Tetovë, 19 shkurt – Rruga regjionale Tetovë-Jazhincë vazhdon të merr jetë njerëzish. Ky aks rrugor gati se për dy dekada ka marrë dhjetëra jetë njerëzish, vozitës dhe këmbësor, kryesisht banorë të Komunës së Tearcës dhe ka marrë epitetin si rruga e vdekjes, shkruan gazeta KOHA.
Aksidenti i fundit që ndodhi të hënën mbrëma ka përfunduar tragjikisht pasi ka humbur jetën një 50 vjeçar nga fshati Dobrosht i Tearcës. Në këtë aksident u përfshinë vetura e tipit “Golf” me targa të Tetovës e drejtuar nga 59 vjeçari A.D. nga fshati Nerasht i Tetovës dhe një traktor “IMT 539” pa targa, të cilin e ka drejtuar 50 vjeçari A.B. nga fshati Dobrosht. Nga ky aksident shoferi i traktorit për pasojë ka marrë lëndime vdekjeprurëse, ku mjekët në Spitalin klinik të Tetovës, ku ka qenë i dërguar me anë të një veture tjetër, fatkeqësisht vetëm kanë konstatuar vdekjen e tij.
Lëndime të rënda trupore në këtë aksident ka marrë edhe bashkudhëtarja që është gjendur në veturën e tipit “Golf” nga fshati Nerasht, e cila prej Spitalit Klinik të Tetovës, me autoambulancë është dërguar në Klinikat e Shkupit, ndërsa shoferi i të njëjtës veturë, pas trajtimit mjekësor është lëshuar në shtëpi.
Ndërkohë, rruga Tetovë-Jazhincë është një ndër rrugët me komunikacionin më të dendur në vend, ku për çdo ditë në këtë rrugë qarkullojnë edhe automjete të rënda. Arsyet më të shpeshta për numrin e madh të aksidenteve në këtë rrugë janë mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, gjegjësisht vozitja e shpejtë, mos respektimi i sinjalistikës rrugore, stërngarkimi i rrugës për shkak të rritjes së fluksit të automjeteve që qarkullojnë në këtë rrugë,por edhe për shkak të dëmtimit të rrugës në shumë pjesë të saj. (koha.mk)