Nga të gjitha rrjetet sociale facebooku është më i përdorur nga ana e politikanëve në Republikën e Maqedonisë. 88.5% përdorin Facebookun, 53.8% Twitter, 53.8% Instagramin. Prej tyre 19.2% kanë të verifikuara faqet nga ana e facebookut, ndërsa 57,7 % e faqeve nuk janë të verifikuara
Remzije BILALLI
Shkup, 13 gusht – Rrjetet sociale përveç që janë bërë pjesë e përditshmërisë tonë, ato janë shndërruar edhe në stil jete. Ato janë arena më e madhe ku çdokush shpreh opinionin, ankesat ,informatat si dhe sugjerimet e tyre, shkruan gazeta KOHA. Pjesë e këtyre rrjeteve sociale jemi secili prej nesh, e sigurisht ndonjëherë na ka shkuar ndër mend të dimë se sa janë të përdorur nga ana e politikanëve. Facebook-u me më shume se 1.8 bilion përdorues aktiv në muaj, mbetet rrjeti social më popullor në botë. Nga të gjitha rrjetet sociale Facebook-u është po ashtu më i përdorur nga ana e politikanëve në Republikën e Maqedonisë.
23 nga 26 ministra në kabinetin Qeveritar në mënyrë aktive përdorin Facebook, në bazë të analizave të bëra nga të dhënat e disponueshme për mediat sociale dhe kërkim sipas emrit dhe mbiemrit të tyre gjatë periudhës kohore nga 23 deri më 28 korrik të vitit 2018. Krahasuar me vitin e kaluar, kjo paraqet rritje prej 3 për numrin e ministrave aktivë në këtë rrjet. Në përgjithësi 88.5% përdorin Facebook-un, 53.8% Twitter, 53.8% Instagramin. Prej tyre 19.2% kanë të verifikuara faqet nga ana e Facebook-ut, ndërsa 57,7 % e faqeve nuk janë të verifikuara.
ÇKA THONË ANALIZAT?
Analizat këtë vit gjithashtu tregojnë se shumica e anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe ekipet e tyre publikojnë përmbajtjet e aktiviteteve të tyre të përditshme në Facebook dhe kanë profile ose faqe ku qytetarët mund t’i shkruajnë publikisht ose privatisht në mesazhe. Më shumë se gjysma e ministrave kanë profil privat por edhe faqen e tyre zyrtare në këto mediume sociale.
Vetëm dy anëtarë të Qeverisë, Zëvendës kryeministri Koço Angjushev dhe ish-ministri Robert Popovski nuk kanë profilet e tyre / faqe në rrjetet sociale. Ky është një përmirësim krahasuar me vitin 2017, ku 6 ministrat nuk ishin aktivë në asnjë nga mediumet sociale.
Kryeministri Zaev dhe 10 ministra të tjerë janë aktivë dhe kanë profilet e tyre / faqet në të njëjtën kohë edhe në Facebook, Tëitter dhe Instagram, një rritje prej 4 krahasuar me vitin e kaluar. Nga politikanët shqiptarë vetëm Bujar Osmani është aktiv në gjitha mediat sociale të lartpërmendura.
“Është e rëndësishme që të gjithë ministrat të jenë të pranishëm në mediat sociale me profilet apo faqet e tyre ,me qëllim të komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët. Në analizën e këtij viti, thuhet se njoftimet, komentet dhe përgjigjet e pyetjeve nuk kërkohen drejtpërdrejt që ti bëjë ministri, por ekipet e tyre online mund ta bëjnë këtë, pasi të kenë marrë pëlqimin në emër të ministrit “, thotë Bojan Kordalov, specialist në marrëdhëniet me publikun dhe mediat e reja, i cili është autori i këtij hulumtimit.
Hazbi Lika , Asaf Ademi , Arbër Ademi dhe Sadulla Duraku llogari të tyre posedojnë vetëm në Facebook ndërkaq ministri Fazliu është aktiv vetëm në Twitter. Në bazë të kësaj analize numri aktiv i ministrave shqiptar është dukshëm më i vogël se numri i ministrave maqedonas.
