Shkup, 11 maj – Shoqata e Gazetarëve në Maqedoni dënon ashpër vendimin e Këshillit Programor të Radio Televizionit të Maqedonisë që vendosi të mbyllë dyert e seancës të së enjtes për publikun, në të cilën ishte e parashikuar të flitet për përgjegjësinë e menaxhmentit të RTM-së dhe të kryeredaktorëve për sjelljen joprofesionale gjatë ndërhyrjes në Parlament dhe dhunës ndaj gazetarëve dhe deputetëve më 27 prill këtë vit nga ana e përkrahësve të iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët”. “Vendimi për mbylljen e seancës është kundërligjore, sepse në Ligjin për shërbime audio dhe audiovizuale, askund nuk është e parashikuar që seanca e Këshillit të jetë e mbyllur për publikun. Argumentet që i ofruan anëtarët e Këshillit Programor janë të pabaza, duke thënë se tema është sensitive dhe për t’u përjashtuar mundësia për të bërë shtypje ndaj anëtarëve të Këshillit. Indikacionet e anëtarit të Këshillit, i nominuar nga SHGM, Vedat Memedaliu dhe kolegët e tij – Ilir Ramadani dhe Anita Latifi, kanë qenë të kota, sepse ato janë shprehur që mbyllja e seancës është e paligjshme. Sugjerimet e tyre nuk janë pranuar nga shumica e anëtarëve, ku me shtatë vota ‘për’, katër ‘kundër’, ndërsa dy ‘të përmbajtur’, është vendosur që dyert e seancës të ngelin të mbyllura. Për këtë arsye, Memedaliu, Latifi dhe Ramadani në mënyre demonstrative braktisën seancën e Këshillit, ndërsa anëtarët që votuan si të përmbajtur për mbylljen e seancës, mbetën dhe krijuan kuorum për punë pas dyerve të mbyllura”, thuhet në reagimin e SHGM-së. Vendimi i Këshillit Programor, vijon më tej reagimi i SHGM-së, është në kundërshtim me nenin 2 nga Ligji për AVMU, në të cilin ndër të tjerët thuhet se qëllimi kryesor i Ligjit është të krijohet servis publik radiodifuziv transparent, i pavarur, efikas dhe përgjegjës. “Kjo mënyrë e sjelljes së Këshillit Programor të RTM-së është në kundërshtim me rekomandimet e Këshillit të Evropës për themelimin dhe udhëheqjen me serviset publike radiodifuzive, në të cilët insistohet në transparencë dhe llogaridhënie. Seanca e Këshillit të Programit ishte e iniciuar me kërkesë të anëtarit të nominuar nga SHGM, pasi Agjencia për Shërbime Audio dhe Audiovizuale kërkoi nga Këshilli Programor të shqyrtojë mënyrën e raportimit të RTM-së për dhunën në Parlament. Në shkresën Agjencisë, thuhej se servisi publik nuk ka informuar në kohë qytetarët për ngjarjet në Parlament dhe nuk u organizuan debate që janë në interes të madh të interesit publik.