Krahas kësaj, nga Iniciativa “Të shpëtojmë Kodrën e Diellit”, kërkojnë që të bëhen edhe mure mbrojtëse aty ku ka rrëshqitje të dheut. Sipas Sulejmanit, ky investim është vetëm një “fasadë” karshi nevojës për të bërë një rrugë me të gjitha standardet
Urim HASIPI
Tetovë, 10 korrik – Gjatë muajit maj kanë filluar punët rreth rehabilitimit të rrugës rajonale Tetovë-Kodra e Diellit. Rehabilitimi është paraparë që të zgjasë deri në fund të këtij viti, ndërsa iniciativa qytetare “Të shpëtojmë Kodrën e Diellit” thonë se kjo nuk është zgjidhje afatgjate. Hamdi Sulejmani shprehet se aktivitetet momentale që realizohen në Kodrën e Diellit janë parciale, shkruan gazeta KOHA. “Është zgjidhje afatshkurtre. Nga vet tenderimi që shihet dhe në dokumentacionin vërejmë se është vetëm rehabilitimi i rrugës, që do të thotë se duhet të intervenohet në vende ku duhet apo teknikët përkatës të rrugëve aty për aty vendosin se ku duhet të intervenohet. Rruga rregullohet në mënyrë parciale, anësoret e rrugës apo kanalet pastrohen vetëm në vendet ku janë më kritike ose më të dëmtuara, por duhet një rikonstruim total dhe në shumicën e vendeve ka dhe rrëshqitje të dheut, dhe ka edhe deformime të trasës kryesore. Por, edhe nëse vendoset një shtresë e re asfalti, nuk mundëson që të ketë një garanci afatgjate”, tha Sulejmani.
Krahas kësaj, nga Iniciativa “Të shpëtojmë Kodrën e Diellit”, kërkojnë që të bëhen edhe mure mbrojtëse aty ku ka rrëshqitje të dheut. “Normal, pasi që edhe temperaturat e ftohta dhe ndërrimi i temperaturave nga 40 gradë dhe -20 gjatë dimrit, ndryshimet e tilla bëjnë dëmtimin më të madh të rrugës, dhe nga plasaritjet që i ka rruga momentale dhe një shtresë e asfaltit tjetër ato plasaritje nuk do të ndalen, apo do të vazhdojnë edhe në shtresën e re të asfaltit, kështu që në shumicën e vendeve mbi 8 pika, nga një studim që është bërë, ka vende ku duken rrëshqitjet e dheut, aty rruga është tepër e dëmtuar, aty duhet të bëhen mure mbrojtëse ashtu si u fillua para tre viteve, prandaj duhet të bëhen edhe pjesët e tjera të rrugës”, u shpreh ai.
Sipas Sulejmanit, ky investim është vetëm një “fasadë” karshi nevojës për të bërë një rrugë me të gjitha standardet. “Ato si çdo herë presionit të sektorit civil u përgjigjen me këto mënyra që të heshtin, por ne nuk do të heshtim në këtë moment, pasi që rruga nuk është e rekonstruar gjithë komplet dhe nuk rehabilitohet e gjitha komplet. Deri tek hyrja e Kodrës së Diellit, aty ku fillojnë edhe villat, por nuk shkon deri tek hotelet aty ku janë të përqendruara, ku është rruga edhe më e shkatërruar se kjo pjesa tjetër poshtë. Duhet të ketë njerëz, persona nga grupet parlamentare që përfaqësojnë Pollogun në parlament, të cilët duhet të kërkojnë pikërisht investime të tilla, ato nuk ndodhin dhe sezonet e ardhëshme, pra 2020 dhe kjo do të jetë një djegie e sezonit apo një sezonë jo funksionale. Kodrën e Diellit e kanë lënë në mëshirë të Zotit dhe askujt tjetër”, sqaron Hamdi Sulejmani kreu i iniciativës “Të shpëtojmë Kodrën e Diellit”.
Ai është shprehur se do të vazhdojnë me aktivitetet dhe presin përgjigje nga një studimi i cili kryhet për Kodrën e Diellit, ku afër 50 ditë kanë mbetur për prezantimin e tij. (koha.mk)