Paralajmërimi i ministrit të Shëndetësisë për rritjen 5 për qind të pagave në kujdesin shëndetësor, për 19.123 punonjës, nuk është mirëpritur mirë nga stafi mjekësor
Delvina KËRLUKU
Shkup, 29 shtator – Paralajmërimi i ministrit të Shëndetësisë për rritjen 5 për qind të pagave në kujdesin shëndetësor, për 19,123 punonjës, nuk është mirëpritur mirë nga stafi mjekësor. Sipas kirurgut Besnik Zeqiri, paralajmërimi se rrogat do rriten, nuk janë aspak reale sepse vlerat që janë cekur nga Ministria e Shëndetësisë nuk përputhen me rrogat e tanishme në shëndetësi, shkruan gazeta KOHA.
“Që të jem më i saktë, 5 për qind me vlerë 5000 denarë, i bie se rroga tani është 100.000 denarë?! Që të realizohet programi i Qeverisë 2017-2020 për rritje të dyfishtë të rrogave të të gjithë punonjësve shëndetësorë dhe rrogave të mjekëve specialist në shëndetësinë terciare, e cila mbërrin deri në 100.000 denarë deri në vitin 2020, atëherë gjatë dy viteve të ardhshme paga e një mjeku specialist nga mjekësia terciare do të duhej të rritet për 146% dhe e infermierëve për 91%. Me këtë dinamikë mbetet e paqartë si do të realizohet programi i qeverisë”, thotë për gazetën tonë kirurgu Zeqiri.
Sipas tij, me këtë tempo të rritjes së rrogave, vështirë se ndonjë specialist do ta shohë këtë rrogë, ndërkaq mjekët dhe punonjësit e tjerë vetëm do të vazhdojnë të ikin nga vendi. Nëse rroga do ishte realisht 100.000 denarë, shton Zeqiri, atëherë shëndetësia do të përparonte dhe do ishte si ne vendet e BE-së e jo me rrogat e tanishme dhe kushtet në spitalet tona. Si para kusht është edhe rregullimi i kushteve higjienike dhe rikonstruksioni i brendshëm dhe i jashtëm i të gjitha spitaleve shtetërore në R.M, pa përjashtim.
Sipas doktor Afrim Aliut, nuk shihet se bëhet fjalë për rritje të pagave edhe përskaj premtimeve të ministrit, por edhe nëse ka rritje të rrogave ajo është rritje minimale. Nuk ka favorizime dhe nuk është i kënaqur personeli mjekësor, posaçërisht mjeku. Kjo nuk shkon në favorin tonë, sidomos siguria e vendit të punës, që është më kryesorja, shton doktor Aliu për gazetën KOHA. Derisa nuk ka sigurim në vendin e punës nuk mund të pritet asgjë, por gjithmonë me shpresë se do të përmirësohet, por sikur ecin punët është vërtet problem.
Kryetari i shoqatës së infermierëve Xhevat Saliu, thotë për gazetën KOHA se është stimulim shumë i vogël, dhe nuk i përfshin të gjitha kategoritë e personelit mjekësor. Diskriminim në mes stafit mjekësor nga ana e ministrisë është e dukshme.
“Nëse e shohim, situatën reale, diskriminimi është i përgjithshëm, sidomos personeli mjekësor i mesëm dhe mjekët. Mjekëve ju japin më shumë të drejta se sa infermierëve. Atyre më tepër u japin rritje të orëve të kujdestarisë, rrogave dhe përparësi të tjera, mirëpo 5 përqind është asgjë”, tha Saliu. Nga shoqata e infermierëve thonë se kanë ngritur zërin, por problemi kryesor është se nuk ka Ligj që do t’i mbronte të drejtat e infermierëve.
“Po kërkojmë që ta bëjmë Odën e Infermierisë, sepse ajo është shtylla kryesore ku ne mbështetemi dhe kërkesat i bëjmë përmes Odës”, thonë nga kjo shoqatë. Mundësia më e mirë për ta është rritja e pagave, ku edhe është kërkesa e tyre. Gjendja, siç e përshkruajnë nga shoqata e infermierëve, është katastrofike, dhe akoma tentohet që të ikin infermierët. Saliu shton se është rast konkret konkursi, që kanë patur, për 10 infermierë, po përgatitet konkurse dhe për infermierë të tjerë, por përsëri nuk është i kënaqshëm numri që kërkohet të punësohen, për të dhënë shërbim pacientëve në një nivel të lartë, në shëndetësi. (koha.mk)