Urim HASIPI
Tetovë, 17 mars – Rruga që shpie për në fshatrat e Malësisë së Sharrit, konkretisht për në fshatin Sellcë dhe në Kalanë e Tetovës, është mbushur me mbeturina nga më të ndryshmet, si me materiale ndërtimore dhe mbetje të tjera, që si pasojë, këtë pjesë të rrugës, e kanë shndërruar në një minideponi, shkruan gazeta KOHA. Sipas banorëve, kjo është papërgjegjësi institucionale, ndërsa sipas institucioneve, kjo është papërgjegjësi e qytetarëve dhe neglizhencës së inspektoratit komunal. Disa qytetarë të cilët shpesh kalojnë në këtë rrugë, të revoltuar apelojnë deri te institucionet kompetente që të ndërmarrin masa për pastrimin e mbeturinave në këtë rrugë.
“Kjo deponi nuk është prej sot apo prej dje, por me vite me radhë hidhen lloj-lloj mbeturinash. Ndonjëherë pastrohen, ndonjëherë nuk pastrohen dhe rrinë aty me muaj të tërë. Shpesh herë kemi kërkuar që të merren masa më të rrepta si ndaj atyre që hedhin, por edhe ndaj institucioneve që nuk e zgjidhin këtë problem që përsëritet çdo vit”, thotë Ekremi nja banorë i Tetovës. Nga Ndërmarrja publike komunale Tetova – Tetovë, thonë se edhe pse nuk e kanë për obligim ligjor pastrimin e materialeve të forta ndërtimore, megjithatë kjo ndërmarrje në të kaluarën ka realizuar aksione pastrimi në këtë pjesë të rrugës dhe e ka pastruar atë. Një aksion i tillë pritet që të ndërmerret edhe tani ku në tërësi do të pastrohen mbeturinat të cilat gjendet në atë pjesë të rrugës.
“Ndërmarrja publike komunale Tetova – Tetovë, përveç që vitin e kaluar ka realizuar një aksion normal, sërish do të ndërmarrë aksion pastrues edhe në këtë muaj. E kam cekur disa herë që kjo veprimtari nuk është në kuadër të ndërmarrjes dhe ndërmarrja nuk menaxhon me materialet ndërtimore inerte, nuk ka obligim ligjor për tërheqjen e tyre nga vendet ku ato hidhen, mirëpo ne me këtë po ballafaqohemi edhe brenda qytetit, ku këto materiale të forta po hidhen edhe brenda kontejnerëve. Ne gjithmonë kemi pasur gatishmëri që t’i pastrojmë ato për hir të asaj që të kemi një qytet më të pastër”, deklaroi për KOHA, drejtori i Ndërmarrjes publike komunale, Xhelal Ceka. Në ndërkohë, ai ka adresuar apel te qytetarët që të jenë më të kujdesshëm, por si edhe herave tjera, këto apele kanë hasur në vesh të shurdhër.
“Në këtë drejtim gjithmonë kam bërë apel që qytetarët të jenë më të kujdesshëm dhe të mos i hedhin këto material të forta në kontejner, për arsye se ka lokacione të caktuara ku mund t’i transportojnë. Pavarësisht gjithë kësaj, ne planifikojmë që të bëjmë pastrimin e rrugës e cila shpie për në Kalanë e Tetovës dhe në fshatin Sellcë. Sërish do të apelojë deri te qytetarët që të jenë më të kujdesshëm në hedhjen e mbeturinave, për arsye se përveç se dëmtojnë ndërmarrjen, ato dëmtojnë edhe veten e tyre, pasi që me hedhjen e mbeturinave vend e pa vend, ato zënë lumenjtë, rrugët dhe në përgjithësi prishin ambientin jetësor ku jetojnë”, tha Ceka.
Ndryshe qyteti i Tetovës tanimë për një kohë të gjatë po përballet me problemin e mbeturinave të cilat hidhen kudo që arrihet, duke krijuar edhe disa deponi të vogla si pasojë e mungesës së një deponie rajonale apo një stacioni riciklimi, ku do të grumbulloheshin këto mbeturina dhe të njëjtat do të ricikloheshin.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.