IKJA NGA PËRGJEGJËSIA PUBLIKE
Nga partitë shqiptare thonë se ky numër është i vogël për shkak ikjes nga përgjegjësia dhe punëve të pa realizuara.
“Të gjitha aktivitetet partiake janë të publikuara në faqen zyrtare të partisë në kohë reale. Media Qendra e partisë ka obligim për mirëmbajtjen e faqes zyrtare dhe personat e angazhuar mbajnë edhe profilin zyrtar te kryetarit. Ne jemi në komunikim të rregullt me të gjithë ata që na kontaktojnë dhe gjitha pyetjet dhe interesimi i qytetarëve marrin përgjigje në kohë shumë të shkurtër nga personat që janë të angazhuar. Sa i përket ministrave pa dashur të hyjmë në detaje të transparencës së tyre vlerësojmë se punët që kanë bërë në të mirë të qytetarëve janë shumë minore dhe kjo është arsyeja që ata i ikin përgjegjësisë publike që kanë ndaj qytetarëve dhe votuesve. ” , thonë nga Lëvizja Besa.
Një nga konkluzionet në këtë Analizë është se është pozitive që rritet numri i anëtarëve aktiv të Qeverisë në Twitter dhe Instagram dhe jo vetëm në rrjetin më të popullarizuar në Facebook.
Por, për të përfshirë të gjitha grupet e synuara dhe publikun e gjerë në strategjinë e komunikimit të Qeverisë, është e nevojshme që të gjithë ministrat të kenë kanalet e tyre aktive / kanalet e mediave sociale.
“Kemi faqen zyrtare nga e cila bëhet shpërndarja e informacioneve, lajmeve, reagimeve, aktiviteteve politike dhe që janë zyrtare. Ne përgjigjemi profesionalisht, te gjithëve që na shkruajnë, që na japin lëvdata, kritika, sugjerime, madje edhe këshilla. Në raport me publikun, i përdorim maksimalisht mundësitë e rrjeteve sociale për ti shpërndarë, aktivitetet tona, lajmet dhe reagimet, sepse ndodh qe media te caktuara elektronike, dhe portale, t’u shmangen reagimeve tona “ deklaroi Flakron Bexheti nga ASH.
Ndërkaq, partia e Gashit theksojnë se rrjetet sociale janë mënyra më e mirë për komunikim me opinionin.
“Në këtë drejtim edhe ne si parti politike në kuadër të strategjisë për komunikim me opinionin i kemi përfshirë edhe rrjetet sociale. Qëndrimet e partisë kryesisht plasohen përmes zëdhënësit të partisë, përmes komunikatave ose edhe përmes faqes së kryetarit Afrim Gashi në rrjetin social facebook, si rrjet me përdorim më të gjerë në vendin tonë. Për faqen e tij kujdeset vetë kryetari Gashi i cili përgjigjeve të qytetarëve ju kushton kujdes të veçantë”, u shpreh Orhan Murtezani.
Këtë vit është konstatuar rritje në rrjetin Twitter, e cila përdoret nga 14 anëtarë të Qeverisë këtë vit, numër i njëjtë janë edhe përdorues të Instagramit. Në bazë të analizave të vitit të kaluar Twitter-in e kanë përdorur tetë ministra ndërkaq gjithsej 10 ishin aktiv në Instagram.
“Është për tu përshëndetur sepse një pjesë e kontakteve të anëtarëve të Qeverisë dhe kanale të mediave sociale mund ti gjejmë në ueb faqen e Qeverisë. Me këtë, qytetarët mund të drejtohen drejtpërdrejt tek njëri nga ministrat për ndonjë iniciativë apo pyetje”,theksoi Kordalov.
Përdorues të Facebookut janë edhe shumë zyrtarë të tjerë në mesin e tyre edhe deputetë. 112 nga 120 deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë përdorin Facebook në bazë te analizave të fundit të bëra në vitin 2017.
Ndërsa liderët shqiptar Sela dhe Kasami kanë faqe zyrtare, Sela posedon dhe profil personal në Facebook. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, posedon vetëm faqe zyrtare në Facebook e cila është e verifikuar. (koha.mk)