Për më shumë se një muaj do të mbetet e bllokuar rruga regjionale Kaçanik-Hani i Elezit si pasojë e rrezikut nga rrëshqitja e dheut dhe gurëve. Ministria e Infrastrukturës pas mbylljes së këtij aksi rrugor të martën nga ora 10:00, menjëherë ka nisur përgatitjen për fillimin e punimeve në mënyrë që një pjesë e kodrës të rrafshohet. Zyrtarët e kësaj ministrie, të martën, kanë treguar edhe për rrugët alternative të cilat mund t’i ndjekin vozitësit. Qemajl Jonuzi, menaxher i projekteve në Ministrinë e Infrastrukturës, ka deklaruar se qytetarët nga Kaçaniku për në qytezën e Hanit të Elezit, mund të lëvizin vetëm me vetura të vogla nëpërmjet rrugëve alternative nga fusha e pajtimit në drejtim të Glloboqicës, ndërkaq automjetet transportuese mund të kalojnë në Hanin e Elezit vetëm nëpërmjet rrugës për Tetovë. “Këtu bëhet fjalë për mbyllje mujore të këtij aksi rrugor derisa dheu i kodrës të largohet dhe të stabilizohet gjendja, sepse edhe në të kaluarën ka pasur rrëshqitje të dheut dhe shembje të gurëve në këtë pjesë të magjistrales. Do të bëhet një zgjidhje përfundimtare për parandalimin e rrëshqitjes së dheut dhe gurëve, andaj në vend të ngjarjes vazhdimisht do të qëndrojnë edhe Policia e Kosovës për t’i orientuar vozitësit”, ka thënë Jonuzi.