Nga Bleona METUSHI
Kur shkuam atje ajo po na priste, një femër e gjatë, me tipare të errëta, e veshur me shami dhe me një shikim melankolik na ofroi mirë se ardhjen. E ndjeva që do më frymëzonte ajo çfarë do të dëgjoja prej saj, sytë më tregonin shumë. Rudina Krasniqi është nga ato femra që ia ka dal të bëj disa gjëra në jetë, dhe pavarësisht vështirësive që ka kaluar. Tashmë ajo është nëna e tre fëmijëve, besimtare e devotshme dhe një biznesmene e suksesshme. Dikur nuk e kishte menduar se si do rridhte jeta e saj, por ishte e sigurt që do ia dilte mban në çdo situate. Rudina është lindur në Qerret të Kavajës, me origjinë të hershme nga Kosova, tani jeton në Babunjë të Divjakës ku ka ngritur edhe biznesin e saj.
Dhe duket se humbja e një prej njerëzve më të shtrenjtë për të, siç ishte babai, ishte një pikë kthese e cila i vuri pikat mbi “i”. Rudina tregon se nuk i pëlqen shumë ta përmend këtë fakt, por nëse flet për vete është e pamundur të mos e përmend. “Kjo humbje ka ndikuar tek unë në të gjitha format, më ka bërë atë që jam sot, më tronditi, më frikësoj por edhe më lartësoi, pasi më dha forcë të përballesha me ato që kisha frikë, më duhet të them kam qenë shumë e lidhur me të”. Babai i Rudinës e humbi jetën në përpjekje për të shpëtuar një person tjetër nga flakët, dhe për të ai është figura e një heroi. Dhe pavarësisht kësaj, Rudina duhet të vazhdonte jetën, dhe të ishte krahu i djathtë për nënën dhe vëllain e saj, për të cilin më shprehet se ka një marrëdhënie shumë të mirë. “Me vëllain kam marrëdhënie shumë të mira, kemi kaluar kaq shumë gjëra bashkë të cilat na kanë bërë shumë të afërt me njëri-tjetrin”. E ndërsa për nënën e saj më thotë me dhimbje në sy se “i është dashur të jetë edhe burrë edhe grua për të na dhënë ne aq sa të mundej”. Duket sikur Rudina e ktheu dhimbjen në forcë dhe urrejtjen që i ofroj kjo botë në dashuri, sipas saj të pasurit Zotin gjithmonë me vete të jep forcë për të vazhduar, sepse edhe kur i prenë ëndrrat në mes, nuk hoqi dorë nga dashuria për jetën. Më thotë se donte shumë të vazhdonte Universitetin, por koha dhe mentaliteti mashkullor nuk ia lejuan. “Kam qenë një nxënëse e mirë dhe doja shumë të shkoja në Universitet, por në vitin 1998 nuk ishte edhe aq e thjesht, duhet të përballeshe me paragjykimet e një shoqëria mashkullore dhe financiarisht nuk mund të rëndoja nënën time”.
Duket që ka lindur për të drejtuar, pasi edhe në gjërat më emocionale, di të drejtohet nga arsyeja, e pranoi që e humbi betejën këtë herë dhe vazhdoi përpara sepse nuk është në natyrën e saj të qëndroj me kokën pas “Ajo që ikën, ikën, unë nuk jetoj në të shkuarën, di ti pranoj gjërat, qoftë kjo edhe humbje, pasi unë jetoj për atë që vjen nesër ” më shprehet Rudina kur e pyes në lidhje me Universitetin. Dhe duket se jeta vendosi ta shpërblente atë, Zoti, në të cilin Rudina beson aq shumë, bëri që në jetën e saj të hynte personi që do ta kishte udhëtarin e jetës, bashkëshortin e saj Sokolin, i cili ka studiuar për Teologji, dhe është imami i xhamisë së Babunjës në Divjakë. Ishte kunata e Sokolit ajo që i bashkoi dhe duket se i ka bërë dhuratën më të bukur Rudinës. “Sokoli është nga ata bashkëshort që di të dëgjojë, të të mbështes dhe nëse flas për vete dhe suksesin tim nuk mund ta lë atë pa përmendur”, më thotë Rudina, e cila kur flet për gjërat që do dhe e frymëzojnë flet shumë shpejtë dhe bashkë me fjalët, duket sikur nxjerr edhe shpirtin e saj aq njerëzor sa po të arrish ta njohësh të bën ta duash më shumë jetën.
E ndërsa biznesin , pularinë, e nisën së bashku në vitin 2007, me lekët që Rudina kishte siguruar nga shitja e tokës së saj. Arsyeja se pse menduan të hapnin një biznes të tillë ishte shumë praktike, sipërfaqja e vogël e tokës që zotëronin dhe fakti që në fillim e menduan si diçka familjare dhe të ishte lehtë e administrueshme. Fillimet kanë qenë të vështira por ashtu siç shprehet edhe Rudina, vullneti i bën të gjitha, “Duke pasur vullnetin, dëshirën dhe forcën për punë ia dolëm që rritja e zogjve të shkonte mirë “. Ata e kanë nisur me 1500 krerë zogj si fillim duke i trajtuar në natyrë, dhe për arsye se zogjtë ishin natyral, shitjet filluan të shtoheshin. “Pasi shitjet filluan të shtoheshin kaluam në rritje intensive, të shtonim krerët dhe racat e zogjve “. Suksesi i rriti dëshirën për vazhduar më tej dhe tani në “Shtëpinë e Zogjve” ata mbajnë raca të kryqëzuara të cilët i përshtaten ambienteve të tyre në zonat rurale. Sot ata tregtojnë 250 mijë zogj fushe dhe 40 mijë zogj deti.
