Rruga për në Gjermë në gjendje të mjerueshme

49

Nga Komuna e Tetovës kanë premtuar se kjo rrugë është në prioritetet e tyre dhe pritet që e njëjta të asfaltohet sa më shpejtë që është e mundur. Ndryshe, kjo rrugë fillon nga lagjja Drenoc në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë dhe përfundon në pjesën e lartë në dalje për në fshatin Gjermë

Urim HASIPI

Tetovë, 8 prill – Premtime dhe mosrealizime. Kështu shprehen banorët e lagjes Drenoc të Tetovës, të cilët përballen me një rrugë të dëmtuar dhe të parregulluar. Me këtë gjendje, banorët e kësaj zone përballen pothuajse çdo ditë, duke pritur se një ditë makineria për asfaltimin e rrugës do të shfaqet për të mbyllur njëherë e përgjithmonë këtë problem të tyre. Kësisoj, rruga që lidh lagjen e Drenocit me fshatin Gjermë të Tetovës vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme dhe me shumë dëmtime. Me asfalt të çarë dhe me shumë gropa, si dhe e papërshtatshme për qarkullim, kjo rrugë u shkakton shumë probleme qindra banorëve të këtyre dy vendbanimeve, të cilët frekuentojnë këtë rrugë çdo ditë. Banorët shprehen të revoltuar se pse është lënë në këtë gjendje kjo rrugë.

“Kjo rrugë kështu është vite me radhë, është dëmtuar shumë sepse nuk është mirëmbajtur. Kalojmë çdo ditë me automjetet tona dhe i dëmtojmë ato sepse ka shumë gropa dhe nuk është adekuate për qarkullim. Ne kemi punë çdo ditë në qytet dhe ndonjëherë kalojmë nga dy herë e më shumë, dhe jemi duke i prishur veturat tona. Gati se çdo vit i ndërroj amortizimet e veturës, sepse shkatërrohen dhe kjo na kushton shumë”, thonë banorë të kësaj zone.

Ata shprehen se janë të zhgënjyer me autoritetet e Komunës së Tetovës se kjo rrugë nuk është vendosur në prioritetet e saja për asfaltim. Sipas tyre, premtime ka patur por gjithçka ka mbetur në suaza të premtimeve, kurse në realitet nuk është bërë asgjë. “Kemi kërkuar vazhdimisht që kjo rrugë të rregullohet. Kemi marrë premtime për çdo vit se do të bëhet diçka, por siç e shihni nuk është bërë asnjë hap në këtë drejtim. Sërish kemi premtime se këtë vit do të asfaltohet dhe presim se çdo të bëhet”, thekson Lavdrimi, një banorë nga ky rajon.

Sipas banorëve, deri para gjashtë viteve rruga ka qenë e mirë, por pas fillimit të punëve për kanalizimin, rruga është dëmtuar dhe prej atëherë e këndej nuk është punuar aspak që e njëjta të rregullohet. Ata theksojnë se premtimet janë duke i marrë qe pesë vite me radhë se do të përmirësohet infrastruktura në këtë zonë, por deri më tash nuk është bërë asgjë, kurse rruga vazhdimisht dëmtohet dhe bëhet më e vështirë për qarkullim. Nga Komuna e Tetovës kanë premtuar se kjo rrugë është në prioritetet e tyre dhe pritet që e njëjta të asfaltohet sa më shpejtë që është e mundur. Ndryshe, kjo rrugë fillon nga lagjja Drenoc në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë dhe përfundon në pjesën e lartë në dalje për në fshatin Gjermë. (koha.mk)