Samiti i Londrës i 3 dhe 4 dhjetorit është historik për Maqedoninë e Veriut, për arsye se në të do të vendoset fati europian i saj. Elita politike dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend vlerësojnë se cilido që të jetë vendimi, për Maqedoninë e Veriut nga ky Samit priten konkluzione pozitive
Destan JONUZI
Shkup, 10 tetor – Për Maqedoninë e Veriut, Samiti i 3 dhe 4 dhjetorit në Londër është historik për të ardhmen e saj Evropiane. Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani vlerëson se pasojat nga mos vlerësimi i kompromiseve të jashtëzakonshme që i ka arritur vendi do të ishin të shumta, shkruan gazeta KOHA.
“Ne duhet të lidhemi me BE-në si shpresë. Edhe pse unë jam shumë optimist, por flasim për një epilog të mundshëm negative. Samiti i Londrës është Samit historik, për shkak se nga pasojat e mos vlerësimit i kompromiseve të jashtëzakonshme i ka bërë Maqedonia e Veriut janë të shumta. Procesi i reformimit të BE-së mund të shkon krah për krah me përgatitjen e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim një ditë, për shkak se ky proces do të jetë i gjatë, mund të jetë një dekadë dhe mund të bëhet paralelisht”, thekson Osmani. Ai vlerëson se dilemat e Francës për procesin e zgjerimit të BE-së janë legjitime. “Dilemat e Francës janë legjitime, thotë se nuk mund të zgjerohet pa fund pa u reformuar BE-ja. Është e natyrshme se BE ka filluar me 8 vende sot i ka 28 vende anëtare të cilat vendosin me unanimitet. Nëse provojmë edhe në shtëpitë tona të marrim ndonjë vendim me unanimitet do të ballafaqohemi me vështirësi, e lë më me 28 vende të ndryshme”, nënvizon Osmani.
BE-ja NUK ËSHTË AJO QË KA QENË MË HERËT
Ndërsa, botuesi i gazetës KOHA, Arben Ratkoceri, në debat televiziv në Tv Klan, ka theksuar se vendimi i tetorit i BE-së për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë varet nga raportet e brendshme të shteteve anëtare. “BE-ja nuk është ajo që ka qenë më herët mendoj se edhe vendimi për Maqedoninë dhe Shqipërinë varet shumë nga raportet e brendshme të anëtarëve të BE-së, sidomos shteteve më të fuqishme të Evropës Perëndimore. Edhe vendimi i tetorit do të varet nga raportet e brendshme të shteteve anëtare të unionit, ose të kaosit që është mes tyre se si do të duket një BE e ardhshme. Ajo që ishte sipas gjitha gjasave nuk do të jetë. Forma do të përcaktohet në të ardhmen. Nëse në tetor nuk i jepet Maqedonisë dhe Shqipërisë data, mendoj se përsëri do të ketë një vendim pozitiv të ngjashëm si ai i qershorit, të jepet një farë shpresë për shkak të vendimeve të mëdha që ka marrë vendi. Por, kjo është e pamjaftueshme dhe ndoshta ne si shtet duhet të kthehemi ti kryejmë detyrat tona”, vlerëson Ratkoceri..
Ndërkohë, që janë liferuar lajme se shpresat që kryeministri teknik i Spanjës, Pedro Sanchez, i kishte përcjellë kryeministrit Zoran Zaev në Neë York, që Parlamenti në Madridit do të mund të ratifikojë Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO para Samitit në Londër, tashmë bien në ujë. Arsyeja është se Spanja do të mbajë zgjedhjeve të parakohshme më 10 nëntor. Tashmë dihet edhe data e krijimit të Parlamentit të ri spanjoll, seanca e parë është caktuar për 3 dhjetor, ditën kur fillon Samiti i NATO-s në Londër. Spanja mund të jetë e vetmja anëtare nga 29 shtetet anëtare të Aleancës që nuk do të mund të arrij ratifikimin e protokollit deri në dhjetor. përndryshe, deri më tani, Protokollin për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO e kanë ratifikuar 21 shtete anëtare të Aleancës.
HOLANDA ËSHTË PËR NDARJE TË MAQEDONISË SË VERIUT DHE SHQIPËRISË
Holanda kërkon që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të trajtohen në veçanti në lidhje me hapjen e negociatave ikuadruese për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për çka do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në Luksemburg më 15 tetor, ndërsa vendimi përfundimtar duhet të formalizohet më 18 tetor nga Këshilli Evropian. Qëndrimi i tillë doli nga debati i djeshëm në Komitetin për Çështje Evropiane në Parlamentin holandez. Shefi i Diplomacisë Stef Bllok e ka përsëritur qëndrimin e Qeverisë se fillimi i negociatave me Shqipërinë në këtë moment do të ishte shumë herët. Holanda, megjithatë, nuk do të vendosë veto përderisa vendet tjera anëtare të BE-së të jenë për fillim të negociatave. Konkluzioni i debatit në Komitetin për çështje evropiane tani duhet të ndryshohet në qëndrimin e përbashkët të partive parlamentare. MPJ-ja holandeze në ndërkohë i përsëriti pozicionet e Qeverisë se vendet kandidate duhet t’i plotësojnë kushtet e parashtruara para hapjes së procesit negociues. Holanda e përshëndet përparimin e bërë të vendeve kandidate, por konsideron se vlerësimi i tyre duhet të jetë veçanërisht në bazë të arritjeve të tyre. Në pjesën për Maqedoninë e Veriut thuhet se është bërë përparim i guximshëm dhe përshëndetet Marrëveshja e Prespës si shembull për zgjidhjen e çështjeve tjera të hapura në rajon. Rekomandohet vazhdim i lëndëve të hapura të PSP-së dhe përshëndetet transferimi i tyre për procesim të mëtutjeshëm në Prokurorinë Publike. Hap i rëndësishëm që duhet të bëhet është miratimi i ligjit që do të garantojë Prokurori publike të pavarur dhe ndjekje të rasteve të korrupsionit të lartë. Për Shqipërinë, Qeveria holandeze i përshëndet hapat e ndërmarra të deritanishme, por konsideron se duhet të bëhen përpjekje shtesë për përforcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. (koha.mk)