Zejnulla VESELI
Shkup, 2 prill – Pas transferimit të pushtetit, bizneset dhe qytetarët kishin shpresa të mëdha në përmirësimin e biznes klimës dhe mirëqenies sociale por tani edhe pas gati 9 muajve qeverisje nga LSDM-ja dhe BDI-ja, kompanitë aspak nuk e ndjejnë përmirësimin e gjendjes ekonomike ndërsa qytetarët ankohen se jetojnë njëjtë sikur para 1 viti për shkak se masave të cilat po i merr kjo qeveri të cilat masa nuk po shkojnë drejt përmirësimit apo rritjes ekonomike, shkruan gazeta KOHA.
Mirçe Çekrexhi, biznesmen dhe anëtar i Lidhjes së Odës Ekonomike të Maqedonisë thotë se sektori i biznesit privat edhe më tej mbetet jolikuid, sepse problemet e ekonomisë vendore plot një dekadë janë të njëjtat dhe shteti shumë pak bënë në përmirësimi e jolikuiditetit edhe për shkak të mos marrjes së masave që kanë për qëllim të ndihmon kompanitë vendorë të jenë likuide. “Gjithmonë kemi thënë se administrata shtetërorë dhe ende mbaj qëndrimin e njëjtë se administrata shtetërore është gjeneratore e jolikuiditetit për shkak se pikërisht ndërmarrjet shtetërore janë ato të cilët vazhdojnë të mos paguajnë borxhet me kohë ndaj biznesit privat. Tani po flitet për reforma tatimore. Megjithatë afaristët e Maqedonisë, sektori real është i stërngarkuar me tatime dhe e ka vështirë të fillojë me ciklin e investimeve të reja. E para për shkak se fitimi i firmave vendore është shumë i vogël sepse më shumë se gjysma e këtij fitimi shkon jashtë vendit e kompanitë më profitabile janë ato të huajat që punojnë në Maqedoni”, thotë Mirçe Çekrexhi, biznesmen dhe anëtar i Lidhjes së Odës Ekonomike të Maqedonisë.
Edhe Menderes Kuqi. biznesmen dhe anëtar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore shprehet se kompanitë private 10 vitet e fundit i mbijetojnë krizës ekonomike pa përkrahjen e shtetit, luftojnë me at pak kapital të vetin që kanë. “Nuk po ndjehen kushtet më të mira e të bërit biznes. Borxhet që shteti ka ndaj firmave private edhe më tej i vonon ndërsa përfitimet e një kompanie kur ka vonese të pagesave për të punuar në vazhdimësi detyrohet të futet në kredi. Kjo krizë zgjatë 10 vite dhe ka ndikuar shumë negativisht në punën e firmave nga sektori privat i biznesit. Këto pasoja ende i ndjen komuniteti i biznesit privat. Punët e këqija vijnë shpejtë por është shumë rëndë të tejkalohen. Duhet kohë që këto përmirësime t’i ndjejnë bizneset në Maqedoni. Ky trend negativ më duket se kompanitë private do ta ndjejnë edhe një kohë të gjatë”, thotë për KOHA, Menderes Kuqi, biznesmen privat.
Shpresat se në Maqedonia po përmirësohen parametrat ekonomik për fat të keq po i ndjenë vetëm shteti dhe at në letër përmes të dhënave që po i publikon Enti Statistikor se në çerekun e parë të këtij viti kemi rritje ekonomike dhe se ekonomia po shkon drejt stabilitetit.
“Kur prezantohen të dhënat statistikore duhet të bëhen publike informata për tërë vitin e jo vetëm për një 3 mujor. Për fat të keq, vitin 2017 e mbaruam si vit më të keq ekonomik, më të dhëna brengosëshe të rritjes ekonomike prej 0 për qind. Këto të dhëna aspak nuk japin shenja se po ringjallet ekonomia e vendit por shuan shpresat se ekonomia mund të shënon rritje ekonomike por përkundrazi mund të kemi rënie edhe më të larta”, thotë Fatmir Bytyçi, ekspert ekonomik. Këtë konstatim Bytyçi e mbështet me faktin se rritja ekonomike e projektuar për këtë viti në masë të madhe varet nga klima politike e cila ende është prezentë në vend dhe po ballafaqohet me sfida të shumta duke lenë anash të gjitha premtimet për përkrahje financiare të kompanive dhe lehtësime tatimore për qytetarët.
“Jemi dëshmitarë të një parlamenti jo funksional i cili nuk ka asnjë mundësi reale që të miraton ligje që janë shumë të rëndësishme për përmirësimin e situatës ekonomike në vend. Javën që vjen Parlamenti duhet ta miraton Ligjin për përkrahje financiare të investime për bizneset vendore por mbetet të shohim se do të arrihet konsensus mes partive dhe ky ligj të miratohet nga parlamenti. Për këtë shkak vlerësoj se të gjithë këta indikatorë luajnë rol pozitiv në rritjen ekonomike të vendit, por duhet shteti të këtë kujdes mos të dështon në përkrahjen e biznesit dhe sërish të kemi edhe një vit te keq ekonomik siç e kishim përgjatë vitit 2017”, thotë për KOHA, Bytyçi, ekspert ekonomik. (koha.mk)