Hashim Thaçi, me gjithë kontroversat e veprimit të tij që ia përshkruajnë oponentët, në një gjë ka të drejtë: subjektet shqiptare duhet të ndërtojnë marrëdhënie institucionale…Për fat të keq, pikërisht muajin e fundit, ky bashkëpunim institucional pësoi kolaps total
Nga Daut DAUTI
As armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve, ata të cilët punojnë natë e ditë kundër tyre(uji fle, armiku s’fle), nuk do të kishin besuar se do të vijë një ditë që shqiptarët do t’i shohin kaq të çorientuar dhe çakorduar!
SI NË TEATËR ABSURDI
Shqiptarët, të cilët kanë gojën plot unitet, kaq jounikë kundrejt gjithë atyre sfidave ku uniteti është më se i domosdoshëm! Këtë s’kanë mundur ta paramendojnë as Zerva, as Rankoviqi, as Millosheviqi, me gjithë Sheshelin e Vuçiqin bashkë? Po të ishte kjo situatë rezultat i “propagandave armiqësore”, do të ishte e kuptueshme, se, helbete, të gjithë janë prej mishi e gjaku, dhe mund të biem pre e tyre. Por, nëse shikojmë veprimet e përfaqësuesve më të lartë politikë, sidomos në Kosovë dhe Shqipëri, ata duken fytyra sikur të skalitur për ndonjë teatër absurdi që vetë i kanë të gjitha meritat!
Sepse, kaq shumë destruktivitet brenda një kohe të shkurtër, nuk kemi parë, kaq shumë armiqësi midis tyre, sa të pyesim vallë mund të jetë e mundur kjo, nuk është normale në asnjë pluralizëm ku mund të ketë edhe këso animozitetesh. Për të qenë më keq, e gjithë kjo, shkon në gojë të ujkut kur të dëgjosh nga ndonjë Daçiq ose Sheshel të vjen inati: shqiptarët nuk kanë kapacitete shtetformuese!
A thua aq “baksuz” ishte ai samit i pritjeve të mëdha(i Berlinit), i cili papritmas u shndërrua në Uaterlo të politikbërjes shqiptare, ku më së miri u pa se ç’do të thotë një popull të përfaqësohet nga më shumë bajraktarë kryeneçë si në do kohëra të tjera! Mirë kishte vërejtur një analiste kosovare: delegacioni serb kishte shkuar bashkë, ndërkaq kryetari dhe kryeministri i Kosovës kishin shkuar ndaras dhe marshuta të ndryshme! Aty, pastaj, kishin vazhduar historinë e tyre të thumbit e patkoit. Sepse, para Samitit të Berlinit ka pasur zëra disonantë midis aktorëve politikë shqiptarë, po jo animozitet gjer në armiqësim. E kemi ditur se Hashimi preferon
“përkufizimin” dhe Ramushi nuk lejon “ndarjen”, se Hashimi kërkon pezullim të taksës ndaj mallrave të Serbisë dhe Ramushi as po ta përbente Klintoni, e lere më Trampi, nuk lëshon pe, si një fëmijë kokëfortë i cili ngul këmbët të sfidojë të gjithë, mandej edhe vetveten, duke menduar se e gjithë bota është kundër tij. Por, ai ka dhe ndoshta përllogaritë e veta tejtërfare, jo veç interesin e Kosovës, sepse është në një vit kur duhet treguar muskuj që nevojiten për elektorat. Sepse, nuk mund të hyjë në zgjedhjet që do të vijnë me pretendimet që të jetë prapë partia e katërt! Nuk përsëritet më që si lider i partisë së katërt të bëhet kryeministër.
E kemi ditur edhe më parë, por pas Samitit të Berlinit, u kuptua më fortë, se për të vazhduar dialogun me Serbinë për një marrëveshje finale, gjithë aktorët relevantë botërorë, bashkë me Edi Ramën, janë për pezullim të përkohshëm të taksës, nëse duhet të vazhdohet dialogu me Serbinë. E dimë se Ramushi ka ngulur këmbë të mos e heqë por se nuk do t’i dëgjojë as sugjerimet qëllimmira të Merkelit dhe Makronit, me të cilat politika kosovare do të avanconte dhe mbyllte gojën Serbisë, nuk na e ka marrë mendja. Për më tepër, nuk na e mori mendja as se një deklaratë beninje e tij se të vetët(Hashim Thaçi dhe Edi Rama) i kanë bërë presion më shumë se Makron e Angela Merkel, do të bëjë tërmet që gjithçka të marrë teposhtëzën në raportet ndërshqiptare. Tash më nuk dihet a ka mbetur ndonjë politikan shqiptar të mos jetë i përshirë në këtë çrregullim të përgjithshëm!
