Urim HASIPI
Tetovë, 19 tetor – Në 9 muajt e kaluar të këtij viti, në rajonin më të gjerë të Tetovës gjithsej janë regjistruar 593 aksidente komunikacioni ose 17 më pak në krahasim me të njëjtën periudhë kohore të vitit të kaluar, shkruan gazeta KOHA.
“Gjashtë nga këto aksidente kanë përfunduar me 7 viktima, prej tyre dy kanë qenë vozitës, tre bashkudhëtarë, një këmbësorë si dhe një motoçiklist, kundrejt 10 viktimave të vitit të kaluar. Në 42 aksidente të tjera, lëndime të rënda trupore kanë marrë 44 persona, në 244 aksidente me lëndime të lehta kanë përfunduar 477 persona, përderisa në 301 aksidente të tjera është shkaktuat vetëm dëm material, i cili vlerësohet të jetë rreth 24 milionë denarë”, thuhet në raportin e Policisë së Tetovës. Por, gjendja aspak nuk është më e mirë në rrugët rajonale. Vite me radhë rruga rajonale Tetovë-Jazhincë, së bashku me rrugët e qytetit të Tetovës, autostradën Tetovë-Shkup dhe rrugët rajonale Tetovë-Pirok dhe Tetovë-Vollkovijë, vazhdojnë që edhe më tutje të jenë në mesin e rrugëve më të rrezikshme në rrethinën e Tetovës, për shkak se në këto rrugë, në veçanti në rrugën Tetovë-Jazhincë, janë regjistruar shumë aksidente, në disa raste edhe me pasoja tragjik, gjegjësisht me të vdekur. “Numri më i madh i aksidenteve kanë ndodhur në rrugët e qytetit të Tetovës, më pas në autostradën Gostivar-Tetovë-Shkup, si dhe në rrugët rajonale Tetovë-Pirok dhe Tetovë-Vollkovijë. Si shkak më i shpeshtë i këtyre aksidenteve dhe veçanërisht i atyre që kanë përfunduar me pasoja më të rënda, sërish ka qenë mos përshtatja e shpejtësisë, gjegjësisht vozitja e shpejtë”, thonë nga Policia e Tetovës. Pjesa më e madhe e aksidenteve kanë ndodhur gjatë ditës së mërkurë.
“Më shumë aksidente kanë ndodhur të mërkurën, edhe atë në periudhën kohore mes orës 16.00 dhe orës 20.00. Në nëntëdhjetë prej aksidenteve automjetet kanë dalë nga rruga, 46 të tjera janë shkaktuar nga kafshët, në të shumtën e rasteve nga qentë endacak, ndërsa në 57 aksidente pjesëmarrës kanë qenë këmbësorët”, qëndron në raportin nëntë mujor të Policisë së Tetovës.
Arsyet më të shpeshta për numrin më të madh të aksidenteve në këto rrugë janë mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, gjegjësisht vozitja e shpejtë, mosrespektimi i sinjalistikës rrugore, stërngarkimi i rrugës për shkak të rritjes së fluksit të automjeteve që qarkullojnë në këto rrugë, sidomos në muajt e verës,por edhe për shkak të dëmtimit të rrugëve në shumë pjesë të saj. Si rezultat i kësaj në këto rrugë rajonale janë regjistruar shumë dalje nga rruga, të cilat jo rrallë herë janë shoqëruar edhe me rrokullisjen e automjeteve, ndeshje, por ka pasur raste kur kanë pësuar edhe këmbësorët, çiklistët dhe motoçiklistët. Përveç kësaj, aksidentet në këtë periudhë kohore kanë ndodhur edhe për shkak të veprimeve jo të ndërgjegjshme, gjegjësisht të pahijshme, si parakalimet jo të rregullta, mos mbajtja e distancës dhe të ngjashme. Policia kërkon që vozitësit të përshtatin shpejtësinë e me kushtet në rrugë si dhe të mos drejtojnë automjetin nëse kanë konsumuar alkool.
“Nëse nuk respektohen këto rregulla, atëherë vozitësit do të përballen me dënime të cilët varësisht nga kundërvajtja sillen pre 35 deri në 400 euro. Krahas kësaj, po ashtu parashihet edhe marrja e lejes së vozitjes nga tre muaj deri në një vit, sidomos nëse bëhet fjalë për shpejtësi të madhe, mos pasje të lejes së vozitjes dhe vozitje nën ndikim të alkoolit. Këto rregulla vlejnë për të gjithë edhe për vozitësit vendas, por edhe ata që do të kthehen”, thotë për KOHA, Marijan Josifovski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. (koha.mk)