Shkup, 6 shtator – Rruga e cila i lidh Parkun e qytetit, Stadiumin e qytetit dhe skelën e lumit Vardar do ta mbajë emrin “Rruga Stoltenberg”, për nder të diplomatit norvegjez Torvald Stoltenberg, në shenjë falënderimi nga Qyteti i Shkupit dhe qytetarët e Shkupit për ndihmën e tij të parezervë pas tërmetit katastrofal të Shkupit të vitit 1963.
Kjo ishte kumtuar në ceremoninë e sotme me këtë rast, ndërsa në të cilën morën pjesë kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Në vitin kur po e shënojmë 55 vjetorin nga tërmeti katastrofal i Shkupit, u përshëndetëm edhe me mikun e madh dhe qytetar nderi të Shkupit, Torvald Stoltenberg. Meritat e tij në rinovimin e Shkupit pas tërmetit katastrofal nga viti 1963 janë të mëdha. Shkupjanët e mbajnë mend për ndërtimin e spitalit të fëmijëve në Kozle, që është donacion i Mbretërisë së Norvegjisë dhe Suedisë, ndërtimin e barakave norvegjeze në Taftalixhe, si dhe koordinimin e ndihmës së Kryqit të Kuq norvegjez që kishte arritur në ditët e para pas tërmetit”, tha kryetari Shilegov, në zbulimin e tabelës së rrugës “Stoltenberg”.
Torvald Stoltenberg, theksoi Shilegov, bëri shumë për Shkupin dhe për qytetarët e këtij qyteti, por atë që e la pas ky njeri janë urat e miqësisë ndërmjet Maqedonisë dhe Norvegjisë, të ndërtuara nga solidaritetit dhe humaniteti. Shkupi, potencon, gjithmonë do t’i përkujtojë ata të cilët e ndihmuan në kohërat e tij të vështira.
“Pikërisht për këtë, këtë tabelë ia dhuroj Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, që ta dijë se atë që e kishte bërë babai i tij për këtë qytet, nuk do të harrohet asnjëherë”, theksoi Shilegov.
Sekretari i përgjithshëm Stoltenberg e falënderoi kryetarin Shilegov që Shkupi dhe banorët e tij i mbajnë mend përpjekjet e babait të tij në rinovimin e Shkupit pas tërmetit.
“Shkupi kishte vend të veçantë në zemrën e babait tim, për shkak të afërsisë me qytetin pas tërmetit katastrofal të vitit 1963. Ai ishte nderuar nga shpallja e tij si qytetar nderi i Shkupit dhe jam i sigurt se do të kishte nderin e madh që një rrugë në Shkup do të emërohet sipas tij”, theksoi Stoltenberg.