Komuniteti i biznesit tregon se me një infrastrukturë më të mirë, do të arrihen rezultate shumë më të mira, sepse me rrugë të mira ose lidhje cilësore, do të ketë një qarkullim të pandërprerë të mallrave dhe njerëzve
Arbër KADRIU
Shkup, 28 nëntor – Ndërtimi i autostradave dhe infrastrukturës hekurudhore është përsëri në planet prioritare të Qeverisë në realizimin e buxhetit për vitin 2021. Sipas njoftimeve, vitin e ardhshëm është planifikuar të zbatohen projekte kapitale të infrastrukturore në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturën energjetike dhe komunale, gazifikimin, si dhe investime kapitale për të përmirësuar kushtet në shëndetësi, arsim, sistem shoqëror, gjyqësor, bujqësi dhe mbrojtje të mjedisit jetësor. Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit konfirmojnë rëndësinë e madhe të planeve qeveritare për lidhje cilësore të trafikut dhe theksojnë se tani zbatimi i tyre i vazhdueshëm është i nevojshëm për qarkullim më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave midis qyteteve në vend, por edhe në vendet fqinje.
“Infrastruktura rrugore ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë një temë kryesore për zhvillimin e ekonomisë dhe vendit. Sidomos investimi në këto periudha krize në të cilat ndodhemi do të kontribuojë në mbështetjen e subjekteve ekonomike. Por jo vetëm investimi në rrugë dhe autostrada, por edhe hekurudha duhet të forcohet dhe ndërtohet dhe modernizohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Me hekurudhën do të kemi transport më të lirë dhe më ekologjik. Duke përmirësuar infrastrukturën, ne do të jemi një vend më interesant për investitorët e huaj dhe vendas”, thotë kryetari i Kuvendit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderes Kuçi. Komuniteti i biznesit tregon se me një infrastrukturë më të mirë, do të arrihen rezultate shumë më të mira, sepse me rrugë të mira ose lidhje cilësore, do të ketë një qarkullim të pandërprerë të mallrave dhe njerëzve. Një lidhje cilësore do të lejojë që fuqia punëtore të arrijë më shpejt në destinacionin e dëshiruar, por gjithashtu do të jetë më e lehtë për ta të vendosin të udhëtojnë në një nga qytetet në të gjithë vendin ku ata kanë mundësi punësimi.
“Vazhdimisht përmenden rëndësia e infrastrukturës dhe nevoja për renovimin e saj dhe realizim të infrastrukturës përkatëse rrugore dhe hekurudhore. Mund lirisht të thuhet se lidhja e duhur rrugore është jashtëzakonisht e rëndësishme, pavarësisht nëse flasim për autostrada, për lidhje përmes qendrave logjistike, lidhje në nivel lokal apo rajonal. Nëse kemi rrugë të mirë, njerëzit do ta përdorin për komunikim, për investim në projekte infrastrukturore, do të rriten investimet për shkak të qasjes më të lehtë dhe më të shpejt. Me përmirësimin e rrugëve, përfitimi i madh do të ndihet edhe në sektorin e turizmit, dhe gjithsesi do të ketë një ndikim të favorshëm në konkurrencën e kompanive”, shpjegon Mile Boshkov, kryetari i Biznes konfederatës së Maqedonisë.
Ai thotë se gjatë projektimit dhe planifikimit të rrugëve të caktuara, shteti duhet të planifikojë dhe parashikojë njëkohësisht vendet për pikat e karburantit, dyqanet për blerjen e produkteve themelore, gjegjësisht për pika ku në të njëjtën kohë mund të blihet ujë dhe gjëra tjera ushqimore… “Në këtë mënyrë ne do të zhvillojmë një ekonomi shoqëruese ku ka potencial të madh për zhvillim, për tregti. Njerëzit kanë nevojë të blejnë produkte themelore gjatë udhëtimit dhe kjo në të vërtetë mungon në rrugët tona. Gjithashtu, me ndërtimin e rrugëve dhe përmirësimin e lidhjes rrugore midis qyteteve në të gjithë vendin, jo vetëm përmes ndërtimit të autostradave, por edhe përmes përmirësimit lokal të lidhjes, do të mundësohet shkëmbimi i fuqisë punëtore. Me hapjen e kazinove në Gjevgjeli ose gjatë ndërtimit të autostradës Demir Kapi – Smokvicë, por edhe fabrikës në Kavadar, doli që njerëzit janë të gatshëm të udhëtojnë nga një qytet në tjetrin për të punuar. Paramendoni të keni një degë hekurudhe në drejtim të fabrikës në Kavadar dhe njerëzit të mund të udhëtojnë deri atje. Në atë rajon ka hekurudhë, vetëm mungon lidhja me atë fabrikë. Kudo në botë, për një afërsi të tillë, menjëherë intervenohet në lidhje hekurudhore, sepse ndikon ndjeshëm në përmirësimin e mjedisit jetësor, zvogëlon gazrat e shpërndarë në ajër “, thotë Boshkov, duke shtuar se ka mungesë të një dege hekurudhore për në aeroportin e Shkupit. Ai shtoi se me zhvillimin e hekurudhës, përveç zhvillimit të infrastrukturës rrugore, dukshëm do të ulet nevoja për të përdorur transportin përmes kamionëve dhe do të zvogëlohet ndjeshëm shpërndarja e gazrave në ajër. (koha.mk)