Shkup, 3 shtator – Për të gjitha pagat, nga ato minimale e deri te më të lartat, për të gjithë të punësuarit, për të gjitha firmat pavarësisht të madhësisë dhe veprimtarisë, do të vlejë masa për subvencionimin e pagave që duhet të fillojë nga data 1 e muajit të ardhshëm. Për të janë ndarë 400 milionë denarë me ribalancin e sotëm të miratuar të Buxhetit. Do të zgjasë tre vite, deri në tetor të vitit 2022.
Sipas kryeministrit Zoran Zaev, me këtë masë do të hiqet ekonomia gri dhe dhënia e pagave me para kesh, do të rriten të ardhurat në Fondin Pensional që paraqet kusht për rritje të ardhshme të pensioneve.
“Rritja në pjesën e pagave do të vlejë për të gjithë, nga minimalet e deri të më të lartat, secili mund të rrisë. Dikush thotë pse edhe më të lartëve, por Kushtetuta është e njëjtë për të gjithë. Dikush mund të vendosë 500 dikush 200 euro, por ne zëvendësojmë deri në 6000 denarë, domethënë prej 600 denarë deri në 6.000 denarë është zëvendësimi i pagave”, tha kryeministri Zoran Zaev në konferencën për shtyp pas vendimit të Qeverisë për ribalancin e Buxhetit.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve Zaevi theksoi se masa vlen njëjtë për të gjithë 750.000 të punësuarit, prej të cilëve 140.000 janë administratë publike, ndërsa 610.000 janë në sektorin privat.
“Në administratë publike nëse ne rrisim pagë do të paguajmë kontribute. Sensi është që pjesa e madhe e pagave si i paguajnë punëdhënësit të punësuarve një pjesë e japin në bazë bruto, domethënë paguajnë në xhirollogari, një pjesë e japin në zarf. Pyetja është se prej nga vijnë ato para në zarf. Shumë punëdhënës paguajnë tatimin e fitimit, tatimin e dividentës dhe ato janë para të tyre dhe ata vendosin që t’ua ndajnë punëtorëve”, theksoi kryeministri, duke theksuar edhe se masa ka të bëjë për cilëndo kompani, të vogël, të mesme, të madhe, nga cilado industri.
Siç shtoi ministrja e Financave Nina Angellovska, masa për subvencionimin e kontributeve për rritjen e pagave të të punësuarve deri në 6.000 denarë duhet t’i ndihmojë biznesit për ruajtjen e kuadrit cilësor dhe për motivim të të punësuarve.
“Masa në përgjithësi është dimensionuar me qëllim që t’iu ndihmojë kompanive që t’i rrisin pagat e të punësuarve, gjegjësisht t’i ndihmojmë që t’i ruajnë kuadrot cilësore sepse të gjitha kompanitë mund të japin rritje, varësisht nga industritë. Në këtë rast nëse një kompani ka dëshiruar që të japë rritje bruto prej 5.000 denarë tani do të mundet të japë në vlerë neto drejtë të punësuarit 5.000 denarë. Masa nuk është paraparë që të grumbullojë tatim më të madh personal ose që të adresohet ajo. Gjithsesi se presim që të ketë ndikim edhe në ekonominë gri”, tha Angellovska.
Sipas Zaevit, rritje dhe progres sjellë edhe motivimi që të punësuarve në sektorin publik dhe në serviset publike të cilat iu shërbejnë qytetarëve. Për këtë, theksoi, nga 1 shtatori hyn në fuqi rritja e re prej pesë për qind e pagave në administratën publike, në shëndetësi, në arsim, në kopshte, në polici, kulturë, mbrojtje dhe në veprimtaritë tjera në administratën publike.
“Në të gjitha rritjet e deritanishme nga 1 shtatori vijon edhe një rritje e pagave në sektorin publik për pesë për qind me pagën e shtatorit e cila paguhet në fillim të tetorit”, tha Zaev.