Fisnik PASHOLLI
Shkup, 29 qershor – Maqedonia në 25 vitet e kaluara, vetëm përgjatë periudhës 2004-2008, ka realizuar rritje ekonomike prej 4.7 deri 6.5 për qind, që megjithatë si shifra kanë qenë të pamjaftueshme për të përmirësuar dukshëm mirëqenien e qytetarëve, shkruan gazeta KOHA. Njëherazi, edhe këto rezultate pozitive ekonomike janë anuluar apo shlyer me shkallët mesatare të rritjes ekonomike prej as dy për qind që nga viti 1993 e deri më sot, tregojnë të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë. Andaj, në të ardhmen sfidë për ekonominë e Maqedonisë mbetet arritja e shkallëve të larta të rritjes ekonomike prej 5- 6 për qind për çdo vit në një cikël edhe më të gjatë se katër vite, si mënyrë e vetme për përmirësimin më të shpejtë të standardit të qytetarëve. Në ndërkohë, ekzekutivi i ri ka premtuar se përgjatë mandatit të tyre në mesatare do të ketë pesë për qind të rritjes ekonomike si dhe rritje të pagës minimale në 16 mijë dhe të asaj mesatare në 30 mijë denarë.
PËRZIERJE SA MË E VOGËL E SHTETIT NË BIZNES
Ekonomistët thonë se mund të arrihen shkallë më të larta ekonomike në rast se plotësohen kushtet e ndryshme, siç janë rikthimi i stabilitetit politik që të mund të ketë rritje më të madhe ekonomike. Gjithashtu vlerësohet se do të duhet të realizohen reforma të thella dhe rrënjësore që të krijohen kushte për rritjen më të madhe të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke filluar nga gjyqësori, sundimi i së drejtës, qasjes më të lehtë ndaj financave për bizneset e kështu me radhë. Kërkohet edhe përzierja sa më e vogël e shtetit në biznes dhe ulje maksimale e rolit të tij si punëdhënësi dhe kontraktori më i madh. Kushtet e tjera për rritje më të madhe ekonomike janë edhe zgjidhja e problemit të punës me humbje të mjaft ndërmarrjeve publike, reformave në sistemin shëndetësor, të pensioneve dhe arsimor, e kështu me radhë, me qëllim që të lehtësohet puna e bizneseve dhe të krijohet ambient sa më i favorshëm afarist edhe për investime. Problem tjetër që duhet të zgjidhet në të ardhmen, është edhe ai i produktivitetit të ulët të punëtorëve që në Maqedoni është ndër më të ulëtit në Evropë. Teknologjia e vjetër si dhe kuadri që nuk posedon shkathtësi të nevojshme që kërkohen në tregun e punës, renditen ndër shkaqet kryesore pse Maqedonia është ndër të fundit në listën e Eurostat lidhur me produktivitetin e punëtorëve. Andaj, ekonomistët vlerësojnë se produktiviteti në punë mund të rritet vetëm duke shtuar përdorimin e teknologjisë si dhe duke rritur investimin e bizneseve në cilësinë e burimeve njerëzore.
Sipas ekspertëve ekonomik, përcjell KOHA, rritja ekonomike në vitet e fundit më shumë i detyrohet sektorit të ndërtimtarisë si dhe punës së kompanive të huaja dhe më pak kompanive vendore, andaj për një rritje më të madhe ekonomike që do të përmirësojë dukshëm edhe mirëqenien e qytetarëve, nevojiten ndryshime strukturore në ekonominë vendore që nënkuptojnë rritjen e sektorit eksportues të kompanive vendore, duke rritur dukshëm ndihmën për prodhimet e dedikuara për shitje jashtë shtetit. Kërkohet edhe përshpejtimi i reformave në tregun e punës që nënkuptojnë se jo çdo kush duhet patjetër të përfundojë një shkollë të mesme, por më mirë është që në bazë të testimeve adekuate, të përfundojë një zanat që nesër më lehtë do të sigurojë një vend pune në vend se të fitojë një diplomë të shkollës së mesme. Në ndërkohë, probleme me rritjen më të madhe ekonomike si dhe papunësinë e lartë, varfërinë e madhe, demokracinë e brishtë, institucionet e dobëta, gjyqësorin joefikas, borxhin e lartë publik si dhe ikjen e madhe e të rinjve, nuk e ka vetëm Maqedonia, por pa përjashtim të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ato ballafaqohen edhe me fuqi blerëse shumë më të ulët në raport me BE-në si dhe rritje ekonomike tepër të ngadalshme që nuk premton as afrimin me standardin jetësor evropian në 20 vitet e ardhshme.
