Nga Festim POLLOZHANI
Para disa ditësh u mbajt Samiti i BE-së në Bruksel dhe porosia e kryetarit të Komisionit Evropian ishte mjaft e drejtpërdrejtë: “Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë të qartë evropiane”. Përveç kësaj, është vendosur një agjendë e re e Brukselit me qëllim që t’u tregojnë vendeve të Ballkanit se pavarësisht tensioneve eventuale etnike në rajon, vendet që do t’i realizojnë reformat do të jenë të mirëpritura t’i bashkohen familjes evropiane. Në fakt, deklaratat e BE-së shpesh duken si të përgjithshme, por shpeshherë dërgohen mesazhe mes rreshtash, dhe në këtë rast duhet nënkuptuar mesazhi se në qoftë se liderët e BE – së kanë vendosur një agjendë për Ballkanin Perëndimor, atë agjendë kanë për qëllim edhe ta realizojnë si përcaktim politik.
Është evident fakti se vendi me situatë politike më të tensionuar në Ballkan, për momentin është Maqedonia. Një demokraci e ngulfatur për një kohë të gjatë, solli pasojat e veta. Një demokraci e ngulfatur me nuanca të diskriminimit para së gjithash etnik, pastaj ngulfatja e sistemit, kapja e drejtësisë nga shteti, shkelja e të drejtave të njeriut, goditja e mediumeve me qëllim të informimit të njëanshëm, vendosja e figurave politike me “hipoteka” në pamundësi për të ndryshuar këtë situatë, në raste edhe për ta amortizuar atë, me qëllim që në sy të faktorit ndërkombëtar të rezultonte se gjithçka është në rregull dhe se situata politike në Maqedoni është stabile, gjendje kjo e cila u demaskua nga rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare, ku pati ndryshime drastike sa i takon “numrave politike”, gjegjësisht mandateve të fituara.
Konfuzioni në raport me interpretimin e Kushtetutës, se kujt i takon mandati për krijimin e qeverisë së re, i rriti edhe më tepër tensionet politike mes palëve, kësaj radhe mes vetë subjekteve politike maqedonase, tension ky që sërish tentohet të orientohet kah etnia e dytë më e madhe në vend, shqiptarët, kësaj radhe me arsyetimin e Platformës së përbashkët të partive politike shqiptare, duke e cilësuar atë si të rrezikshme për unitarizmin e Maqedonisë. Duhet thënë e vërteta se, pikërisht tendenca kushtetuese për të mbajtur një gjendje “de jure” që nuk përputhet me gjendjen “de facto” në Maqedoni ka qenë gjenerator i krizave, por edhe pakënaqësive megjithë përpjekjet maksimale për kamuflimin e situatës, nga lojtarët politik, shpesh herë të “hipotekuar” dhe të kapur nga shteti.
Por kësaj radhe situata u demaskua, kjo betejë e orientuar gjithmonë kah shqiptarët, u duk se ka evoluar në më shumë dimensione, gjë që ka sjellë tensione edhe mes vetë bllokut politik maqedonas. Loja politike për krijimin e qeverisë së re do të vazhdojë në mënyrë alternative pas refuzimit të dhënies së mandatit nga ana e presidentit, edhe pas mbledhjes së nënshkrimeve që sigurojnë shumicën parlamentare për krijimin e qeverisë së re. Përsëri faktor kyç janë shqiptarët, sepse pa “numrat politike shqiptare”, gjegjësisht mandatet e deputetëve shqiptarë, nuk mund të krijohet qeveria e re. Alternativa e dytë, e krijimit të shumicës parlamentare, me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e qeverisë së re duhet të ketë të veshur edhe garancën kushtetuese të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Maqedoni.
Shqiptarët kanë qenë gjithmonë faktor stabiliteti në Maqedoni, siç janë edhe në këtë moment të tensioneve politike. Duhet kuptuar fakti se është koha që shqiptarët ta marrin pjesën që iu takon natyrshëm si etni shtet formuese, në të gjitha sferat e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore në Maqedoni dhe kjo duhet të sjellë transformimin e Maqedonisë në një shtet dy etnik, stabil, që do ti mundësonte zhvillim permanent dhe mundësi për tu integruar në rajon, dhe më gjerë.
Përpjekjet për të krijuar përplasje ndëretnike janë vetëm tendencë për t’i ikur edhe njëherë përgjegjësisë, përpjekje për të ikur nga realiteti, një rrugë që nuk çon askund veçse në izolim, siç ka ndodhur deri tani, që evoluoi në një tensionim të situatës edhe mes vetë partive politike maqedonase. Një shtet i cili ka frikë t’i lejojë qytetarët e vetë ta gjykojnë të vërtetën dhe gënjeshtrën në një treg të hapur, është një shtet që ka frikë prej qytetarëve të tij (JFK).
Natyrisht se tensioni politik në Maqedoni, reflektohet edhe në shtetet fqinje, dhe një moment i eskalimit të situatës do reflektohej në të gjithë Ballkanin, kjo e kuptueshme nga vetë deklarata e shefes së diplomacisë evropiane pas vizitës në Ballkan se ka mjaftë sfida, të brendshme dhe rajonale, por edhe globale dhe për këtë duhet reaguar sa më shpejtë.
Dihet se të gjitha shtetet fqinje të Maqedonisë janë të orientuara kah integrimet euro – atlantike, në një kohë kur edhe Rusia mundohet ta rrisë ndikimin në rajon, por si lojtar alternativ, si lojtar që nuk ka kapacitet për të ofruar zgjidhje afatgjate, por vetëm të pamundësojë gjetjen e një zgjidhjeje me qëllim të mbajtjes pezull të situatës, dhe pasigurisë në Ballkanin Perëndimor. Nga ana tjetër dihet ndikimi i Bashkimit Evropian, sidomos në aspektin ekonomik (çfarë do të ndodhte nëse për një moment BE vendos të ngrijë mbështetjen ekonomike?!), për më tepër që pas Samitit të Brukselit të mbajtur së fundmi u paralajmëruan vizita më të shpeshta të zyrtarëve të Bashkimit Evropian me qëllim të ruajtjes së kontinuitetit në rrugën e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, ku bën pjesë edhe Maqedonia. (koha.mk)