Nga Ismail ARSLLANI
Lideri i pakontestueshëm i LDK-së, pastaj edhe president i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, pas shpalljes së Republikës së Kosovës në Kuvendin e Kaçanikut, në fillim të viteve të 90-ta, mbajti një qëndrim rigid kundër aspiratave të shqiptarëve në Maqedoninë e pavarur, për të pasur një autonomi politike-territoriale, me të drejta të garantuara kolektive kombëtare brenda këtij shteti.
Këtë e dëshmoi edhe pas vizitës së parë të tij në selinë e Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), me Nevzat Halilin në krye, më 1992. Takimi u bë në një nga zyrat e selisë së saj, që ishte në një shtëpi private në lagjen e Çarshisë së Epërme të Tetovës. Si korrespondent i gazetës “Rilindja” isha i ftuar në këtë takim, që pritej të ishte miqësor ndërmjet dy liderëve të partive simotra më të mëdha politike shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë.
Më ka mbetur një përshtypje e zymtë, ndoshta e gabuar, shikuar nga kjo distancë kohore, për bisedimet që u bënë në këtë takim, mes Ibrahim Rugovës dhe Nevzat Halilit, në një përbërje tepër të ngushtë partiake, prej dy-tri vetave dhe dy gazetarëve shqiptarë. Më habiti qasja “jo fleksibile dhe jo korrekte” e Ibrahim Rugovës, të cilin për herë të parë e shihja fizikisht dhe deri atëherë kisha përshtypjen e një lideri të butë, paqësor dhe liridashës, por i pakontestueshëm për autoritetin që kishte krijuar brenda Kosovës dhe jashtë saj, sidomos te ndërkombëtarët.
Në të parë, nuk më pëlqeu qasja kundërshtuese, e ngurtë dhe paternaliste ndaj një partie shqiptare në Maqedoni, siç ishte PPD-ja, si dhe ndaj liderit të saj, Nevzat Halili, që asokohe angazhohej edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve (me ndërmjetësin Gert Arens), me draftin në versionin anglisht për “Statusin Special të Shqiptarëve në Maqedoni”, me garanci ndërkombëtare për të drejta kolektive kombëtare të tyre.
Se cilat ishin motivet apo, ndoshta, rekomandimet e ndërkombëtarëve drejtuar Rugovës, që të ndikojë me autoritetin e tij që ta “korrigjojë” këtë opsion politik të shqiptarëve në Maqedoni, do të dëshmojë historia në bazë të dokumenteve ekzistuese dhe deklaratave të aktorëve të drejtpërdrejtë që ende janë gjallë. Rugova, në atë takim, ku nuk na u lejua që të marrim shënime si gazetarë, ishte shumë decidiv dhe nuk kërkonte ndonjë sqarim apo mendim nga kryetari i PPD-së, Nevzat Halili, i cili kishte “votën” e pjesës dërmuese të shqiptarëve në Maqedoni dhe ishte një parti autentike dhe autoktone me politikat e veta, por kërkoi që ky opsion politik (autonomia politike-territoriale) të braktiset dhe të përqafohet opsioni tjetër “më konstruktiv dhe më i mirë për shqiptarët, që konsistonte me statusin: “Shqiptarët shtetformues në Maqedoni”.
Nuk mund ta dijë se si është ndjerë Nevzat Halili, në ato momente, kur prej tij kërkohej një ndryshim kaq radikal të opsionit për statusin e shqiptarëve në Maqedoni. Do të ishte më mirë “statusi special” apo “shtetformësia”(?), këtë më së miri mund ta thonë, në këtë distancë kohore, politikanët me profesion, që i njohin këto problematika. Mirëpo, në atë takim, dukej qartë se diçka po thyhet në rrafshin politik, edhe atë në një shtyllë kryesore.
Sepse, PPD-ja dhe PDP-ja, si dhe disa shoqata dhe asociacione shqiptare në Maqedoni tashmë (1992) kishin realizuar një bagazh me kapital të rëndësishme politik: Referendumin për Autonominë Politike-Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni, me mbi 300 mijë nënshkrime.
Koha në vijim tregoi se ky kapital politik, që ende ka vlerën e verdiktit të popullit, u hodh ad-akta, për t’u orientuar gradualisht në një opsion tjetër politik, sipas diktateve të jashtme jo autentike, që dëshmoi se ndonëse i favorizuar dhe i mbështetur ndërkombëtarisht, nuk solli rezultate, por përfundoi me konfliktin e vitit 2001.