Por, duhet thënë haptas se skena politike e Kosovës prej kohësh është shndërruar në teatër absurdi. Sepse, vetëm në një teatër absurdi, mund të ishte normale që kryetari i shtetit të ketë një politikë shtetërore dhe kryeministri tjetër. Kjo disi edhe do të ishte normale, sikur edhe njëri edhe tjetri, të mos ishin pjesë e pakos së ndarjes së pozitave si koalicion. Pikërisht për shkak të asaj ndarje, mund të ndodhte që kryeministri të bëhet nga partia e katërt. Në rastin konkret, u bë e mundur, për t’u bërë patericë për shpëtimin e PDK-së me koalicion, që me çdo kusht e deshi pushtetin, e cila pa Aleancën e Ramushit do të mbetej në opozitë, sepse si parti në vete, PDK-ja ishte e treta. Por, edhe pse ka qe dy vjet të plota që janë në koalicion, partia e Ramushit dhe Hashimit, ata me njëri tjetrin sillen sikur të jenë në opozitë, që është një situatë tjetër absurdi.
Kokëfortësia e Ramushit deri në sfidim të qendrave ndërkombëtare të vendosjes, nuk do mend se e ka dobësuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, duke rezultuar edhe me tërheqjen e disa vendeve nga njohja dhe pozitat negociuese. Nuk është më në pyetje nëse e meriton Serbia një qëndrim të fortë, sepse kaherë e ka merituar, por sa vendimi për taksën i shërben Kosovës, e sa Serbisë, sepse duket se kjo e dyta e ka rikuperuar pozitën e vet ndërkombëtare pikërisht falë vendimit të Qeverisë. Tjetri absurd është se vetëm Ramushi e mbron taksën edhe me kusht të dobësimit të pozitës së Kosovës, sepse aktorët tjerë, Hashimi dhe Kadri Veseli, kur iu duhen thonë se duet të hiqet ose pezullohet, kurse pas ndonjë dite, poashtu e mbrojnë, ndonëse në deklaratat pas Samitit të Berlinit, u mor vesh se kryetari i Kosovës i sugjeruar kryeministrit që ta pezullojë. Në intervistat pas Samitit, vetë kryetari e mbron taksën. Ec e merre vesh.
Çakordimi vazhdon edhe rreth bisedimeve me Serbisë, ku mjegulla është edhe më e madhe. Në fillim do të jetë dukur se në çështjen e “korrigjimit të kufijve”, Thaçi dhe Haradinaj bëjnë si lojë karshi publikut, por tashmë nuk dihet kush bën lojë, e kush vetëmashtrim. Pas Samitit të Berlinit nga shumëkush u tha se ideja e korrigjimit të kufijve midis Serbisë dhe Kosovës është e vdekur, por si duket jo edhe për Hashim Thaçin, i cili shkon nga televizioni në televizion për të sqaruar të kundërtën, por me një kapitull shtesë iluzioni kohëve të fundit : Ai nuk do të japë asnjë pëllëmbë të tokës së Kosovës, porse sipas tij korrigjimi nënkupton bashkëngjitje të Luginës së Preshevës! Shumëkush e konsideron tezë qesharake, sepse i bie që Serbia ka nevojë për t’u njohur nga Kosova, e jo anasjelltas, pra, për një “njohje” të këtillë Serbia do të jepka qytetet me shumicë shqiptare! Përrallë më të bukur Hashim Thaçi nuk mund të kishte menduar, nëse dikush do t’i besonte!
Rezultati i gjithë këtij çorientimi është se tash për tash, nuk ka faktor ndërkombëtar që e fajëson Serbinë për ngecjen e bisedimeve.
MËRITË PERSONALE SI MURTAJË!
Disonancat në çështje madhore nuk mjaftuan, por ato pas Samitit të Berlinit goditën në pikën ku nuk duhej: u shndërruan në mëri personale, me një komunikim të gërditshëm në disa raporte të prishura. Sepse, në këtë skenë absurdi, u kyçën edhe aktorë të cilët dukej se nuk ishin në skenë, si Sali Berisha. Aktorët politikë i personalizuan gjërat përtej normales, aq sa harruan se bashkëpunimi i tyre duhet të jetë institucional. Kujt i shërben që Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë dhe Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës, të prishin komunikimin institucional për shkak të “presionit” për taksën? A është normale që kryetari i Kosovës më mirë të komunikojë dhe të kuptohen me kryeministrin e Shqipërisë, se me kryeministrin “e vet”, të cilin e ka edhe partner koalicioni?
