Vlerësohet se rrugët e mira dhe moderne ndikojnë në qarkullimin e shpejtë të mallrave dhe njerëzve apo me fjalë të tjera – qendrat turistike qoftë malore, banjave apo të detit, kthejnë katër herë më shumë të holla nga mjetet e investuara në infrastrukturë
Nga Fisnik PASHOLLI
Kosova në fund të muajin maj do të lëshojë në përdorim autostradën “Arbën Xhaferi”, që lidh Prishtinën me Hanin e Elezit, e që do të mundësojë që me një shpejtësi të lejueshme prej 130 kilometrash – në Prishtinë të arrihet për një orë. Prej Shkupit përmes Prishtinës deri në Tiranë arrihet për katër orë maksimumi përmes Rrugës së Kombit. Në autostradën Zagreb-Split nevojiten katër orë e gjysmë për të përshkuar këtë trase që lidh Detin Adriatik me kryeqendrën kroate. Të dyja akset rrugore kanë rritur dukshëm numrin e turistëve që frekuentojnë pikat turistike në bregdetin kroat, ndërsa për banorët e Kosovës – vikendet edhe prej tre-katër ditë në Durrës, Tiranë apo Vlorë, janë kthyer në përditshmëri gjatë sezonit veror.
Impakti apo ndikim ekonomik për turizmin në një pjesë të madhe nga ndërtimi i Rrugës së Kombit ka ndikuar në ekonominë shqiptare, e cila vetëm në vitin 2017 ka të ardhura prej 1.5 miliardë euro, ndërsa në vitin 2018 të ardhurat nga turizmi arritën në 1 miliardë e 850 milionë euro.
Në Maqedoninë e Veriut, në të kaluarën është ndërtuar me vonesë autostrada nga Kumanova deri në Gjevgjeli, si dhe janë riparuar, rindërtuar dhe zgjeruar me qindra kilometra rrugë. Pritet së shpejti të lëshohet në përdorim edhe autostrada që lidh Shkupin me Shtipin. Për shkaqe të ndryshme objektive apo edhe subjektive, akoma mbetet e pa ndërtuar autostrada që lidh Shkupin me qendrat turistike të Strugës dhe Ohrit, autostradë kjo që pritet të përfundojë në vitin 2021. Vonesa në ndërtimin e kësaj rruge të rëndësishme, përkundër riparimeve në një pjesë të kësaj rruge që lidh Gostivarin me Kërçovën dhe më tej me Liqenin e Ohrit, patjetër se ndikon edhe në rendimentet më të ulëta nga vizitat e turistëve të huaj në këtë perlë turistike të vendit. Bile mbetet e pa ndërtuar si rrugë moderne edhe aksi rrugor që përshkohet me kënaqësi edhe rruga prej Ohrit deri në Shën Naum dhe rruga prej Struge deri në Qafë Thanë.
Akoma mbetet i pariparuar edhe aksi rrugor prej Mavrovë deri në Zhirovnicë në rrugën prej Mavrove deri në Dibër, që gjithashtu përkufizon jo vetëm zhvillimin ekonomik të kësaj zone, por edhe ndikon negativisht në fuqizimin e potencialeve të saja turistike. Mbetet në letër edhe aksi rrugor nga qarkorja e Shkupit deri në kufirin e Bllacës. Në plan është që prej shtatorit të fillojë të rindërtohet aksi rrugor Tetovë-Kodra e Diellit. Vitet e kaluara, shtetet e rajonit si Bullgaria, Kroacia, Greqia në mënyrë të përshpejtuar kanë punuar në ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme duke shfrytëzuar edhe fondet evopiane.
Në Serbinë fqinje pritet që deri në fund të muajit prill të lëshohet në përdorim një aks mjaft i vështirë i autostradës Shkup-Beograd nëpër grykën e Gërdelicës, me çka finalizohet Korridori 10 nëpër Serbi. Vlerësohet se rrugët e mira dhe moderne ndikojnë në qarkullimin e shpejtë të mallrave dhe njerëzve, apo me fjalë të tjera – qendrat turistike qoftë malore, banjave apo të detit, kthejnë katër herë më shumë të holla nga mjetet e investuara në infrastrukturë. Andaj edhe humbjet nga rrugët e pa ndërtuara vështirë se mund të llogariten, por me siguri se mund të vlerësohen në qindra e qindra milionë euro për çdo vit të humbur.
Si shtet që varemi nga transporti tokësor, mbetet që në të ardhmen të kemi një angazhim më të madh për të investuar në infrastrukturë, për shkak se intensiteti i tanishëm i ndërtimit të infrastrukturës rrugore, nuk mjafton jo vetëm në nivel të autostradave, por edhe të rrugëve të kategorive të tjera. Rrugët lokale, rajonale apo edhe autostradat, për një vendbanim qoftë urban apo rural, nënkuptojnë ringjallje ekonomike, zhvillim lokal dhe shpresë për një të ardhme më të mirë. (koha.mk)