Rrjetet e mëdha sociale, YouTube, Facebook, Twitter dhe Microsoft kanë thënë se do të punojnë së bashku të heqin propagandën terroriste nga faqet e tyre të internetit. Kompanitë në fjalë kanë thënë më 5 dhjetor se ato do e krijojnë një bazë të përbashkët të të dhënave dhe të ndajnë postimet e ekstremistëve që ata kanë hequr nga faqet e tyre, me qëllim që t’iu tregojnë kolegëve të kompanive të tjera që të heqin edhe ata postimet e të njëjtëve, transmeton REL. Rrjetet sociale janë bërë mjet i fuqishëm i rekrutimit për grupin Shteti Islamik, duke mundësuar zgjerimin e rrjetit të tyre në botë përmes postimeve që radikalizojnë përkrahësit e tyre dhe inspirojnë disa prej tyre edhe të kryejnë sulme. Kompanitë teknologjike janë nën presion çdo herë në rritje nga qeveritë perëndimore që të bëjnë më shumë për të hequr postimet e tilla pas një seri sulmesh nga Kalifornia në Florida e deri në Nice të Francës dhe Bangladeshit. YouTube dhe Facebook kanë filluar të heqin automatikisht postimet e ekstremistëve. Twitter ka pezulluar 235 mijë profile në mes të muajit shkurt dhe gusht ndërsa ka zgjeruar ekipet që mbikëqyrin postimet e ekstremistëve. Baza e përbashkët e të dhënave do të fillojë punën vitin e ardhshëm, ndërsa ka mundësi që edhe kompani të tjera t’i bashkohen këtij partneriteti.