Kohëve të fundit, sidomos gjatë muajit të ramazanit, janë shtuar dukshëm lypësit edhe para xhamive në rajonin e Pollogut
Urim HASIPI
Gostivar, 30 prill – Kohëve të fundit vërehen shumë fëmijë të moshës së mitur, të cilët kërkojnë lëmoshë në rrugët e Gostivarit. Kryesisht janë fëmijë të komunitetit rom të cilët hasen nëpër trotuare, nëpër rrugë ku ka frekuentim më të madh të automjeteve, para qendrave tregtare, objekteve fetare e kështu me radhë. Por, krahas këtyre vendeve, lypësit hasen edhe para institucioneve që frekuentohen, siç janë bankat, postat dhe institucionet shëndetësore. Sipas informacioneve jozyrtare, këta fëmijë që bredhin dhe kërkojnë lëmoshë në dy qytetet e Pollogut, shpeshherë sillen nga qytete tjera nga të afërmit e tyre dhe nuk janë banorë rezident të këtyre qyteteve. Nga Qendra për punë sociale në Gostivar thonë se ky nuk është problem i ri dhe shfaqet çdo vit. Për zgjidhjen e këtij fenomeni, sipas Magdalena Savevska, drejtoreshë e Qendrës për punë sociale në Gostivar, duhet një angazhim dhe koordinim më i madh i më shumë institucioneve, si në nivel lokal, ashtu edhe në nivel qendror. Problem sipas saj mbetet mospasja e kapaciteteve akomoduese për këtë kategori. “Lypësaria në qytetin tonë është një problem i madh dhe nuk është problem i tanishëm por numri i lypësve rritet ndjeshëm gjatë muajit të Ramazanit. Për zgjidhjen e këtij problemi duhet angazhim i më shumë faktorëve, si në nivel lokal, ashtu edhe në nivel qendror. Problemi është se nuk ka kapacitete akomoduese. Ne dalim dhe i trajtojmë këta fëmijë. Më lehtë është me fëmijët që janë nga qyteti ynë, por më problem janë ata që nuk janë nga qyteti ynë, sepse nuk dimë ku t’i gjejmë prindërit e tyre. Mundohemi që të sigurojmë ndonjë asistencë për këto familje, por shpeshherë ka raste që aspak nuk janë të regjistruar, dhe ky është problem në vete” thotë Magdalena Savevska, drejtoreshë e Qendrës për punë sociale në Gostivar.
Lypësit të cilët hasen në rrugë largohen dhe marrin vërejtje që sërish mos e kryejnë këtë veprimtari, por sipas informacioneve, zakonisht lypësit janë nga qytete tjera pa dokumente dhe është vështirë të identifikohen, sepse sillen në mëngjes qytet dhe në mbrëmje largohen. Nga aksionet e përbashkëta të policisë dhe Qendrës për punë sociale, janë larguar dhjetëra fëmijë nga rrugët që shtrijnë dorën për lëmoshë dhe janë ndihmuar, por problem mbetet se këta fëmijë shpeshherë detyrohen nga persona tjerë të ushtrojnë këtë veprimtari. Kohëve të fundit, sidomos gjatë muajit të ramazanit, janë shtuar dukshëm lypësit edhe para xhamive në rajonin e Pollogut. Nga ky fenomen është përfshirë sërish edhe qyteti i Tetovës. Pandemia dhe ora policore kishte eliminuar në masë të madhe këtë fenomen kohëve të fundit, por tashmë lypësit kanë vërshuar edhe këtë qytet. (koha.mk)