Sot do të luhet ndoshta ndeshja me rëndësinë më të madhe etnike në këtë Botëror, duke parë se Serbia do të ketë vërtet përballë Zvicrën, por në përbërje të helvetëve ka katër lojtarë me gjak shqiptar, si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami dhe Blerim Xhemaili. Sigurisht që ky fakt e ka ndezur edhe më shumë duelin sportiv.
Por fakt është që nëse politikanët serbë kanë menduar që ta ndezin disi me “diplomaci” këtë takim, nga ana tjetër janë edhe organizatorët rusë, të cilët dje kanë vendosur që të dalin hapur si aleatë të Serbisë. Autoritetet ruse kanë marrë masa në kuadër të këtij takimi dhe kanë kërkuar nga Federata Zvicerane e Futbollit që të ketë kontrolle te tifozët e pranishëm në stadium, pasi nuk do të lejohet asnjë flamur që lidhet me Shqipërinë, Kosovën apo Shqipërinë e Madhe. Mediat ruse i kanë bërë jehonë kësaj sfide, duke e cilësuar si një ndeshje me nota të larta urrejtjeje dhe rivaliteti. Ata janë të sigurt se do të ketë tifozë që do të kërkojnë të provokojnë, por njëkohësisht kanë kërkuar nga të dyja palët që të mos bien pre e provokimeve.