Rruga drejt Kodrës së Diellit mbetet e pambaruar, reagojnë nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”

Tetovë, 23 gusht – Nga Iniciativa qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” sot kanë dalë me reagim se rikonstruimi i rrugës Tetovë – Kodra e Diellit ka mbetur i pakryer. Ka mbetur i paasfaltuar vetëm një kilometër deri te kjo qendër rekreative-turistike, njofton Koha.mk

“Gjendemi në hyrje të Kodrës së Diellit, mundemi të shohim se rruga është e pambaruar, respektivisht deri në gjysëm. Kërkojmë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Agjencia për rrugë shtetërore, drejtpërdrejtë edhe nga ministri Kreshnik Bekteshi, i cili deklaroi se do të ketë zgjerim të rrugës së hyrjes në Kodrën e Diellit që duhet të shtrihet deri te rezidenca presidenciale, urgjentisht të intervenojnë deri sa realizuesit ende janë në terren. Ata momentalisht punojnë në sektorë privatë, por mendoj se mund të kthehen që ta përfundojnë këtë projekt, i cili ka mbetur deri në gjysmë. Ne u adaptuam që shteti ynë punët t’i çojë deri gjysmë”, deklaroi Hamdi Sulejmani nga “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

Nga Iniciativa thonë se nuk ka kurrfarë aktivitete për Kodrën e Diellit që të ketë kushte më të mira në të.

Vendosja e asfaltit në pjesën Tetovë – Kodra e Diellit, në gjatësi prej 18,2 kilometrave filloi muajin e kaluar. Bëhet “fiding i verdhë” që nënkupton sanim i vrimave, e pastaj vendosjen e asfaltit mbi tërë rrugën. (koha.mk)