Ekspertët mediatik, janë skeptik ndaj zbatimit të reformave dhe zgjidhjes së problemit në media në një kohë afatshkurte. Sipas tyre, këto reforma do të marrin kohë të gjatë deri sa të përfundojnë
Zenel MIFTARI
Shkup, 14 tetor – Proceset integruese të Maqedonisë së Veriut, varen edhe nga reformat dhe rregullimin e mediave. Sa i përket reformave në media në raportin e Komisionit Europian (KE), është konstatuar se Maqedonia e Veriut, ka një përparim të kufizuar në lirinë e shprehjes. “Vendi ka një nivel të caktuar të përgatitjes, është mesatarisht i përgatitur në fushën e lirisë së shprehjes dhe ka shënuar përparim të kufizuar gjatë periudhës së raportimit. Situata e përgjithshme dhe klima në të cilën veprojnë mediat mbeten përgjithësisht të favorshme për lirinë e mediave dhe lejohet raportimi kritik të mediave, megjithëse ka pasur një rritje të tensioneve gjatë krizës me COVID-19 dhe në kontekstin e zgjedhjeve”, shkruan në raportin e KE-së, për RMV-në. Më tej në raportin e KE-së, thuhet se përpjekjet për vetë-rregullim duhet të intensifikohen për të mbështetur përparimin në standardet profesionale dhe cilësinë e gazetarisë. Sipas këtij raporti, është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut, të siguroj transparencë më të madhe e reklamimit mediatik nga institucionet shtetërore, partitë politike dhe ndërmarrjet publike.
Ekspertët mediatik janë skeptik ndaj zbatimit të reformave dhe zgjidhjes së problemit në media në një kohë afatshkurte. Sipas tyre, këto reforma do të marrin kohë të gjatë deri sa të përfundojnë. Në raportin e Komisionit Europian është përshëndetur themelimi i platformës së regjistrit të mediave online promedia.mk e realizuar nga Shoqata e Gazetareve të Maqedonisë (SHGM) dhe Këshillit për Etik në Media në Maqedoni (KEMM), si mekanizëm për vetë-rregullim në këtë fushë përmes përfshirjes vullnetare të mediave. Sipas SHGM-së, qëllimi kryesor i këtij regjistri është të ndihmojë publikun që të njohë më lehtë se cilat media përmbushin kriteret për anëtarësim dhe u përmbahen standardeve të raportimit etik në punën e tyre dhe kjo ide është identifikuar nga Komisioni Europian. Nga atje thonë se, në raport theksohet që situata e përgjithshme dhe klima në të cilën veprojnë mediat mbeten përgjithësisht të favorshme për lirinë e tyre dhe lejojnë raportimin kritik. Por siç thanë nga SHGM-ja, realiteti konfirmon se ka akoma kufizime në qasjen e lirë dhe të papenguar të mediave në informacione, veçanërisht në kontekstin e krizës së shkaktuar nga pandemia e virusit korona. “Por edhe në raste në të cilat një numër i caktuar i mediave kanë dështuar seriozisht në përmbushjen e rolit të tyre të informojnë në interes të publikut”, shtuan nga SHGM.
Duke pasur parasysh faktin se vërejtjet kryesore nga Brukseli u referohen, në fakt, problemeve që i vërejtën KEMM-i dhe SHGM-ja edhe një herë, bashkërisht ata apelojnë që të ketë më shumë përpjeke nga institucionet shtetërore që të mundohen kushte më të mira të punës së gazetareve dhe mediave. Raporti i Komisionit Europian, gjithashtu ka nënvizuar edhe si problematikë të madhe qëndrueshmërinë financiare ët mediave të pavarura dhe kushtet e punës të gazetareve. Ndryshe, në bazë rezultateve të publikuar nga organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij, Maqedonia e Veriut gjatë viti 2019 ka shënuar rritje për sa i përket lirisë së mediave duke u renditur në vendin e 92-të, derisa sa në vitin 2018 ishte në vendin e 109-të. (koha.mk)