Nga Agjencia për rrugë Shtetërore kanë konfirmuar për gazetën Koha se rruga e Shipkovicës shumë shpejt do të asfaltohet
Urim HASIPI
Tetovë, 19 prill – Një kohë të gjatë, banorët e Shipkovicës kërkojnë rregullimin e rrugës në fshatin e tyre. Rruga në këtë vendbanim të Malësisë së Tetovës është dëmtuar shumë kohëve të fundit pasi e njëjta shfrytëzohet për frekuentim edhe nga banorët e fshatrave Brodec, Veshallë dhe Bozovcë. Mirëpo, në pjesën e fshatit Shipkovicë – rruga është e dëmtuar sidomos pas vërshimeve të vitit 2015 dhe 2017. Banorë janë shprehur se kërkesa për asfaltimin e rrugës daton që moti, por deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë konkrete nga autoritetet përgjegjëse. Në disa raste, banorët e këtij fshati vetë kanë ndërmarrë iniciativë për të mbuluar gropat dhe dëmtimet e rrugës. Sipas tyre, premtime ka patur çdo herë, por punë konkrete nuk është bërë.
“Vet i kemi mbuluar disa gropa, sepse askush nuk ka ardhur të kujdeset për infrastrukturën e këtij fshati. Nga hyrja kryesore në fshat e deri në dalje në të drejtim të fshatit Brodec rruga gjithkund është e dëmtuar, e prishur dhe me gropa prandaj disa herë kemi intervenuar për sanimin e tyre, por sërish dëmtohen”, thonë banorë të fshatit Shipkovicë. Nga Agjencia për Rrugë Shtetërore kanë konfirmuar për gazetën Koha se rruga e Shipkovicës shumë shpejt do të asfaltohet, ndërsa mjetet tashmë janë ndarë. “Për këtë qëllim janë ndarë 30 milionë denarë dhe punët do të fillojnë shumë shpejt”, thekson drejtori i Agjencisë për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi. Krahas kësaj, nga kjo agjenci pohojnë se janë ndarë 20 milionë denarë për asfaltimin e rrugës Tetovë-Bërvenicë.
“Për këtë rrugë janë ndarë 20 milionë denarë dhe që përfshin rrugën në dalje të Tetovës për në Bërvenicë dhe po ashtu daljen nga Tetova për në Gostivar. Krahas kësaj, po ashtu është përfshirë edhe një pjesë e hyrjes në Tetovë nga autostrada Shkup-Tetovë- Gostivar. Punët kanë filluar për këtë pjesë të Tetovës dhe shpresojmë sa më shpejt të fillohet edhe me asfaltimin”, shprehet drejtori Rrustemi. Edhe për këto pjesë të rrugëve të Tetovës, një kohë të gjatë banorët e Tetovës kanë kërkuar asfaltimin e tyre sidomos hyrje daljet e Tetovës nga pjesa e Gostivarit që ishin lënë në harresë dhe të dëmtuara. Por krahas që janë të dëmtuara – këto rrugë kanë një frekuentim të madh të automjeteve dhe një ndër vërejtjet e qytetarëve të Tetovës është që punët e filluara të përfundojnë sa më shpejt, ngase pasi është gërryer asfalti – tashmë dëmtohen automjetet dhe prandaj apelohet që të fillohet sa më shpejtë me asfaltimin. (koha.mk)