Shkup, 7 dhjetor – Poetja Dijana Toska ka promovuar përmbledhjen poetike “Rruazat e jetës”. Ky është libri i dytë i autores në të cilin përfshihen 33 poezi, të cilat autorja i ka prezantuar në formën e prozës poetike, risi kjo që siç shprehet vetë Toska më tepër ngjan me një reflektim, me një artikulim impresionesh dhe ndjenjash që kanë shpërthyer dhe janë bërë nxitje për secilën poezi. “Ndonjëherë jemi të prirë të hedhim ndonjë perlë në letrën e bardhë, e ndonjëherë veç shkarravisim dhe pastaj nuk na ngel gjë për të thënë, përpos në fund t’i fshijmë mendimet të cilat nuk na duken të gdhendura për shijen e lexuesve. Por, kjo është ajo që e bën krijuesin të kërkojë vazhdimisht diçka më të mirë, të krijojë diçka më të bukur. Fundja, poetët janë unikë në atë që e krijojnë dhe nuk mund të më bindë askush se gjithë ai thesar është çështje momenti. Një moment ndoshta nisesh për të filluar një vepër, mirëpo inspirimi, ideja, janë dhunti e vetë poetit dhe jo projekt. Ai qëndron para, prapa dhe sidomos brenda veprës së vet. Me ndjeshmërinë dhe përvojën që ka, shkrimtari bëhet vulë dalluese për tërësinë e veprës së vet, e cila në bazë të kësaj bëhet e dallueshme nga tërësia. Sado që ato, shpresoj, funksionojnë edhe në vete”, shprehet autorja në parathënien e librit. “Rruazat e jetës”, të dërgon në një lexim me plot ëndje, për mallin, për gjërat që njeriu i lë pas, derisa jeta ecën, shkruan recensentja e librit, shkrimtarja Lindita Ramushi Dushku. “Jeta ecë me çfarëdo hapi që të nisesh. Malli do të lundrojë gjithmonë me ne. Ashtu shprehet Dijana. Nëpër poezitë e saj vallëzohet, poezia është e gjallë, ajo jeton bashkë me ndjesinë e lexuesit. Poezia e saj është sikur të dëgjosh muzikë klasike, madje si ajo e Danubit blu. Të fton në vals duke e risjellë para syve gjithë atë kolor ndjenjash, historitë përmes fjalës që autorja e thur me plotë jetë”, shkruan Dushku për librin. Libri i parë i poetes Toska është “Gërsheta malli”, ndërsa krijimet e saj janë pjesë e Antologjisë së poezisë moderne shqiptare. (koha.mk)