Projekti për hapjen e kësaj rrugë është inicuar në nëntor të vitit 2016, por e njëjta nuk filloi të ndërtohet në vitin 2017, ndërsa më pas u ndryshua karakteri i kësaj rruge dhe sërish nuk filloi të ndërtohet
Urim HASIPI
Tetovë, 13 shkurt – Hapja e rrugës së re e cila është inicuar nga Komuna e Tearcës, Komuna e Zhelinës dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore nga fshati Neproshten për në rrugën regjionale Tetovë-Trebosh, nuk do të ketë karakter të rrugës lokale, por pritet të jetë rrugë regjionale, shkruan gazeta KOHA. Projekti për hapjen e kësaj rrugë është inicuar në nëntor të vitit 2016, por e njëjta nuk filloi të ndërtohet në vitin 2017. Më pas u ndryshua karakteri i kësaj rruge respektivisht në vitin 2018 dhe sërish nuk filloi të ndërtohet.
Tanimë kompetencat për ndërtimin e kësaj rruge i ka marrë pushteti qendror. Këtë e ka konfirmuar edhe vet kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani. “Projekti bazë ka qenë që kjo rrugë të jetë rrugë lokale, por më pas ky projekt është bartur tek pushteti qendror dhe tashmë përgjegjësinë e kanë Agjencia për Rrugë Shtetërore, nga Neproshteni deri tek Zona e Lirë Ekonomike me standarde të rrugëve regjionale”, tha Asani. Ai thotë se me ndërtimin e kësaj rruge, do të shkarkohet trafiku në rrugën regjionale Tetovë-Jazhincë.
“Ndërtimi i kësaj rruge do të thotë se me automatizëm do të bëhet shkarkimi i trafikut në qytetin urban të Tetovës dhe do të shkurtojë kohën për të arritur në Tetovë. Por njëkohësisht ata që do të udhëtojnë drejt Shkupit, nuk do të duhet të frekuentojnë qytetin e Tetovës, por përmes kësaj rruge do të shmangin kaosin në hyrje të Tetovë prej nga Jazhinca”, thotë Asani. Në ndërkohë, gati se një kohë të gjatë – në rrugën Tetovë-Jazhincë, është dyfishuar frekuentimi i automjeteve. Si pasojë e kësaj, janë rritur edhe aksidentet. Sipas policisë së Tetovës, arsyet më e shpeshta për numrin më të madh të aksidenteve në këtë rrugë është mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, gjegjësisht vozitja e shpejtë, mos respektimi i sinjalistikës rrugore, stërngarkimi i rrugës për shkak të rritjes së fluksit të automjeteve që qarkullojnë në këtë rrugë, sidomos në muajt e verës,por edhe për shkak të dëmtimit të rrugëve në shumë pjesë të saj.
“Si rezultat, në këtë rrugë janë regjistruar shumë dalje nga rruga, të cilat jo rrallë herë janë shoqëruar edhe me rrokullisjen e automjeteve, ndeshje, por ka pasur raste kur kanë pësuar edhe këmbësorët, çiklistët dhe motoçiklistët. Përveç kësaj, aksidentet në këtë periudhë kohore kanë ndodhur edhe për shkak të veprimeve jo të ndërgjegjshme, gjegjësisht të pahijshme të drejtuesve të makinave, si parakalimet jo të rregullta, mosmbajtja e distancës e kështu me radhë. Policia kërkon që vozitësit të përshtatin shpejtësinë e me kushtet në rrugë”, thonë nga Policia e Tetovës. Hapja e kësaj rruge të re edhe sipas banorëve do të shkarkonte dhe lehtësonte rrugën regjionale Tetovë-Jazhincë sidomos në pjesën prej fshatit Xhepçisht deri në Tetovë, e cila pjesë e këtij aksi rrugor është tejet e stërngarkuar.
Po ashtu, automjetet e rënda shfrytëzojnë rrugët e brendshme të qytetit të Tetovës tranzit për t`iu bashkangjitur aksit rrugorë Tetovë-Jazhincë. Si rrugë shfrytëzohet, nga hyrja tek ish Monopoli dhe më pas vijon në bulevardin “Bllagoja Toska”, për të dalur tek stadium i qytetit. Me këtë rast, në vit regjistrohen nga dy e më shumë viktima kryesisht këmbësorë pikërisht të aksidentuar nga automjetet e rënda që qarkullojnë në këtë rrugë. Krahas viktimave, po ashtu edhe komunikacioni stërngarkohet dhe këta rrugë bëhen të palëvizshme nga numri i madh i automjeteve, kur dihet se kjo është rrugë e vetme kaluese për kamionët. (koha.mk)