Qeveria ka rritur pagën minimale në 14.500 denarë, por ekspertët janë kundër kundër rritjes së pagave minimale në mënyrë artificiale. Sipas tyre duhet të bëhet rritja e tyre nëpërmjet produktivitetit. Kjo është edhe një masë afat shkurte sepse nga ana tjetër rritet edhe kostoja e shpenzimeve
Remzije BILALLI
Shkup, 17 tetor – Qeveria ka rritur pagën minimale në 14.500 denarë, me marrëveshjen e cila u arrit me bizneset dhe sindikatën për rritjen e pagës minimale. Qëllimi i kësaj siç e theksoi edhe kryeministri Zoran Zaev është përmirësimi i standardit jetësor të punëtorëve dhe ulja e varfërisë. Zaev ndër të tjerat u shpreh se deri në fund të mandatit qëllimi i tyre është që paga minimale të arrijë në 16.000, ndërsa paga mesatare 30.000 denarë.
Eksperti i ekonomisë, prof.Besnik Fetahu për gazetën KOHA tha se është kundër rritjes së pagave minimale në mënyrë artificiale, por duhet të bëhet rritja e tyre nëpërmjet produktivitetit. Kjo është edhe një masë afat shkurte sepse nga ana tjetër rritet edhe kostoja e shpenzimeve. Sipas Fetahut bizneset duhet t’i përmbushin shpenzimet e tyre për rritjen e pagës me anë të shitjes së produkteve dhe këtë nuk e bëjnë nëpërmjet rritjes së sasisë, por rritjes së çmimit e cila godet direkt klasën e varfër. “Me anë të masave të ndryshme administrative dhe masave të tjera, kryeministri Zaev po mundohet që të nxis komunitetin e biznesit të rrisin pagat, më anë të cilës aludon se me rritjen e pagës minimale do të arrihet edhe rritja e pagës mesatare. Pra, ne ekonomi nuk është e preferueshme me masa administrative, masa dekretive të bëhet rritja e pagave”, tha Fetahu.
Ndërkaq, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi njoftoi qytetarët se nuk do të ketë pagë më të ulët se 14.500, pra një rritje e konsiderueshme. “Vetëm për dy vite, me ekonomi te qëndrueshme arritëm në pagë minimale nga 9000 den në 14.500 den. Nuk do të ndalemi këtu në ambiciet tona për të krijuar standard më të mirë jetësor për te gjithë qytetarët e vendit”, tha Bekteshi.
Mirëpo rritja e pagave të punëtorëve që kanë më pak profesionalizëm sipas Fetahut, është absurde në aspektin e teorisë ekonomike. Fillimisht duhet të rriten shkathtësitë e punëtorëve të investohet tek ata me qëllim që të rritet produktiviteti i tyre dhe më pas të rriten pagat. Nga ana tjetër nuk duhet të vijë deri tek destimulomi i punëtorëve profesional të cilët punojnë me rrogë mesatare dhe nuk kanë rritje të pagave. Krahasuar RMV me shtete fqinje, siç është Kosova si shtet më i ri, pagat mesatare nëpër institucionet shtetërore janë më të larta në krahasim me shtetin tonë. Por për këtë ekonomisti Fetahu shpjegoi për gazetë KOHA se rritja e pagave institucionale bëhet me rritjen e pagave në sektorin privat me qëllim që të arrihet nivelizimi mes sektorit privat dhe atij publik.
“Zakonisht rritje në sektorin publik ka kur kemi rritje ekonomike dhe të sektorit privat sepse atëherë grumbullohen më shumë tatime, të hyra publike si rrjedhojë e kësaj vjen deri te rritja e pagës publike me qëllim që të mos bëhet transferimi i kuadrove nga sektori publik në atë privat. Padyshim se edhe politika ka efektin e tyre”, tha Fetahu. Në Maqedoninë e Veriut një situatë e tillë e kalimit të punëtoreve nga sektori publik në atë privat është më punëtorët e shkencave kompjuterike, ku kemi mungesë të kuadrove të tillë pikërisht për shkak të pagave. Institucionet shtetërore me anë të projekteve të ndryshme tentojnë rikthimin e tyre dhe mbajtjen e punëtorëve. Momentalisht paga minimale është 12.507 denarë. (koha.mk)