Në këtë linjë të prishur komunikimi nuk do të mundej pa Sali Berishën, i cili se prej nga e nga kush i shtyrë, u fut në valle që “të argumentojë” atë që kaherë Serbia e propagon për krime lufte nga ana e UÇK-së përmes Dik Martit. Sali Berisha shkon aq larg as Hashimit i thotë se duhet të përgjigjet për krime, duke ia përmendur “shtëpinë e verdhë”, të shpikur nga Serbia! Çmenduri! Serbia ka arsyet e veta pse ta përdorë “shtëpinë e verdhë”, po cilat janë arsyet e Sali Berishës?! Kësi argatllëku Serbia ka mundur të marrë vetëm nga dikush që e paguan vetë për t’i shërbyer, që do të dukej e pabesueshme të jetë Sali Berisha njëri prej tyre, po si të shpjegohet ky involvim i këtillë i tij në këtë mesele? Nga ana tjetër, duket i vrazhdë sugjerimi i Hashim Thaçit për ta çuar në kontroll psikiatrik ish-presidentin dhe ish-kryeministrin shqiptar, por pas gjithë asaj që u tha, kjo tashmë duket normale! Sepse nuk është normal ky lloj akuzash midis dy figurave shqiptare. Ndaj dhe normale duket kur Hashimi ia përkujton trafikimin e naftës me regjimin e Sllobodan Millosheviqit në kohën e Sali Berishës, diç që ka ndodhur dhe është dëshmuar, por si kësaj here, askush nuk ia ka adresuar atij. Duke dëgjuar se kush çka deklaron e akuzon për njëri tjetrin, s’është çudi çka po ndodh në këtë shqiptari, ku shqiptaria duket fjala më ironike në gojën e tyre.
Dua të përkujtoj në disa dilema të miat kur kam shkruar për raportet midis subjekteve të gjithë hapësirës shqiptare, të cilat me gjasë po vijnë në shprehje pikërisht tash. Çfarë duhet të jetë forma e bashkëpunimit midis partive politike dhe përfaqësuesve të shteteve? A duhet të jenë raporte në baza partiake sipas afërsisë së platformave ideologjike, apo sipas kriterit të një uniteti kombëtar ku secili me secilin do të ketë marrëdhënie parimore? Shpesh është vërejtur se në disa raste, aktorët politikë të njërës hapësirë shqiptare janë kyçur edhe në fushatat elektorale të hapësirës tjetër, siç ishte rasti i fundit i Albin Kurtit në zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, ose disa të tjera nga aktorë të tjerë më parë. Vetë kyçja në një proces të tillë nënkupton afërsi më të madhe me njërin subjekt, në dëm të ndonjë tjetri. Bie fjala, të kaluarën kemi pasur afërsi më të madhe midis Ramush Haradinajt e Menduh Thaçit ose Hashim Thaçit dhe Ali Ahmetit, të Sali Berishës me Arbër Xhaferin e në dëm të PPD-së, e cila u përça pikërisht me ndërhyrjen e Berishës. Mund të kujtohen edhe raportet e Ibrahim Rugovës me PPD-në, apo raportet “specifike” të Berishës në periudha të caktuara me udhëheqësit kosovarë si Rugova, Adem Demaçi, por dhe qëndrimin kontrovers ndaj UÇK-së…Nuk duhet të kontestohet një bashkëpunim i mundshëm edhe në bazë të përcaktimeve politike, porse problemi kryesor paraqitet kur një pozicion politik partiak shndërrohet në shtetëror, i cili pastaj duhet të ndeshet me raportet e mëparshme partiake.
Prandaj, mbetem në qëndrimin e krijimit të raporteve përtej përcaktimeve ideologjike në mbarë hapësirën shqiptare, sepse raportet miqësore me dikë e jo aq miqësore me dikë tjetër, mund të bëhet pengesë për unitetin e nevojshëm brenda shqiptar për çështjet madhore. Hashim Thaçi, me gjithë kontroversat e veprimit të tij që ia përshkruajnë oponentët, në një gjë ka të drejtë: subjektet shqiptare duhet të kenë marrëdhënie institucionale… Për fat të keq, pikërisht muajin e fundit, ky bashkëpunim institucional pësoi kolaps total.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)