Rudina i është përkushtuar biznesit të saj 24 orë, pasi ashtu siç thotë ajo “Kemi të bëjmë me qenie të gjalla, dhe kanë nevojë për përkujdesje në çdo kohë “atë pothuajse kur do që të shkosh e gjen aty, dhe kjo, thotë Rudina është një nga avantazhet që ne kemi “Duke qenë se puna është afër shtëpisë ne gjithmonë jemi aty dhe nuk është se kemi ndonjë orar zyrtar, për këtë klientët e dinë dhe ndihen mirë, kjo na jep një avantazh në krahasim me pularitë e tjera”. Sigurisht që nuk është e thjeshtë për Rudinën të jetë edhe nënë e tre fëmijëve edhe aq e përkushtuar në punë por ka arritur t’ia dal, dhe kjo fal edhe ndihmës së prindërve të Sokolit. “Ishte e vështirë, dhe veçanërisht në fillim, unë kisha dy vajzat e vogla, por nuk kam qenë e vetme dhe prindërit e Sokolit më kanë ndihmuar me çdo gjë “. E ndërsa gjithmonë e gjen kohën për të dalë me fëmijët e saj një xhiro, të shkojnë në plazh apo të hanë një drek jashtë, dhe Rudina nuk është nga ata prindër që i lë në dorë fëmijës telefonin dhe bën sikur kanë dal shëtitje, “Kur dal me ta jam tërësisht e përkushtuar, luaj bashkë me ta dhe kalojmë kohë shumë të bukur , nuk më pëlqen ti lë shumë me teknologji në dorë, në fund të fundit për çfarë dolëm?!”.
Rudina nuk ankohet, pasi mendon se të ankohesh është humbje kohe, ajo ia lë në dorë vullnetit të zotit, por në lidhje me biznesin ka rezervat e veta. Ajo thotë se në Shqipëri ka nevojë që ti jepet një dorë , e sidomos bizneseve që kanë një histori dhe një vazhdimësi . “Biznesi në Shqipëri kërkon më shumë vëmendje, dhe sidomos kur bëhet fjalë për ushqimin i cili duhet të ketë një vëmendje akoma edhe më të madhe nga ana e qeverisë duke i dhënë mbështetje më shumë produktit “made in albania” kështu edhe ne kemi mundësi të rritemi më shumë, të kemi një cilësi më të lartë dhe të punësojmë edhe më shumë njerëz”. Një gjë tjetër që e shqetëson Rudinën, janë edhe subvencionet “Një pikë tjetër që duhet të rishikohet është edhe skema e subvencioneve, që të shkojnë tek njerëzit që kanë një histori biznesi të suksesshme dhe kanë ide konkrete për të vazhduar me tej “. Dhe teksa ecim në kapanonet e zogjve, më thotë se arma e fortë e tyre është “Cilësia dhe fakti që zogjtë janë natyral, kjo ka bërë që të kemi klient nga e gjithë Shqipëria”.
Por planet e saj për biznesin nuk mbeten vetëm këtu, në të ardhmen jo shumë të largët, Rudina më tregon se nuk do ti tregtojnë zogjtë vetëm të gjallë, por do të bëjnë një mbyllje të plotë të ciklit, që do të thotë nxjerrja e një produkti final “Sigurisht që kemi plane të tjera, po punojmë që së shpejti të bëjmë një mbyllje të ciklit, të sjellim në treg një produkt përfundimtar, të therur dhe paketuar”. Dhe pas kësaj bisede, pa dyshim që askush nuk e arrin diçka nga rastësia, edhe Rudina nuk është rastësisht kaq e suksesshme në këtë fushë, pasi di të jetë emocionale, aq sa edhe gjakftohtë, kërkon shumë nga vetja dhe do të jetë një shembull për vajzat e saj, dhe për të gjitha ato femra që ndoshta edhe paragjykohen se kanë veshur shami. “Veshja e shamisë ishte një vendimi i imi, e ndjeva se duhet ta bëja dhe e bëra”. Mendimi i të tjerëve pak e shqetëson, por me tregon se ekziston një paragjykim në lidhje me femrat e veshura “Shpesh ka një mendim të gabuar për femrat që kanë vendosur të veshin shami, të tjerët mendojnë se dimë të jemi vetëm shtëpiake, por jo, ne mund të drejtojmë një biznes dhe të kemi një jetë sociale shumë aktive ” dhe ndoshta suksesi i saj qëndron te shpirti që i jep çdo gjëje, “Çdo ditë e pyes veten çfarë ke bërë sot që të ketë vlerë, dhe kur them vlerë, e kam për atë jo monetare por humane dhe shpirtërore “. Pasi për Rudinën suksesi nuk ka vlerë nëse nuk e “Ndan me të tjerë, dhe nuk e përdor për të ndihmuar të tjerët”. (shekuli.al)