Kjo rrugë që lidhë dy komuna, respektivisht Komunën e Tetovës dhe Zhelinës, sipas kryetarit të Komunës së Zhelinës, Blerim Sjediu, pritet që së shpejti të asfaltohet. Mjetet janë siguruar, edhe atë 60 për qind financon Komuna e Zhelinës dhe 40 për qind Komuna e Tetovës
Urim HASIPI
Tetovë, 1 gusht – Rruga nga fshati Trebosh për në Tetovë dhe përmes fshatit Xhepçisht që lidhet me rrugën rajonale Tetovë- Jazhincë, është në gjendje të mjerueshme. Gropat, çarjet dhe dëmtimet shkaktojnë shumë probleme për ata që qarkullojnë në këtë rrugë, e sidomos për banorët e fshatrave Trebosh dhe Pallaticë, të cilët çdo ditë udhëtojnë për në qytet dhe anasjelltas, shkruan gazeta KOHA.
Pamjet e kësaj rruge janë si të rrugëve afrikane, kurse asfaltimi i fundit është bërë para disa viteve, dhe prej atëherë nuk është intervenuar aspak. Kjo rrugë, që lidh dy komuna, respektivisht Komunën e Tetovës dhe Zhelinës, sipas kryetarit të Komunës së Zhelinës, Blerim Sjediu, pritet që së shpejti të asfaltohet. Mjetet janë siguruar, edhe atë 60 për qind financon Komuna e Zhelinës dhe 40 për qind Komuna e Tetovës.
“E vërtetë që ne përmes qendrës së rajonit të Pollogut bashkërisht me Komunën e Tetovës kemi rënë dakord që atë rrugë ta shtrojmë me asfalt. Tenderi është mbyllur, muajin që vjen pra në gusht do të duhet të fillojë realizmi i asaj rruge, edhe ajo rrugë do të bëhet me të vërtetë me standarde bashkëkohore. Një pjesë do të jetë me trotuar kurse tjetra normalisht do të asfaltohet e tërësishme, ashtu siç është, presim që në kohë sa më të shkurtë të fillojmë me punimet. Mjetet i kemi siguruar, një pjesë nga byroja për zhvillim dhe tjetra nga mjetet e Komunës së Zhelinës, e cila participon me 60 për qind, kurse 40 për qind Komuna e Tetovës”, tha kryetari Sejdiu.
Kjo rrugë, në këtë periudhë kur është e stërngarkuar rruga rajonale Tetovë – Jazhincë shfrytëzohet nga banorët e Komunës së Tearcës dhe Jegunocës. Në ndërkohë, ende nuk kanë filluar punimet për rregullimin e rrugës Tetovë – Poroj. Nga Agjencia për rrugë shtetërore kanë thënë se janë në pritje që Komuna e Tetovës të kryejë punët rreth kanalizimit, dhe më pas të fillohet me punë. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi ka thënë se punët do të fillojnë shumë shpejt. “Po, jemi në përgatitje e sipër për të filluar punët që Komuna i ka si obligim për rregullimin e kanalizimit dhe shpresoj që shumë shpejt do të fillohet në teren që më pas të asfaltohet rruga nga ana e Agjencisë për rrugë shtetërore”, tha Arifi.
Në ndërkohë, është lënë në harresë ndërtimi i një qarkore nga hyrja në Tetovë respektivisht nga rruga e Treboshit në dalje të fshatit Xhepçisht. Kërkesa është bërë që të bëhet rikategorizimi i rrugës aktuale me qëllim që të lehtësohet komunikacioni brenda në qytet. “Në kuadër të autorizimeve që kemi si Komunë, ne kemi shqyrtuar alternativat e mundshme dhe në kuadër të atyre alternativave këtë verë presim që të fillojnë punimet në vazhdimin e bulveradit Industrial, që në një mënyrë do të jetë lehtësim për këtë rrugë, sepse do ta zvogëlojë komunikacionin, kurse sa i përket qarkores prej pikës së Treboshit e deri në Xhepçisht, meqenëse është pjesë që ka të bëjë me ingerencat shtetërore, ne si Komunë, pra dy komunat, Komuna e Tearcës dhe e Tetovës na është bashkangjitur edhe Komuna e Jegunocit, jemi drejtuar zyrtarisht deri tek Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Qeveria dhe kemi kërkuar rikategorizim të rrugës lokale Trebosh –Xhepçisht, dhe me këtë hapet mundësia për të patur një qarkore moderne, që për ne si Komunë do të ishte e rëndësishme, sepse do të lehtësonte komunikacionin në hyrje – daljet e qytetit të Tetovës për në pjesën me këto dy komuna” ka deklaruar kohë më parë kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi për gazetën Koha.
Ekspertët e infrastrukturës theksojnë se zgjidhje më e mirë do të jetë që të realizohet një pjesë e krahut të qarkores në hyrje të Tetovës prej Shkupit, që do të drejtonte automjetet e rënda deri në fshatin Neproshten të Komunës së Tearcës. Automjete të rënda shfrytëzojnë rrugët e brendshme të qytetit të Tetovës tranzit për t`iu bashkangjitur aksit rrugorë Tetovë-Jazhincë. (koha.mk)