Rritet shtesa e posaçme për personat me nevoja të posaçme

Shkup, 3 korrik  Qeveria në seancën e djeshme mori vendim për rritje të shumës së të drejtës të shtesës së posaçme për fëmijë me nevoja specifike i cili ka pengesa në zhvillimin trupor ose mental ose pengesa të kombinuara në zhvillim deri në 26 vjeç. Përveç rritjes së shumës për shtesë të posaçme këta persona do të kenë edhe sigurim shëndetësor, nëse nuk janë të siguruar në pajtueshmëri me Ligjin.

Siç informoi Ministria e Punës dhe Politikës Sociale shuma e e konfirmuar e të drejtës të shtesës së posaçme me Ligjin për mbrojtje të fëmijëve rritet nga 4.202 denarë në 5.021 denarë.

Prindërit kryefamiljarë të cilët kanë fëmijë me nevoja specifike me pengesa në zhvillimin trupor ose mental ose pengesa të kombinuara në zhvillim deri në 26 vjeç në vend të shumës të deritanishme prej 6.303 denarë do të marrin nga 7.351 denarë.

Për prindërit, të cilët janë shfrytëzues të asistencës sociale dhe ndihmës së përhershme në të holla, ndërsa të cilët kanë fëmijë me nevoja të specifike me pengesa në zhvillimin trupor ose mental ose pengesa të kombinuara në zhvillim deri në 26 vjeç  shtesa rritet nga 5.252,50 denarë në 6.276 denarë.

Rritja bëhet me ndryshime dhe plotësime të Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, të cilët i ka miratuar Qeveria në seancën e sotme.

Këto ndryshime, theksojnë nga MPPS-ja, janë vetëm një pjesë e strategjisë së Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për përmirësim të gjendjes financiare dhe kushteve për jetesë për grupet më të ndjeshme të qytetarëve.