Vështirësi gjatë qarkullimit hasen edhe në rrugët kryesore të Tetovës për shkak të frekuentimit të madh të automjeteve
Urim HASIPI
Tetovë, 1 prill – Nëse policia dhe shërbimi i karrotrecit në qytetin e Tetovës është aktiv në pjesën qendrore, megjithatë në rrugët dytësore gjendja është shumë më e rënduar sa i parket parkimit të veturave në trotuare. Pothuajse nuk ka lagje në këtë qytet që mund të lëvizet me makinë lirisht nga veturat e parkuara anembanë rrugës. Kjo dukuri haset në lagjen e Jashtëvardarit, në lagjen Cetinska, në pjesën e Çarshisë së Epërme dhe në lagjen Teqe. Në këto lagje pothuajse është e pamundur të qarkullohet lirshëm ngase në trotuare vërehen vetura të parkuara edhe pse rrugët janë të ngushta. Përveç vështirësive që hasin vozitësit, po ashtu problem në vete është se trotuaret e destinuara për këmbësorë janë të pakalueshëm.
Këmbësorët duhet që në vend se të shfrytëzojnë trotuaret, të lëvizin në korsitë rrugore që paraqet rrezik permanent për t’u aksidentuar. Banorë të këtyre lagjeve shprehen se kjo situatë është e padurueshme dhe duhet që policia të jetë më aktive për të mundësuar lëvizje të lirë të qytetarëve. “Kemi një situatë të rrezikshme sepse të rriturit mund të mbrohen dhe janë më të kujdesshëm kur lëvizin në rrugë në atë pjesë ku trotuaret janë të zënë nga veturat, por më keq është për fëmijët sepse ata janë të ekspozuar ndaj rrezikut në çdo kohë”, thotë Nazimi, një banorë nga Tetova.
Nga ana tjetër, policia thekson se shpeshherë intervenojnë për të mundësuar lëvizje të lirë të qytetarëve, si atyre me vetura, po ashtu edhe të këmbësorëve. Prej atje theksojnë se intervenimet e tyre janë të koncentruar në pjesët qendrore të qytetit të Tetovës kurse për sa i përket rrugëve dytësore zakonisht banorët veturat e tyre i lënë në pjesët anësore të rrugëve gjatë orëve të natës. Për këtë dukuri nga policia theksojnë se shqiptohen dënime ndaj atyre që nuk i respektojnë rregullat e parkimit në këto lagje dhe jo vetëm. Nga Komuna e Tetovës nënvizojnë se në disa zona në trotuare janë vendosur shtylla metalike për t’ju pamundësuar vozitësve që të parkohen në trotuare, por në rrugët dytësore duhet një vetëdije më e lartë që të mos uzurpohen hapësirat publike për këmbësorë.
Kjo dukuri më shumë alarmohet kur në këto lagje duhet të intervenojnë zjarrfikësit në rast të përhapjes së zjarrit dhe intervenimeve të ndryshme nga ndihma e shpejtë për raste urgjente.
“Ka shumë rrugë që janë të ngushta dhe në rast të shpërthimit të zjarrit kemi shumë vështirësi që të arrijmë në kohë sepse krahas asaj që rruga është e ngushtë, ka edhe vetura të parkuara dhe automjeti i zjarrfikësit nuk mund të depërtojë deri tek vendi dhe zakonisht hasim në vonesa për çka edhe marrim vërejtje nga qytetarët. Prandaj duhet që në këto rrugë të ketë më shumë patrullime nga policia që të mos hasim në rrugë të pakalueshme sepse intervenimet tona të shpejta shpeshherë shpëtojnë edhe jetë njerëzish”, pohon Uka Aliti komandant i njësisë kundër zjarrit në Tetovë. Ai thekson se vështirësitë e tyre hasen edhe në rrugët kryesore të Tetovës për shkak të frekuentimit të madh të automjeteve. (koha.mk)