Bizneset mund të ndihmojnë dhe të japin një kontribut jetik në vazhdimësinë ekonomike dhe sociale duke bërë çmos për të vazhduar veprimtarinë edhe gjatë kësaj pasigurie. Bizneset mund të ndihmojnë punonjësit dhe klientët e tyre të qëndrojnë të informuar në mënyrën e duhur, duke ju siguruar qasje në informacione të besueshme, të bazuara në shkencë, të cilat njerëzit mund t’i përshtatin me rrethanat në të cilat gjenden
Arbër KADRIU
Shkup, 21 nëntor – Studimi mbi bizneset dhe qasjen online gjatë pandemisë tregon se bizneset që shesin në internet, 46% kanë përjetuar rritje si rezultat i KOVID-19. Për më tepër, 64% planifikojnë të shpenzojnë më shumë në faqet e tyre të internetit, ndërsa 58% planifikojnë të shpenzojnë më shumë në aplikacionet e tyre celular, 52% në mediat sociale dhe 46% në tregje të palëve të treta. Por rritjet më të mëdha të buxhetit gjatë 12 muajve të ardhshëm do të jenë për teknologjinë dhe mjetet e tregtisë me 67% dhe shërbimet e palëve të treta që vendosin teknologjinë e tregtisë me 63%. Aplikacionet për celular renditen të tretat, me 62%, ndërsa dyqanet fizike janë në fund, me vetëm 34% të bizneseve që investojnë më shumë në to. Në të njëjtën kohë, 70% e klientëve po blejnë më shumë se zakonisht, dhe mbi 90% po shfaqin sjellje të ndryshme pasi shmangin dyqanet fizike dhe zhvendosen shumë nga blerjet e tyre në internet.
Në vendin tonë thuajse një numër i madh i bizneseve private gjatë kësaj periudhe kanë aplikuar në platformën onlajn në shitblerjen e mallrave dhe bërjen e tregtisë. Konkretisht, Ministria e Ekonomisë, por edhe nga vetë vendimet paraprake të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, të cilët prej më herët kanë dhënë dritë jeshile e cila globalisht mbështetet si proces alternativë për minimizimin e përhapjes së virusit korona dhe formësimin më të lehtësuar të bërjes së biznesit. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, disa herë ka folur mbi këtë çështje duke e theksuar se në të mirë të vendit dhe situatës që është paraqitur, mbi këto alternativa është përfshirë edhe platforma e biznesit onlajn, shkurtimi i orareve të punës, si dhe theks të veçantë vihet te ndihma nga pakoja e katërt ekonomike për bizneset e vendit, përfshirë natyrisht edhe sektorin privat.
TË AVANCOHET DIGJITALIZIMI
“Pakoja e katërt e masave tashmë ka filluar të realizohet. Ne tashmë kemi pasur mundësinë të shpallim njoftime për disa nga masat që janë siguruar nga pakoja e katërt. Padyshim që një nga më të priturat nga punëdhënësit dhe punëtorët është masa për mbështetjen financiare për pagesën e pagave. Deri tek Qeveria ka mbërritur gjithashtu vendimi për shkurtimin e orarit të punës siç është ajo e objekteve të hotelerisë nga ora 23 në ora 21 dhe se një vendim i tillë do të merret me siguri. Asnjë masë tjetër kufizuese nuk po konsiderohet aktualisht për të mbyllur sektorë të tjerë të ekonomisë. Por Komisioni për Sëmundje Infektive monitoron situatën epidemiologjike në baza ditore dhe do të propozojë masa të tjera nëse është e nevojshme që duhet ndërmarrë. Por për momentin, është e rëndësishme që të gjithë të respektojmë masat, të mbajmë maska, të mbajmë distancë për të zvogëluar numrin e të infektuarve”, ka deklaruar Bekteshi.
