menaxhimin e SberBankës në Sarajevë dhe Banja Llukë. Në Kroaci, gati gjysmën e pronës e kompanisë Agrokor që në fakt e shpëtoi atë nga falimentimi, e posedonin dy kompani shtetërore me kapital rus. Mirëpo tani kreditori më i madh i Fortenova është grupacioni amerikan HPS. Fortenova posedon më shumë kompani në tërë Ballkanin duke punësuar mbi 50 mijë punëtorë në tregti, bujqësi dhe industrinë e ushqimit. Kroacia me 60 për qind varet nga gazi që e importon prej kompanisë shtetërore ruse GazProm. Kapitali rus është prezent edhe në kompaninë kroate të prodhimit të plehrave bujqësor PetroKemija, ndërsa është pronar përmes Fortenovës edhe afër 53 për qind të aksioneve të kompanisë kroate të gazit PPD.
Në Serbi ngjashëm me shtetet e rajonit, Rusia është fuqishëm prezente në sektorin e energjetikës. GazProm kompania e madhe shtetërore ruse është pronar i 51 për qind të aksioneve të kompanisë serbe të naftës NIS.
NIS u shit për 400 milionë euro në vitin 2008, që sipas analistëve ekonomik në Serbi ishte një çmim jo i tregut në këmbim të përkrahjes ruse për Kosovën. Mirëpo që atëherë është investuar mbi 2.5 miliardë euro në modernizimin e NIS . Një investim tjetër i madh rus në Serbi ishte edhe blerja e Beopetrollit nga ana e Lukoill para 19 vitesh për afër 120 milionë euro. Kapitali rus është prezent edhe në projektet infrastrukturore me kredi dhe realizimin e punëve në modernizimin e hekurudhës Stara Pazova-Novi Sad me gjatësi prej 40 km që kushtojnë afër 600 milionë dollar dhe realizohen nga kompania ruse “RZH Interneshenel”.
Në Bosnje e Hercegovinë mbi 98 për qind e investimeve janë realizuar në Republika Srpska, ku para 15 vitesh nga kapitali rus u blenë rafineritë e naftës , vajrave dhe kompania Petrol për afër 115 milionë euro. Janë investuar edhe 900 milionë euro kapital rus në kompaninë më të madhe të naftës në Bosnje, Optima. Në Mal të zi investim më i madh rus ishte blerja e kombinatit të Aluminiumit dhe xeherores së Boksitit. Mirëpo kompania më e madhe në Mal të Zi më vonë fiton pronar malazias. Në vitin 2013 u refuzua kërkesa ruse që të lëshohet për shfrytëzim për palën ruse, porti i Barit për dy miliardë euro.
Në 16 vitet e fundit në Mal të zi janë investuar mbi një miliard euro për blerjen e patundshmërive nga ana e pasanikëve rus, ndërsa 500 milionë euro të tjera janë investuar në turizëm dhe industri.
Në Slloveni në vitin e kaluar gjysma e gazit të harxhuar ka ardhur nga Rusia. Kapitali rus është prezent edhe me pronësi në Industrinë metalike në Jesenicë, që realizon 700 milionë euro të ardhura në vit, ndërsa rusët janë prezent edhe në hotelieri ku posedojnë gjysmën e hoteleve në banjat e njohura termale Rogashka Sllatina si dhe posedojnë edhe më shumë hotele të tjera në Slloveni. (koha.mk)