Rruga e re kineze pëson të çara

331

Sa më shumë fuqizimi i Kinës has në realitetin e ashpër, aq më pak tërheqës bëhet Pekini. Por për ta mbajtur atë nën kontroll duhen koordinuar përpjekjet dhe qëndrimi i Gjermanisë pas zgjedhjeve mund të jetë vendimtar

Nga Clifford COONAN

Në Rrugën e re të Mëndafshit, si projekti prestigjoz i Kinës po shfaqen të çara. I nisur në vitin 2015, si projekti më i rëndësishëm i politikës së jashtme të Presidentit kinez Xi Jinping, ai u prit mirë nga vendet e interesuara të përfitonin nga globalizimi kinez. Që nga ajo kohë qëndrimi ndaj Kinës është ashpërsuar, veçanërisht në disa vende demokratike. Entuziazmi ndërkombëtar për projektin e preferuar të Xi-së ra kur u morr vesh për 1 milionë ujgurët që mbahen në kampet e riedukimit dhe për punëtorët me punë të detyruar në Xinjiang, kur filloi të pyetet seriozisht për mënyrën se si e trajton Kina virusin e Coronës dhe origjinën e tij, dhe kur u panë përpjekjet e Pekinit për të minuar demokracinë në Hong Kong.

Vendet perëndimore janë inkurajuar nga riorientimi që Presidenti i SHBA-së Joe Biden u ka bërë marrëdhënieve të politikës së jashtme, gjë që pasoi kaosin dhe përçarjen e periudhës së Donald Trumpit. Administrata e Bidenit po flet për rritjen e agresionit kinez dhe është duke kërkuar krijimin e aleancave me Europën dhe aleatët e tjerë tradicionalë.

Kryesimin e vendeve që po bëjnë prapaktheu e mban Australia, kryeministri Scott Morrison i së cilës tha se nuk mendon se Rruga e re e Mëndafshit “është në përputhje me interesat kombëtare të Australisë”. Marrëdhëniet midis Kanberras dhe partnerit më të madh tregtar janë prishur, që kur Morrison i bëri thirrje Pekinit të lejojë hetime të pavarura në Wuhan, për të bërë prova për origjinën e virusit Corona. Megjithë marrëveshjen e tregtisë së lirë dhe një mori marrëveshjesh të tjera tregtare, Kina vendosi sanksione tregtare ndaj mallrave australiane si qymyri, vera dhe elbi. Nga ana e saj, Australia është duke parë nëse mund të detyrojë firmën kineze Landbridge të shesë kontratën e qirasë që ka me portin e rëndësisë strategjike, Portin e Darvinit, i cili përdoret nga marina amerikane, një hap që mund të rrisë edhe më tej tensionet midis Australisë dhe Pekinit. Një ton i ngjashëm zëri vjen edhe nga Zelanda e Re, ku kryeministrja Jacinda Ardern tregon sa “e vështirë është bërë të arrihen marrëveshje” me Kinën, për shkak të pikëpamjeve sistematikisht të ndryshme.

MOS E TRAZONI KINËN

Kur zhvillojnë bisedime me udhëheqësit e Partisë autoritare Komuniste të Pekinit, liderët botërorë si dhe menaxherët janë mësuar të jenë verbalisht të zhdërvjellët, ose të mos flasin fare. Balancimi nga njëra anë i nevojës për ta mbajtur Kinën të patrazuar për shkak të fuqisë së saj ekonomike dhe nga ana tjetër i nevojës për t’i qëndruar besnik vlerave dhe parimeve demokratike, është kthyer në çelësin e sfidës gjeopolitike. Bashkimi Europian nuk duhet të përkulet vazhdimisht para kërkesave kineze, por duhet të kuptojë fuqinë që ka në konkurrencë dhe inovacione.

