“I jam shumë mirënjohës familjes Renneke dhe jam i lumtur që kam takuar njerëz aq të shkëlqyeshëm. Ata më kanë përkrahur për të kthyer mbiemrin e parë dhe janë shumë të lumtur për mua”, kishte thënë Bashkimi në mars të vitit të kaluar kur ktheu mbiemrin Ajdini
Me mbiemrin Renneke ka kaluar rangjet e futbollit gjerman. Tani është në Bundesliga 2 dhe ka kthyer mbiemrin e vërtetë – Ajdini. Bashkim Ajdini po luan me shumë sukses për skuadrën Osnabrueck në Bundesliga 2 të Gjermanisë. Synim e ka të luajë në Bundesligë, por edhe në Bundesliga 2 është sukses i madh për të, marrë për bazë pengesat që kishte në karrierë. Mbiemri që e ka mbajtur për kohë të gjatë, Renneke, ka të bëjë me këtë, transmeton Koha Ditore.
Bashkimi është nga Tërnoci i Luginës së Preshevës, ndërsa është i lindur në Halmstad të Suedisë. Në moshë të re, së bashku me familjen, u vendos në Gjermani. Familja Ajdini nuk ia doli të sigurojë leje për qëndrim në Gjermani dhe në vitin 2003, pas dhjetë vjetësh në shtetin gjerman, u kthye në Tërnoc. Por Bashkimi bëri edhe një lëvizje në drejtim të Gjermanisë, në prill të 2004-s. Këtë herë i vetëm, jo me familje. Këtë ia mundësoi familja gjermane Renneke, që e adoptoi dhe e rriti. Ai u bë pjesë e familjes Renneke dhe mori këtë mbiemër. Vitin e kaluar, në moshën 26-vjeçare, ai vendosi ta kthejë mbiemrin e vërtetë, atë Ajdini.
“I jam shumë mirënjohës familjes Renneke dhe jam i lumtur që kam takuar njerëz aq të shkëlqyeshëm. Ata më kanë përkrahur për të kthyer mbiemrin e parë dhe janë shumë të lumtur për mua”, kishte thënë Bashkimi në mars të vitit të kaluar kur ktheu mbiemrin Ajdini. Atëherë luante në kategorinë e tretë gjermane, tani po luan një nivel më lart. Ai mbulon pozitën e mbrojtësit të djathtë. Në pesë ndeshjet e para të edicionit ka munguar për shkak të një lëndimi, ndërsa prej xhiros së gjashtë luan rregullisht. I ka kompletuar thuajse të gjitha 16 ndeshjet. Së fundi ka kontribuar për Osnabrueckun me dy gola e një asistim. Në Bundesliga 2 luajnë edhe disa reprezentues të Kosovës. Vlerësohet të jetë kategoria e dytë më e fortë në Evropë dhe për nga cilësia rivalizon edhe shumë kampionate mesatare evropiane.
NDIHMA E FAMILJES GJERMANE
Ajdini nuk e ka pasur të lehtë të arrijë në Bundesliga 2. Përkundrazi. Për shumë e shumë vite ka jetuar larg familjes së vërtetë të tij. Është rritur larg prindërve. Kjo e ka forcuar, e ka bërë të durueshëm dhe modest. Nënës së tij i ishte lejuar vizita në Gjermani për herë të parë nëntë vjet pasi familja Ajdini ishte larguar nga ky vend…