Paralajmërimet dhe premtimet se kjo rrugë do të rikonstruohet janë zvarritur vit pas vit. Për dallim nga rrugët tjera në kryeqytet njohësit e zhvillimeve, por edhe vetë qytetarët që punojnë dhe gravitojnë në këtë pjesë janë të vetëdijshëm se zgjerimi sipas standardeve ligjore të kësaj rruge nuk mundet të bëhet për shkak të numrit të madh të madh të objekteve të ndërtuara. Ndërkohë, gjendja në teren lejon vetëm ndërtimin e minimum të dy korsive të reja dhe zëvendësimin e asfaltit ekzistues të dëmtuara nga qarkullimi i automjeteve të rënda
Omer XHAFERI
Shkup, 3 dhjetor – Me qëllim përmirësimin e infrastrukturës rrugore, gjatë viteve të kaluara shumë bulevarde dhe rrugë kryesore u restauruan në Shkup. Mirëpo, njëra prej pikave më problematike në krijimin e kaosit në komunikacion e kryqendrës , pa dyshimin vazhdon të mbetet bulevardi “Nikolla Karev” ndryshe i njohura si “Rruga e Plastikëve”, shkruan gazeta KOHA.
Paralajmërimet dhe premtimet se kjo rrugë do të rikonstruohet janë zvarritur vit pas vit. Për dallim nga rrugët tjera në kryeqytet njohësit e zhvillimeve, por edhe vetë qytetarët që punojnë dhe gravitojnë në këtë pjesë janë të vetëdijshëm se zgjerimi sipas standardeve ligjore të kësaj rruge nuk mundet të bëhet për shkak të numrit të madh të madh të objekteve të ndërtuara. Ndërkohë, gjendja në teren lejon vetëm ndërtimin e minimum të dy korsive të reja dhe zëvendësimin e asfaltit ekzistues të dëmtuara nga qarkullimi i automjeteve të rënda. Mbase bulevardi në fjalë shtrihet nëpër më shumë komuna të Shkupit, së fundmi kryetari Petre Shilegov, e ka prezantuar fizibiliti studimin dhe projektin ideor për ndërtimin e “Nikolla Karevit” në pjesën industriale të Vizbegut.
Në arsyetimin e këtij studimi nga Qyteti i Shkupit kanë theksuar se kjo rrugë, (magjistrale) e cila lidhet me pikën kufitare në Bllacë, paraqet lidhje të rëndësishme për rrjedhën e komunikacionit në Shkup. Njëkohësisht për gazetën KOHA, nga Qyteti i Shkupit kanë folur edhe për statusin e “Rrugës së Plastikave”, por pa precizuar se kjo çështje do të zgjidhjet apo jo gjatë vitit 2019.
“Deri më tani nuk ekzistonte asnjë zgjidhje e përshtatshme për komunikacionin përskaj bulevardit Nikolla Karev në pjesën e Vizbegut. Për këtë arsye ne kemi porositur një studim të mirëfilltë, i cili pas pranimit të tij do të filloj edhe procedura për projektimin dhe realizimin e tij. Për fat të keq për pjesën e ‘Rrugës së Plastikave’ nuk ekziston dokumentacionin kualitativ dhe nuk është realizuar procedurë e duhur për realizimin e shpejtë të saj. Ne si administratë do të vazhdojmë me projektet për zgjerimin e rrugës ‘Nikolla Karev’. Besojmë se studimi i publikuar është një nismë fillestare për përmirësimin e komunikacionin ë Shkup, si dhe zgjidhjen e kaosit në pjesën e plastikëve”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Temën për “Rrugën e Plastikave”, po thuajse në çdo seancë për pyetjet e të këshilltarëve në Kuvendin e Qytetit të Shkupit e kanë iniciuar Koordinatorët e grupeve të këshilltarëve nga BDI dhe Lëvizja Besa. Kësisoj Besnik Ajeti nga BDI, për gazetën KOHA, thotë se javëve në vazhdim pritet të dihet se cila projekte kapitale do të investohen në Çair, duke theksuar se përveç rrugëve, problem jetik i qytetarëve të pjesës së vjetër të Shkupit është edhe mungesa e vendeve për parkim.
“Qëndrimi ynë është se me krijimin e vendeve të reja për parkim, në Rrugën e Plastikave, në Bit Pazar apo Çairçanjë në masë të madhe do të zgjidhet problemi me kaosin në komunikacion, përfshi edhe pjesën e bulevardit Nikolla Karev. Njëherit masë tjetër e cila pritet ta reduktojë ngarkesën e Rrugës së Plastikëve është projekti për hapjen e tuneleve nën Kala, i cili është në fazë të përgatitjes së dokumentacioni”, tha Ajeti.
Ndryshe, Senad Ramadani nga Lëvizja Besa, shprehet i zhgënjyer se si administrata e Qyteti të Shkupit deri më tani nuk ka arritur ta përgatis dhe t’ua dorëzoj Propozim-buxhetin për vitin 2019. Me propozime dhe ide konkrete për projektet kapitale në pjesën e Çairit dhe Sarajit, siç thotë Ramadani, ata do të dalin pasi t’ju dorëzohet Propozim-buxheti i Qytetit të Shkupit për vitin 2019.
“Deri më tani nuk është hapur asnjë lloj debati apo diskutimi për të parashtruar ndonjë iniciativ (kërkesë) për projekte kapitale. Pavarësisht mos koordinimit të drejtuesve të Qytetit të Shkupit me opozitën, ne gjatë periudhës së kaluar kemi ngritur zërin për shumë kërkesa të shqiptarëve, qoftë për në Saraj apo Çair. Ndërtimi i Rrugës e Plastikave dhe mungesa e parkingjeve në këtë pjesë të Shkupit doemos të bëhen”, tha Ramadani.
Sidoqoftë, në kohë kur autoritet lokale mendojnë dhe analizojnë për zgjerimin (restaurimin) e Rrugës së Plastikave, shërbimet e karrotrecit nga Ndërmarrja Publike “Parkingjet e Qytetit”, drejtori kjo e Qyteti të Shkupit, vazhdojnë me mbledhjen e veturave që janë parkuar në vende të ndaluara në bulevardin e apostrofuar. Këto aksione ndonëse një pjesë e qytetarëve i arsyetojnë, një pjesë tjetër kërkojnë ofrimin e zgjidhjes (alternativës) për parkim dhe në këtë mënyrë t’ju ikin gjobave. (koha.mk)