Kumanovë, 3 tetor – Që kur para katër viteve në rrugën e fshatit Ramanli të Kumanovës, e cila është e gjatë më shumë se dy kilometra, nga ana e institucioneve kompetente të Komunës së Kumanovës janë larguar, gjegjësisht hequr nga rruga të ashtuquajturit “policë të shtrirë”, të cilat deri atëherë për banorët ishin garanci kryesore për sigurinë e tyre personale, në rrugë janë shpeshtuar aksidentet e komunikacionit në të cilat viktimat më të shpeshta janë këmbësorët, banorë të fshatit, shkruan gazeta KOHA. Kështu, për shkak të frekuencës së madhe të makinave nga qyteti i Kumanovës, të cilat për shkak të shmangies së pagesës rrugore në afërsi të fshatit Ramanli, në katër vitet e fundit rruga e fshatit është shndërruar në rrugë rajonale, nëpër të cilën kë ditë në të dyja kahjet kalojnë mijëra makina që vetvetiu për banorët e fshatit paraqet rrezik potencial për jetën e tyre, ndërsa nga ana tjetër, në masë të madhe ndotet ajri dhe ambienti në fshat. Si rezultat i dislokimit të “policëve të shtrirë” nga rruga e fshatit, por edhe më shumë nga frekuenca e shtuar e makinave, të cilat çdo ditë kalojnë nëpër fshat – gjatë katër viteve të fundit në rrugë kanë ndodhur madje gjashtëmbëdhjetë aksidente prej të cilave dy kanë përfunduar me lëndime të mëdha trupore ndaj banorëve të fshatit. Për të zgjidhur për çdo herë problemin ekzistues me rrugën e fshatit, banorët e fshatit pas përfundimit të zgjedhjeve lokale nga pushteti lokal i Kumanovës do të kërkojnë kthimin e serishëm të “policëve të shtrirë”, me të cilët do të mbroheshin nga aksidentet eventuale të komunikacionit, të cilat ndonjëherë dinë të jenë edhe me pasoja katastrofike dhe të padëshirueshme për shëndetin dhe jetën e banorëve të fshatit. Banorët ankohen se më të rrezikuar janë fëmijët të cilët ndjekin shkollën, sepse përveç ngushtësisë së rrugës, komunikacioni është tepër i dendur sidomos nga makinat që i ikin autosradës për shkak të pagesës rrugore. (koha.mk)