Rustemi thekson se projekti pritet të lehtësojë komunikacionin në këtë rrugë duke potencuar faktin se aktualisht e njëjta shfrytëzohet edhe nga automjetet e rënda transportuese
Urim HASIPI
Tetovë, 22 shkurt – Këtë vit do të realizohet fizibiliti studimi për rrugën Neproshten-Xhepçisht. Por ajo që është risi për këtë rrugë për dallim nga projeksionet që janë bërë dhe paralajmërimet e zyrtarëve, është se ky fizibiliti studim do të përfshijë edhe qarkoren nga autostrada në hyrje të Tetovës për në Xhepçisht. Këtë e ka bërë të ditur për gazetën KOHA drejtori i ndërmarrjes publike “Rrugët Shtetërore”, Ejup Rustemi. Sipas tij, këtë muaj do të shpallet thirrja publike për fizibiliti studimin për qarkoren dhe rrugën Neproshten-Xhepçisht.
“Është me rëndësi të theksohet se në kuadër të fizibiliti studimit të kësaj rruge, respektivisht të rrugës Xhepçisht-Neproshten, do të përfshihet edhe qarkorja në hyrje të Tetovës. Kjo rrugë do të jetë e gjatë 5.2 kilometra dhe do të jetë rrugë e kategorisë regjionale. Në bazë të planit dinamik, deri në fund të muajit shkurt do të shpallet thirrja publike për përgatitjen e projektit për studim të fizibilitetit të kësaj rruge. Vitin tjetër do të fillojmë me realizimin e saj”, thotë drejtori Rustemi.
Aktualisht, banorët e Komunës së Tearcës dhe Jegunocit shfrytëzojnë rrugën Tetovë-Jazhincë, e cila dukshëm është e stërngarkuar dhe krijohen shumë tollovi në trafik sidomos në pjesën nga Drenoveci deri në Xhepçisht. Drejtori Rustemi me këtë rast thekson për KOHA se rruga e re pritet të lehtësojë komunikacionin në këtë rrugë duke potencuar faktin se aktualisht e njëjta shfrytëzohet edhe nga automjetet e rënda transportuese. Problem në vete është se, sipas ekspertëve – rruga Tetovë-Jazhincë lidhet edhe me kufirin me Kosovën prandaj zgjidhja është parë që të paktën në një pjesë të kësaj rruge të lehtësohet komunikacioni respektivisht qarkullimi i automjeteve. “Dihet tashmë se rruga Tetovë -Jazhincë është e stërngarkuar ku kalojnë mijëra automjete në ditë. Pra, në këtë drejtim mendojmë se me rrugën e re do të lehtësohet komunikacioni në këtë rrugë. Efekt tjetër presim të ketë edhe në aspektin e uljes së ndotjes, sepse komunikacioni i dendur shkakton ndotje dhe në të ardhmen – të dy rrugët do të jenë më pak të frekuentuara. Krahas kësaj, do të çlirohet edhe komunikacioni në brendi të qytetit sidomos nga automjetet e rënda transportuese”, thekson Rustemi.
Nevoja për hapjen e një rruge të këtillë është shtruar që para shumë vitesh dhe interesim për të njëjtën kanë shfaqur edhe komunat rurale si ajo e Zhelinës, pasi një pjesë e kësaj rruge prek edhe fshatin Trebosh që është pjesë e kësaj komune, pastaj përfshihet edhe Komuna e Tetovës pasi kalon në fshatin Xhepçisht dhe Komunën e Tearcës, ku përfshihet fshati Neproshten. Krahas këtyre komunave, po ashtu interesim për ndërtimin e rrugës së bashku me qarkoren, kishte shfaqur edhe Komuna e Jegunocit. Një kërkesë për këtë projekt që moti kishin dërguar në Ministri të Transportit dhe Lidhjeve. Premtim për këtë projekt kishte dhënë edhe kryeministri Zoran Zaev që në mandatin e parë. (koha.mk)