REFORMA TË THELLA DHE RRËNJËSORE
Ekonomistët vlerësojnë se kushti i parë që duhet të realizohet që të mund të ketë rritje më të madhe ekonomike, është rikthimi i stabilitetit politik. Gjithashtu vlerësohet se do të duhet të realizohen reforma të thella dhe rrënjësore që të krijohen kushte për rritjen më të madhe të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke filluar nga gjyqësori, sundimi i së drejtës, qasjes më të lehtë ndaj financave për bizneset e kështu me radhë. Sipas profesoreshës universitare, Miliça Uvaliq, pengesë kryesore për rritje më të madhe ekonomike për të gjitha shtetet e rajonit është jostabiliteti politik, ndërsa për Maqedoninë është shumë e rëndësishme që të tejkalojë krizën politike.
“Rajonit në përgjithësi i nevojitet një industri politike më e fokusuar. Në të gjitha shtetet e Evropës Juglindore mungojnë qëllimet se kah dëshirojnë të lëvizin dhe cilat prodhimtari dëshirohen të zhvillohen. Me fjalë të tjera, politikat ekonomike nuk duhet të jenë afatshkurtra, por afatgjate. Gjithashtu do të jetë i kotë edhe mundi dhe angazhimi për reforma, në rast se nuk keni një administratë të mirë shtetërore“, thekson për KOHA, Uvaliq. Sipas saj, shtetet e rajonit duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi edhe investimeve në resurset njerëzore, si dhe reformave më të mira në arsim që janë kyçe për rritjen e harmonizimit midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës lidhur me shkathtësitë specifike profesionale. Në ndërkohë, ekonomistët kërkojnë edhe ndryshime strukturore apo përmirësimin e biznes-bërjes që do të sigurojë rritje ekonomike në aspekt afatgjatë. “Nevojitet të mendohet në suaza më të gjata dhe jo të intervenohet për çdo gjashtë muaj me masa të caktuara për shkak se në këtë mënyrë, ndoshta zgjidhen problemet në suaza afatshkurtra, por mungon rritja ekonomike afatgjate. Konkretisht, ndërtimtaria dhe investimet kapitale kishin efekte afatshkurtra për shkak se kanë ndikuar në paga dhe konsumin personal. Pres që në të ardhmen me masat e reja për kompanitë vendore që do të investojnë, si dhe masat e tjera të kemi reforma strukturore dhe rritje ekonomike“, thotë profesori universitar Borçe Trenevski.
Gjithashtu kërkohet një vëmendje më e madhe për investitorët vendor, për shkak se asnjë ekonomi nacionale nuk mund të mbështetet vetëm në investitorët e huaj, përkundër asaj se sa ato sjellin tregje dhe përvoja të reja. Çdo herë fokusi duhet të jetë edhe ndaj investitorëve vendor, për shkak se nëse ato janë më të angazhuar me investime, aq më të guximshëm do të jenë edhe investitorët e huaj që të investojnë tek ne. Andaj, duhet që Maqedonia të fokusohet në sektorët ku ka përparësi komparative që të mund t’u bëjë ballë sfidave të ekonomisë globale, vlerësojnë analistët ekonomik. Ndryshe, edhe statistikat e ndryshme ndërkombëtare dëshmojnë se qytetarët e Maqedonisë radhitet ndërmjet shteteve me popullatë më të varfër në Evropë. Sipas Eurostat, Zyrës Evropiane të Statistikës, të ardhurat për frymë nga Prodhimi Bruto Vendor në Maqedoni janë sa 36 për qind e mesatares së Bashkimit Evropian, ndërsa konsumi për frymë vlerësohet në 40 për qind të mesatares së BE-së. Këto të dhëna që përfshijnë konsumin aktual individual si masë e matjes së mirëqenies materiale të familjeve dhe prodhimin e brendshëm për kokë banori, tregojnë se Maqedonia është vendi i tretë më i varfër në Evropë. Më tej, shifrat e Eurostat tregojnë se Shqipëria renditet e parafundit në Evropë me të ardhurat për frymë nga Prodhimi Bruto Vendor që janë sa 29 për qind e mesatares së BE-së, dhe me konsumin aktual për frymë prej 34 për qind të mesatares së BE-së. Më e varfra, apo e fundit në listën e Eurostat është Bosnje e Hercegovina, me të ardhura më të ulëta për frymë prej 28 për qind në Evropë dhe me 37 për qind të konsumit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.