Rrugë dhe trotuare në Tetovë përplot me ujë

Tetovë, 9 prill – Dy-tre ditë reshje të shiut i detyruan tetovarët të veshin veshmbathje dimërore dhe të mbrohen nga lagja e këmbëve, duke pasur parasysh se në shumë rrugë dhe trotuare janë formuar “moçale” më të mëdha me ujë, të cilat e vështirësojnë lëvizjen. Shiu që pothuajse po bie pa ndalë prej të dielës në mbrëmje, është shkaku për problemet në rrugë dhe bulevarde. Për automjetet, më vështirë për të lëvizur në raste të këtilla është përgjatë bulevardit “Bllagoja Toska” në pjesën afër kazermës, informon Koha.

Atje rregullisht mblidhet një sasi më e madhe e ujit nga reshjet e shiut, kështu që nevojitet kujdes maksimal gjatë drejtimit të automjeteve, me qëllim që të mos dëmtohen motorët. Gjithashtu edhe kalimi në këmbë, në këtë pjesë, si dhe pika të tjera “të zeza” si afër tregut, rrugën “29 nëntori”, në Çarshinë e Epërme, rresh qendrës sportive dhe para së gjithash nëpër rrugë më të vogla bëhet me vështirësi.

Në ndërmarrjen komunale publike (NKP) “Tetova” thonë se vazhdimisht kur ka më shumë reshje, tek ata lajmërohen qytetarët e revoltuar të cilët thonë se mbetet shumë ujë në rrugë dhe trotuare, dhe nuk mund të lëvizin. Ata kërkojnë të intervenohet në kanalizim atmosferik,. por sipas kompetentëve në ndërmarrje ata përballen me gjendje shumëvjeçare e cila vështirë ndryshon.

“Ne po përballemi me qytetarë të pandërgjegjshëm të cilët hedhin gjithçka në kanalizimin atmosferik. Ky është shkaku i vështirësimit të qarkullimit të ujit,. Qytetarët janë të revoltuar, por ne japim përpjekje maksimale. Përpiqemi të mirëmbajmë sa është e mundur. Sigurisht duhet bërë diku rikosntruim të gypave, ndrësa në disa vende të rindërtohet apo të vendosen linja të reja”, theksojnë nga njësia e punës “Ujësjellësi dhe kanalizimi” pranë NPK Tetovë. (koha.mk)