Përveç problemit me furnizimin e nevojave të ndryshme, popullata thekson se në raste kur ka zjarre, problemet janë tejet të mëdha. Në pjesën e epërme të qytetit, intervenimi i njësisë antizjarr në Dibër është problematik. Këtë e pohojnë edhe vet përfaqësuesit e Njësisë territoriale antizjarr
Vjollca SADIKU
Dibër, 25 nëntor – Dibra në të kaluarën, në pjesën dërmuese të saj ka qenë në pjesën kodrinore të saj. Pas tërmetit katastrofal të vitin 1967, dibranët filluan të ndërtojnë shtëpitë e tyre në pjesën rrafshinore dhe deri sot ndërtimi i objekteve të reja kryesisht bëhet në pjesë ku më parë ishte toka pjellore e saj. Por, gjatë dekadave të fundit, pushtetet vendore si duket e kanë harruar pjesën e vjetër e qytetit meqë nuk është ndërmarrë ndonjë aktivitet serioz rreth infrastrukturës rrugore. Në këtë drejtim, rrugët kanë ngelur të ngushta dhe sot pikërisht këto rrugë shkaktojnë probleme të mëdha në këtë pjesë të qytetit.
Edhe pse bëhet fjalë për një pjesë të bukur të Dibrës, banorët e kësaj pjese të qytetit ankohen se po ballafaqohen me probleme të shumta si në sigurimin e furnizimit me dru, materiale ndërtimi, mobileri e tjerë. Rrugët e ngushta nuk mundësojnë në këtë pjesë të qytetit të frekuentohet me automjete, gjë që shkakton telashe të shumta dibranëve. Anëtarët e familjes Lela, të cilët jetojnë në lagjen e “Muravecit”, thonë se kjo pjesë e epërme e qytetit faktikisht vuan për rrugë cilësore. Në asnjë moment në këtë pjesë nuk mund të përdorësh automjete dhe rrugicat e ngushta të ndërtuara sigurisht para më shumë se një shekulli nuk korrespondojnë me nevojat e sotme. Situata e njëjtë është edhe në lagjet e vjetra të Dibrës “Varosh”, “Budulec”, e tjerë.
Në këtë drejtim, përveç problemit me furnizimin e nevojave të ndryshme, popullata thekson se në raste kur ka zjarre, problemet janë tejet të mëdha. Në pjesën e epërme të qytetit, intervenimi i njësisë antizjarr në Dibër është problematik. Këtë e pohojnë edhe vet përfaqësuesit e Njësisë territoriale antizjarr. “Kur paraqitet nevoja për intervenim për shuarjen e zjarreve në objekte banimi në pjesën e vjetër të Dibrës, ne si njësi përdorim vetëm një automjete me dimensione të vogla. Dhe, kjo nuk ështeë e mjaftueshme për një intervenim më serioz”, thotë komisari i njësisë antizjarr, Xhetan Miftaroski. Rrugët e ngushta pamundësojnë përdorimin e autobotëve që posedojmë, tregon ai, ndërsa shton se kjo shkakton problem serioz në pamundësinë për të mbrojtur popullatën nga zjarret në këtë pjesë të qytetit. Edhe kompanitë e ndryshme që merren me tregtimin e mobilerive dhe teknikës së bardhë, thonë se dërgesat në këtë pjesë të qytetit janë problematike. Ka rrugë teje të ngushta ku nuk ka mundësi të kalohet me automjete dhe patjetër përdoren persona, të cilët dërgesat i dorëzojnë me shumë sakrifica. Problemet rriten sidomos gjatë stinës së dimrit, kur për shkak të borës dhe ngricave, këto rrugë janë pothuajse të pakalueshme, sidomos për moshën e tretë.
Duke marrë parasysh këtë situatë, banorët e kësaj pjese të Dibrës së vjetër në kontinuitet kanë kërkuar të realizohen projekte për një infrastrukturë rrugore më dinjitoze. Pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot, kanë kaluar shumë pushtete vendore në monizëm dhe pluralizëm, por në këtë drejtim nuk është bërë asgjë. Në bisedën që patëm me banorët që jetojnë në lagjet në fjalë, ata thonë se pikërisht situata katastrofale e rrugëve detyron një pjesë me standard më të lartë të lëshojnë këtë pjesë të qytetit dhe të vendosen në pjesën rrafshinore. Kjo do të vazhdoj të ndodhë, thonë ata, edhe pse Dibra në këtë pjesë është e bukur. Poashtu ata shtojnë se edhe gjatë pluralizmit, kur disa pjesë të rrugëve janë shtruar me pllaka behatoni, nuk është bë zgjerimi i rrugëve. (koha.mk)