Nën presion të rekomandimeve shëndetësore për distancë sociale, në kushte kur virusi po shpërndahet me të madhe, shumë persona janë kthyer drejt rrjeteve sociale të cilat u shndërruan në “ordinanca virtuale”. Disa profesorë dhe mjek kanë pranuar sfidën që t’ju ndihmohet këtyre personave
Xhenur ISENI
Shkup, 3 prill – Maqedonia e Veriut më shumë se një vit po ballafaqohet me njërën nga sfidat më të mëdha shëndetësore – pandeminë e rrezikshme të Covid-19, një golgotë që nuk dihet se kur do të përfundon. Shumë informacione, paralajmërime, rreziqe nga virusi dhe mutacionet e saj, ndodhitë në dhomat nëpër spitale që kanë treguar personat që e kanë fituar këtë betejë, por edhe vuajtjet e familjeve që i kanë humbur më të afërmit e tyre, si dhe pritshmëritë të arrijnë vaksinat si shpresa e tyre e fundit, praktikisht janë bërë përditshmëri e çdo sfere të jetës, në të cilën qytetarët në një mënyrë kërkojnë shpëtim nga sëmundja misterioze që po iu “kidnapon” jetën. Nën presion të rekomandimeve shëndetësore për distancë sociale, në kushte kur virusi po shpërndahet me të madhe, shumë persona janë kthyer drejt rrjeteve sociale që tashmë janë shndërruar në “ordinanca virtuale”. Në kushte të sistemit të ngarkuar shëndetësor, në grupe të specializuara për Covid-19 po kyçen një numër i madh u punonjësve shëndetësorë dhe profesorë për t’ju dhënë qytetarëve këshilla profesionale.
Sa kohë pas testit pozitiv mund të jemi të rrezikshëm për rrethinën? Pas sa kohë që e kam kaluar virusin, mund të merret vaksina? Si është procedura e dhënies së plazmës së gjakut?… janë një pjesë e mijëra pyetjeve të cilat për çdo ditë po shpërndahen në rrjetet sociale në grupet e specializuara për Covid-19. Pas fillimit të imunizimit në Maqedoninë e Veriut dhe informacionet për komplikimet e mundshme me vaksinën AstraZeneka për personat nën 60 vjeç, një numër i madh i qytetarëve të brengosur kërkojnë këshilla se a duhet të vaksinohen ata dhe prindërit e tyre me vaksinën në fjalë. “Cilat janë eksperiencat në vendet tjera me vaksinën AstraZeneka për personat e rinj? Si po ndjeheni gjithë ju që keni marrë vaksinën AstraZeneka në Serbi?”, pyesin qytetarët në “ordinancën virtuele” në Facebook.
Motra medicinale, mjekë, profesorë, por edhe qytetarë duke u thirrur në eksperiencën e tyre, japin përgjigje, ndihmë, këshilla. Po shpërndahen receta, rekomandime për barna, çajë, ushqim të shëndetshëm etj. Mikrobiologu Nikolla Panovski vlerëson se rrjetet sociale kanë rol të dyfishtë gjatë pandemisë. Ai thotë se gjatë këtij muaji – ku është rritur numri i të infektuarve, është rritur edhe kërkesa e qytetarëve që kërkojnë këshilla në grupet e specializuara në rrjetet sociale.
“Këto grupe që janë për Covid, megjithatë janë të kontrolluara nga administratori, kështu që nuk lejojnë të shkruhen shkrime tendencioze dhe joprofesionale. Për një pjesë të kësaj, punojmë së bashku, një pjesë e pacientëve që nuk dëshirojnë të shkruajnë në publik, na shkruajnë privatisht, dhe kësi porosi nga qytetarët kam afro 30 në ditë. Kur u ulën infektimet në janar e shkurt, kam pushuar pak dhe unë, por tani që po rritet numri i infektimeve, por rritet edhe numri i qytetarëve që kërkojnë këshilla. Mendoj se grupet në rrjetet sociale janë në dobi kur janë nën kontroll, por ka shumë lajme të rreme, shumë spekulime, dhe këto lajme duhet të menaxhohen në një mënyrë. Ka gjëra të mira në këtë çështje, por dhe të këqija, megjithatë në përgjithësi mendoj se janë në dobi. Mua kjo çështje më merr kohë afro 4 apo 5 orë, mendoj se ndihmojë, në mos më shumë, me ndonjë fjalë apo këshillë”, ka deklaruar për KOHA, mikrobiologu Nikolla Panovski., ndërsa shton se gjatë kësaj periudhe – ka arritur sado pak të ulë panikun te qytetarët me këshilla shumë racionale. (koha.mk)