Operatorët nuk mund t’i lexojnë njehsorët e konsumatorëve serbë, ngaqë ata nuk i njohin institucionet e Kosovës. Vet Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) e ka pranuar se shpenzimet e banorëve serbë ua faturojnë shqiptarëve, për t’i mbuluar dëmet që i shkaktohen kompanisë që e bënë distribuimin e energjisë elektrike, KEDS. Zyrtarë të kësaj kompanie thonë se ata nuk mund të operojnë në veri për shkaqe politike dhe atyre të sigurisë. Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Avokati i Popullit duke konstatuar se janë cenuar dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe vetë Ligjit për Energjinë Elektrike. “Më saktësisht është cenuar interesi ekonomik dhe prona e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe e drejta e konsumatorit për të pasur faturë të saktë si dhe mundësinë për të kontrolluar sasinë e faturuar për shërbimin e ofruar. Gjithashtu është cenuar e drejta e konsumatorit për të pasur faturim të energjisë në bazë të konsumit real që është lexuar në njehsorin e konsumatorit si dhe të ketë në faturë shënimet në bazë të të cilave i mundësohet konsumatorit kontrolli i sasisë dhe vlerës për konsumin e energjisë”, thuhet në njoftimin e Ombusd Personit. Bazuar në gjetjet, Avokati i Popullit ka ushtruar padi kundër ZRRE-së. E Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që të shtyhet ekzekutimi i vendimit që energjia elektrike e cila shpenzohet nga qytetarët serbë në veri të Kosovës, t’u shpërndahet të gjithë qytetarëve shqiptarë në gjithë Kosovën. Pavarësisht faktit se operatorët e shpërndarjes thonë se nuk janë të sigurt të operojnë në veri, ishte Ministrja për Dialog Edita Tahiri disa herë kishte deklaruar se po e shtrijnë autoritetin edhe në veri. “Ne po shtrijmë sovranitetin e shtetin dhe në katër komunat veriore dhe kjo vjen si rezultat i marrëveshjeve të Brukselit”, pati deklaruar Tahiri para një viti. Por, sipas analistit politik Islam Krasniqi, deklaratat e Ministres për Dialog, Edita Tahiri për shtrirjen e autoritetit të Kosovës edhe në pjesën Veriore, kanë qenë vetëm “deklarata mediatike, asgjë më shumë”. Sipas tij, Qeveria Haradinaj duhet ta trajtojë këtë çështje me prioritet këtë çështje, “duke i shtjerr të gjitha burimet me Listën Serbe apo edhe me qytetarët serbë në veri që obligimet e veta t’i paguajnë vetë, apo edhe më kërcenim duke i shkyçur nga rrjeti elektrik”. Njohësi i çështjeve politike në vend Bajrush Morina thotë se veriu vazhdon të jetë “territor i ndaluar” për zyrtarët e Prishtinës. “Dhe jo vetëm për vizita të pushtetarëve të Prishtinës por është i ndaluar për të shtrirë pushtetin administrative në Veri të vendit. Krejt çka duhet të bëjë kryeministri Haradinaj është që njëherë të tentojë të bëjë një vizitë në ndonjë nga komunat veriore të vendit. E dyta që me vete ta marrë edhe “ish-ministren”e pensionuar Edita Tahirin dhe e taksambledhësit e KEDS-it. Me këtë rast Haradinaj do të tregonte se sovraniteti i Republikës së Kosovës është deri në kufi me Serbinë dhe se ai është Kryeministër edhe i Veriut të vendit. Në të kundërtën do të bëhet edhe ky lider politik i cili Veriun e integron vetëm gjatë fushatës zgjedhore siç kanë vepruar edhe të tjerët”, thekson Morina për Gazeta e Re. Ndërkaq, udhëheqësi i Departamentit për Punë Sociale në Universitetin e Prishtinës, Lulzim Dragidella thotë se mospagesa e faturave të rrymës nga serbët, është një praktikë shumë e keqe që flet për mosfunksionimin e shtetit. “Edhe përkundrazi të gjitha atyre bisedimeve akoma nuk mund të themi se kemi një shtet që funksionon në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët. Në parim, ne këtu kemi të bëjmë me shkeljen e Kushtetutës së Republikës se Kosovës, pikërisht të parimit të barazisë. Në këtë aspekt ne i favorizojmë disa qytetarë apo disa i diskriminojmë. Unë mendoj se këto praktika duhet të fillojnë të ndërpriten sepse ato kontribuojnë edhe më tutje në mosfunksionalizimin e institucioneve shtetërore. Rryma është produkt si çdo produkt tjetër dhe duhet të paguhet. Vjedhja apo mospagesa e rrymës duhet të pasojë me ndërprerje të saj. Kjo mund të bëhet shumë lehtë po që se ka vullnet”, përfundon Dragidella. Ndryshe, Avokati i Popullit në fjalë ka dalë me disa rekomandime për ZRRE-në.
“1. ZRRE urgjentisht të ndalë praktikat e kundërligjshme të faturimit të energjisë elektrike të shpenzuar në veri të Republikës së Kosovës tek konsumatorët në pjesën tjetër të vendit. 2. Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me ZRRE-në dhe KEDS-in, të gjejë një mënyrë alternative për t’iu shmangur humbjeve në veri të vendit, duke trajtuar të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë sipas normave kushtetuese dhe ligjore kundër diskriminimit. 3. ZRRE-ja, në pajtim me Ligjin Nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë, të nxjerrë një vendim, me anë të të cilit do të miratohej zbritja e tarifave deri në atë masë që do të mundësonte kompensimin e konsumatorëve të cilët, padrejtësisht, janë faturuar, dhe vazhdojnë të faturohen, për energjinë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore”, thuhet ndër të tjera në raport.