Kina është partneri më i madh i BE-së me një volum tregtar në vitin 2020 prej 686 miliardë dollarësh (570 miliardë euro). Në muajin dhjetor kancelarja gjermane Angela Merkel, kryesoi BE-në për nënshkrimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të investimeve, midis BE dhe Kinës. Për Merkelin kjo marrëveshje është më e rëndësishme se sa projekti i Rrugës së Mëndafshit, të Xi Jinpingut. Nënshkrimi i saj ka qenë pika kulmore në marrëdhëniet midis Kinës dhe BE-së. Ndërkohë, marrëdhëniet janë përkeqësuar që kur u mor vesh për punën e detyruar në Xinjiang dhe për rritjen e presionit të Kinës ndaj Hong Kongut. BE e pa veten të detyruar të koordinojë vendosjen e sanksioneve ndaj katër zyrtarëve kinezë, për kampet e internimit të ujgurëve. Pekini u përgjigj menjëherë duke venë në shënjestër dhjetë persona, përfshirë studiuesin gjerman Adrian Zenz, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në zbulimin e kampit të punës së detyruar në Xinjiang.

EUROPA NDËRMERR HAPA KUNDËR BLERJES SË FIRMAVE

Çështja më e rëndësishme mes të tjerave është se pandemia e COVID-19 ka shkatërruar ekonominë dhe ka shkaktuar rënien e vlerës së firmave europiane në bursë, duke i bërë ato të dobëta para përpjekjeve për blerje nga Kina. Gjigandët europianë si Franca, Italia dhe Gjermania janë të detyruar të veprojnë. Ata shtuan forcat për të bllokuar blerjen nga jashtë të aseteve europiane me vlerë. Në vitin 2019, Italia shkaktoi tronditje të madhe kur u bë vendi i parë mes vendeve të G7-ës që mbështeste me entuziazëm Nismën e re të Rrugës së Mëndafshit (Brezi dhe Rruga). Që nga ajo kohë qeveria e Mario Draghit ka marrë kthesën, duke bllokuar blerjet e planifikuara të firmave italiane, sidomos blerjen nga kompania kineze FAW të koncernit Iveco, që prodhon kamionë dhe autobusë dhe e ka qendrën në Torino.

Pavarësisht kësaj sprapsjeje, shumë ekspertë mendojnë se përpjekjet duhet të koordinohen më mirë. BE duhet të jetë më strategjike lidhur me projektet kineze që ka para derës së shtëpisë. Qasja që ka pasur Angela Merkel ka qenë përsëritja e thirrjeve për zhvillimin e dialogut në çështjet e të drejtave të njeriut. Urtësia e pranuar prej kohësh ka qenë, që industria gjermane të veprojë në zonë me vlera të lira, duke u fokusuar eksluzivisht në linjat kryesore dhe përsëritjen e formulës: arritje ndryshimesh nëpërmjet tregtisë. Por firmat gjermane janë të ndërgjegjshme për ndryshimet e realiteteve politike dhe ekonomike në Kinë. Shpresat që Kina të bëhet më liberale dhe partnere më e mirë globale, nuk janë vënë në jetë.

ÇFARË DO TË BËJNË TË GJELBËRIT?

Ndryshimi më i madh mund të ndodhë kur Merkel të largohet nga pushteti. Sondazhet në Gjermani tregojnë se „Të Gjelbërit” kanë marrë rrugën për të luajtur një rol të konsiderueshëm pas zgjedhjeve të shtatorit. Kandidatja e tyre për t‘u bërë kancelare, Annalena Baerbock, mban një linjë të ashpër dhe ka akuzuar Merkelin për mbajtjen e qëndrimit pasiv ndaj Kinës. Të drejtat e njeriut duhet të luajnë rol më të rëndësishëm në marrëdhëniet e europianëve me Kinën, thotë ajo. Përkulja para presionit të Partisë Komuniste do të ketë efekte katastrofike afatgjata për kompanitë europiane. Si mund të konkurrojnë fimat europiane me ato kineze, të cilat përdorin punën e detyruar në fabrikat e pambukut dhe prodhojnë makina me subvencione të mëdha shtetërore, duke përdorur teknologjinë e transferuar nga markat kryesore të Perëndimit?

Kompanitë europiane duhet të vazhdojnë të luajnë me rregullat e tyre, të cilat janë edhe norma globale. Reformat e ngadalta dhe mungesa e kushteve për të bërë konkurrencë të ndershme përbëjnë kërcënim serioz për aftësinë e të bërit biznes me Kinën. Kina duhet të reformohet dhe të kthehet në lojtar më të mirë global, nëse do vërtet që të hyjë në konkurencë, pavarësisht sa i madh dhe joshës mund të jetë tregu. (DW)