Qeser ABDYLI
Shkup, 5 maj – Porosi fyese dhe kërcënuese me thirrje për dhunë ndaj politikanëve, gazetarëve e deri në kërcënime anonime me jetë, janë vetëm nga shembujt të cilët pothuajse për çdo ditë mund të vërehen në mesin e përdoruesve të rrjeteve sociale. Kjo dukuri dukshëm u përshkallëzua pas incidenteve që ndodhën në Kuvend, të cilët reflektohen edhe në rrjetet sociale, shkruan gazeta KOHA. Pothuajse nuk ka publikim në rrjetet sociale, sidomos nëse lajmi ka të bëjë me politikë, që nuk shfrytëzohet si mundësi dhe nxitje që dikush të etiketohet dhe të hapet debat mes njërës dhe tjetrës palë, varësisht nga provenienca politike. Kjo ndodhë edhe përkundër faktit se këto veprime mund të konsiderohen si vepra penale, për të cilat parashihen disa vite burg në bazë të Kodit Penal të Maqedonisë. Ekspertët theksojnë se në këtë drejtim vërehen një numër i madh i veprave penale në rrjetet sociale në periudhën e fundit, sidomos pas trazirave në Kuvend, për të cilat parashihen dënime me burg deri në pesë vite. Njohësit e kësaj problematike njëkohësisht apelojnë deri te të gjithë figurat me ndikim, politikanë dhe institucione, të kenë kujdes se çfarë flasin dhe çka deklarojnë para publikut, sepse, sipas tyre, atë të cilën një person mund ta nxit me deklaratën e tij, dhjetëra persona të tjerë atë nuk do mund ta tërheqin. “Gjuha e urrejtjes në internet, gjegjësisht në rrjetet sociale, është element i lidhur me zhvillimet e fundit në teren dhe ato të para disa ditëve në Kuvend. Këto dy çështje shkojnë së bashku, jo veças, siç thonë disa, ndërsa po të njëjtat sjellin kërcënim të drejtpërdrejtë për të gjithë ne”, thotë Gordon Kallajxhiev, profesor universitar i të drejtës penale.
Ai sqaron se për shpërndarje të materialeve raciste dhe ksenofobike bashkë me thirrjet për dhunë nëpërmjet sistemit kompjuterik, parashihen masa në Kodin Penal, respektivisht në nenin 394. Sipas tij, për thirrjet e tilla për dhunë, në qoftë se vjen deri në forma më të rënda të shkeljes së ligjit, dënimi mund të jetë edhe me dhjetë vjet burg. “Në Kodin penal saktësisht përshkruhet se nëse në publik përmes internetit përhapen materiale raciste dhe ksenofobike, fotografi apo ndonjë tjetër prezentim të idesë apo teorisë që ndihmon apo nxitë urrjejtje, diskriminim apo dhunë kundër personit apo grupit në bazë të origjinës apo etnisë ose ngjashëm, të dënohet me një deri në pesë vjet burg”, sqaron Kallajxhiev,
Nga ana tjetër, institucionet kompletente konsiderojnë se veprojnë dhe reagojnë në rast të paraqitjeve të gjuhës së urrejtjes dhe dhunës. Në Ministrinë e punëve të brendshme për funksionimin dhe zbulimin me të lehtë si dhe menaxhimin e këtyre dukurive kanë vendosur edhe aplikacion në faqen e tyre të internetit, ku qytetarët mund të paraqesin çfardo njohuri apo informacione për krim dhe nxitje të dhunës. Aplikacioni mund të gjindet në faqen zyrtare të MPB me titull “Butoni i kuq”. Siç theksohet në shpjegimin për aplikacionin, ai është projektuar për paraqitjen e çfardo njohurie apo informacioni në lidhje me abuzimin e fëmijëve, krimit dhe nxitjes për dhunë. Nga MPB thonë se rastet urgjente, apo rastet për të cilët ekzistojnë dëshmi se kryhen në moment, qytetarët në vend se në aplikacionin e prezentuar, ato menjëherë mund t’i paraqesin në numrin e telefonit 192. Sa i përket dënimeve për gjuhën e urrejtjes deri më tani nuk ka të dhëna publike në dispozicion rreth asaj se sa herë është shkelur ligji. Aktualisht në internet në Maqedoni ka disa ueb-faqe informativo-edukative, qëllimi kryesor i të cilave është t’i informojnë qytetarët për më shumë aspekte lidhur me gjuhën e urrejtjes. “Bezomrazno.mk” dhe ueb-faqja “Nemrazi.mk” janë dy internet portalet të cilët ofrojnë udhëzime për luftën kundër gjuhës së urrejtjes.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara