Rritet përdorimi i heroinës mes të rinjve të bardhë

Në Shtetet e Bashkuara, mes rritjes së krizës së përdorimit të ilaçeve kundër dhimbjeve, si OxyContin, të njohur edhe si opioide, një studim i ri ve në dukje se është rritur edhe përdorimi i heroinës mes të rinjve të bardhë. Sipas studiuesve në Universitetin Kolumbia: “Pjesa e amerikanëve që përdor heroinë është pesëfishuar në dekadën e fundit, ndërsa numri i atyre që kanë varësi klinike ndaj saj është më shumë se trefishuar.” Studiuesit thane se këto rritje janë shënuar mes meshkujve të bardhë, me pak arsim dhe të ardhura, me rritjen më të shquar mes grupmoshës nga 18 deri në 44 vjeç. “Nga viti 2001 në 2002, të bardhët dhe jo-të bardhët njoftohet të kenë patur varësi të ngjashme ndaj përdorimit të heroinës. Megjithatë, në vitin 2012-2013, rritja e përdorimit të heroinës dhe çrregullimeve të lidhura me të, u pa dukshëm mes të bardhëve, duke çuar në hendekun më të dukshëm racor në përdorimin e heroinës deri në vitin 2013”, tha Silvia Martins, ndihmës profesoreshë e Epidemiologjisë në Universitetin e Kolumbias. Sipas hulumtimeve, përdorimi i heroinës u rrit nga 0.33 për qind në 1.6 për qind nga viti 2001-2002 në vitin 2012-2013. Mes të bardhëve, u rrit nga 1.1 për qind në 1.9 për qind gjatë së njëjtës periudhë. Përdorimi i heroinës u rrit ndjeshëm mes të rriturve të pamartuar sesa atyre të martuar. Studiuesit thonë se përdorimi jo-mjekësor i ilaçeve kundër dhimbjeve me përmbajtje narkotikësh ishte një nxitës për rritjen e përdorimit të heroinës. Në vitin 2001-2002, 36 për qind e përdoruesve të heroinës që ishin të bardhë kishin përdorur ilaçe të kësaj natyre për argëtim, para se të përdornin heroinën. Në vitin 2012-2013 kjo u rrit në 53 për qind. “Për arsye se efektet e heroinës duken të ngjashme me ato të ilaçeve kundër dhimbjeve që lëshohen me recetë nga mjeku, përdorimi i heroinës duket të jetë bërë më i pranueshëm në shoqëri mes të bardhëve në zonat rurale”, thotë Martins. Martins thotë se zbulimet tregojnë ka nevojë për veprim për të ulur përdorimin e heroinës. Përfundimet e studimit janë publikuar në faqen elektronike të organizatës “JAMA Psychiatry”.