Mjafton të shihen proceset ku shqiptarët kryesisht janë objekt vendimesh drakonike gjyqësore. “Kumanova” si rast më i freskët, i konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit, por edhe “Monstra”, një proces që do ta kishte lakmi edhe Kafka ta trajtonte në prozën tij metafizike, janë ishujt e mjerë të shkretëtirës gjyqësore maqedonase që demonstron “principielitet”, por vetëm në rastet kur të akuzuarit janë shqiptarë. Por, çuditërisht asnjë prokurori a gjykatësi shqiptar nuk iu kujtua , në shenjë mospajtimi, të paktën të japë dorëheqje pas krejt kësaj anomalie të shfaqur në sistemin e drejtësisë selektive. Dorëheqje nuk dha as ‘Shote Galica’ e PSP-së!
Nga Emin AZEMI
Janë dhjetëra lëndë që zvarriten nëpër gjykatat e Shkupit, ku dominojnë afera të rënda korruptive të politikanëve të regjimit të kaluar, pastaj nuk ka një përgjigje të prerë se çfarë epilogu do të ketë afera ‘Zhvatja’ bashkë me një mori dilemash që lidhen me këtë aferë dhe me ata që po mundohen ta bëjnë gati të pavërejtshme atë.
Besimi i dikurshëm i qytetarëve tek sistemi i drejtësisë, që personifikohej me PSP-në, tash më është rrëzuar përtokë, ndonëse që në fillim kishte një optimizëm të rezervuar për sa i përket fushëveprimit dhe fuqisë vendimmarrëse të këtij institucioni. Skeptikët thoshin se në këtë shtet asnjë iniciativë nuk shkon deri në fund. Pra,sipas tyre, as PSP nuk mundet ta kryej funksionin e saj, për të cilin ishte formuar dhe për rrjedhojë sërish ‘peshqit e mëdhenj’ do të ngelin jashtë rrjetit të drejtësisë. Sa keq kur dalin prognozat e dashakëqinjëve.
Tash ku PSP shkoi në histori, ‘peshqit e mëdhenj’ jo vetëm që po notojnë në pellgun e gjerë të paqartësive që i ka krijuar politika, por ata kanë filluar të na tregojnë se sa i pafuqishëm është gjyqësori këtu. Në fakt pafuqia e gjyqësorit në këtë shtet flet gjuhën e atyre që po mbajnë gjallë këtë sistem të pareformuar, kurse në anën tjetër po flet një gjuhë arrogante e të paskrupullt kur janë në pyetje rastet e shqiptarëve. Por, çuditërisht asnjë prokurori a gjykatësi shqiptar nuk iu kujtua , në shenjë mospajtimi, të paktën të japë dorëheqje pas krejt kësaj anomalie të shfaqur në sistemin e drejtësisë selektive. Dorëheqje nuk dha as ‘Shote Galica’ e PSP-së!
Mjafton të shihen proceset ku shqiptarët kryesisht janë objekt vendimesh drakonike gjyqësore. “Kumanova” si rast më i freskët, i konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit, por edhe “Monstra”, një proces që do ta kishte lakmi edhe Kafka ta trajtonte në prozën tij metafizike, janë ishujt e mjerë të shkretëtirës gjyqësore maqedonase që demonstron “principielitet”, por vetëm në rastet kur të akuzuarit janë “rastësisht” shqiptarë.
Se gjykatat e këtushme mbrojnë vetëm interesat e popullatës maqedonase, flet edhe rrëmuja e pandëshkuar që qe shkaktuar pak vitesh në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit pas vrasjes së të riut maqedonas nga një i ri shqiptar. Në këtë rrëmujë, ngjashëm me skenat e trishta të Ku Klux Klan-it famëkeq, apo histerinë fashiste kundër dyqaneve të Hebrenjve në Berlin në vitet dyzetë të shekullit të kaluar, patën pësuar dhjetëra prona e biznese të shqiptarëve, të cilat u dogjën e u shkrumbuan deri në themel, mirëpo me zhdëmtimin tyre asnjë gjykatë vendore nuk u mor. Asnjë piroman maqedonas nuk u dënua, sepse pronat ishin të shqiptarëve, kurse gjykata merren vetëm kur shqiptarët janë fajtorë.
Ç’të thuhet për presionet për shpërngulje që u ushtruan para katër viteve mbi një familje shqiptare në Radishan të Shkupit, nga ana e fqinjëve të frustruar maqedonas. Për pasojë kjo familje u shtrëngua të kërkoj azil në një shtet evropian dhe ky rast jo vetëm që nuk u regjistrua nga ana e institucioneve ligjzbatuese vendore, por ai nuk mjaftoi për të prishur as komoditetin e diplomatëve të huaj të cilët vëzhgojnë çdo lëvizje këtu.
Javë më parë, dy të rinj shqiptarë, Besir Bela dhe Skender Demiri, u dënuan me 38 vite burg për veprën penale “vrasje mizore”, e cila gjatë rrjedhës së procesit gjyqësor, asnjëherë nuk u vërtetua si e tillë. Prokuroria e Shkupit në këtë rast, përleshjen e zakontë mes Beles dhe Demirit nga njëra anë dhe të ndjerit Nikolla Sazdovski, nga ana tjetër, të cilën fillimisht e kualifikoi si “dhunë”, por nga presioni publik dhe politik i palës maqedonas të njëjtin rast e rikualifikoi në vepër më të rëndë penale – “vrasje mizore”.
Nuk duhet ndonjë mençurit e madhe për të kuptuar se Maqedonia ka sistem drejtësie të pareformuar e të kalbur dhe këtë e dinë edhe zogjtë e malit, por kjo nuk mjafton të mbetet vetëm në suaza të konstatimeve dhe më së paku të heshtet nga ana e Brukselit dhe raporteve të tij të Progresit për Maqedoninë e Veriut. Raportet e Progresit të Komisionit Europian këto dy-tre vitet e fundit kanë pasur mjaft vërejtje dhe ato lidheshin kryesisht me stadin e ulët të reformave dhe me ndikimin e politikës në gjyqësor. Por në këto Raporte askund nuk u adresuan kritika konkrete sa i përket proceseve të montuara, të cilat kanë qenë me bollëk këto vite.
Si ka mundur t’iu shpëtojë rasti i Almir Aliut” autorëve të Raportit të Progresit?! Si ka mundur të mos regjistrohet ky rast, i cili tronditi mbarë opinionin e brendshëm e të jashtëm, ku drejtësia selektive maqedonase e liroi nga akuza për vrasje me paramendim Boban Iliqin, duke e shpallur atë një kundërvajtës të thjeshtë trafiku. (!).
Pastaj, si ka mundur t’iu shpëtojë rasti “Monstra”, rasti “Alfat”, “Sopoti”…?
Rrjeti që po lë jashtë “peshqit e mëdhenj” duhet të jetë patjetër shqetësim në Bruksel e Uashington, sidomos për ata që i përpilojnë raportet për këtë shtet të vogël me sherr të madh. (koha.mk)