Ndërkaq nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore (OEMVP) informojnë se ka rritje të konsiderueshme të biznesit onlajn në vendin tonë. Ata theksojnë se kjo metodë e biznesit onlajn në RMV ka shënuar rritje të konsiderueshme, e sidomos në periudhën e fundit të kapluar nga kriza e KOVID- 19. “Shfrytëzimi i teknologjisë ndoshta është edhe i vonuar për sa i përket bërjes së biznesit, mirëpo është një dukuri që duhej të ndodh, edhe pse vlerësojmë se niveli është ende i pakënaqshëm. OEMVP çdoherë ka bërë thirrje tek bizneset, por edhe tek Qeveria të ndihmohen kompanitë që të digjitalizohen dhe të avancohen në aspekt teknologjik me qëllim që të evitojnë sa më tepër humbjet nga kriza e Kovid-19, dhe se avancimi teknologjik, por edhe digjitalizimi – do të jetë në dobi të bizneseve edhe në plan afatgjatë, ngase e ardhmja e të bërit biznes varet shumë nga këto faktorë. Ajo çfarë e bën të dobishëm biznesin onlajn është se i ndihmon kompanive të reduktojnë kostot, si dhe përveç mënyrës tradicionale – ata veçmë japin edhe shërbim të ri kështu duke e rritur efiçiencën si dhe e njëjta u ndihmon të bëjnë përllogaritje të tregut në mënyrë më të shpejtë duke qenë se feedback-u është më i shpejtë”, thonë për KOHA nga OEMVP.
Nga atje vlerësojmë se Qeveria dhe ministritë përkatëse, duhet të nxisin dhe stimulojnë kompanitë që të rrisin kapacitetet e tyre për të ushtruar veprimtarinë e tyre edhe në alternativa tjera siç është onlajn biznesi, të ndihmohen që të digjitalizohen, t’i rrisin kapacitetet teknologjike, dhe në këtë mënyrë ata jo vetëm se do ta kalojnë krizën e Covid-19 më lehtë, por do kenë benefite edhe në periudhën që vijon dhe simetrikisht do të përfitojë edhe ekonomia vendore në përgjithësi” theksojnë nga OEMVP.
JO TË GJITHË E NJOHIN BIZNESIN ONLAJN
Amar Saliu është punonjës në biznesin e tij onlajn dhe këtë metodë ai e quan një mundësi të mirë për njerëzit, pasi ua lehtëson punën atyre në përditshmëri për pajisje të ndryshme. “Sa i përket punës së biznesit onlajn (e-commmerce) ose në shqip ‘tregtia elektronike’, është fushë e gjerë e cila ju mundëson kompanive dhe individëve të shesin nëpërmjet internetit. Është një mundësi e mirë për njerëzit të cilët janë të ngarkuar me aktivitete ditore dhe nuk kanë kohë për të vizituar dyqanet ose ndonjë gjë që ju nevojitet në jetën e tyre ose ndonjë pajisje tjetër për shtëpi etj. Qytetarit i mundëson që ta porosis online dhe t’i arrijë deri tek shtëpia e personit që bën porosinë. Problemi qëndron tek personi që do bëjë porosinë, sepse atë nuk e shikon dot fizikisht, as edhe produktin se a mund vallë të jetë e njëjtë si në reklamë dhe ka gjasa të ndodhin dhe mashtrime”, shprehet ai.
Saliu potencon se Kovid-19 ka prekur skajshmërish edhe këtë biznes alternativë dhe se 80% e biznese të vogla po shkojnë drejt falimentimit. “Ky biznes është tejet i përhapur këto ditë ku çdokush mendon që është profitabil, pa e menduar punën ose nuk kanë dijeni se si të veprohet në këtë biznes. Gjigandët e mëdha janë koka e këtij biznesi, të cilët e menaxhojnë më shumë vëmendje punën dhe dinë se si të depërtojnë në psikologjinë e njeriut që ta bind të bëjë blerje. Ndërsa 80% bizneseve të vogla që fillojnë me këtë biznes, ndodhë që për një kohë të shkurtër të falimentojnë”, shprehet për KOHA, Saliu.
Ndërkohë, nëse flasim për anët pozitive të shitblerjes onlajn, ka disa benefite dhe përparësi, ato janë si në vijim: më pak investim për të filluar biznes, më pak shpenzime dhe më shumë mundësi për të ofruar produkte. Ndër përparësitë më të mëdha është edhe procesi më i lehtë i punës (qoftë C2C apo edhe B2B) etj. Sot gjithandej nëpër botë pothuajse hov dhe avancim të madh përparues kanë kompanitë e digjitalizuara dhe ndër aplikimet më të shpeshta – është ajo e biznesit onlajn. (koha.mk)