Fisnik PASHOLLI
Shkup, 25 dhjetor – Në numrin e përgjithshëm të transportit dominon ai me vetura të pasagjerëve me 77 për qind, në raport me llojet e tjera të transportit. Pjesa tjetër e mbetur prej 22.1 për qind, përbëhet nga transporti me autobusë dhe vetëm 0.9 për qind merr pjesë transporti hekurudhor, shkruan gazeta KOHA.
Statistika më tej zbardh se në pesë vitet e kaluara është rritur dukshëm numri i mjeteve të ndryshme transportuese në rrugët e Maqedonisë. Për 100 mijë është rritur vetëm numri i veturave ose nga 301.761 vetura të regjistruara në vitin 2012, në 394 934 vetura në vitin 2016. Është rritur nga 2719 në 3230 edhe numri i autobusëve si dhe ai i kamionëve prej 26.542 në 34.669 kamionë përgjatë periudhë 2012-2016. Me fjalë të tjera, është rritur nga 344.773 në 461.799 numri i mjeteve të ndryshme transportuese që qarkullojnë nëpër rrugët e Maqedonisë.
Njëherazi veçori tjetër e transportit në Maqedoni, është edhe ulja e bartjes së udhëtarëve dhe mallrave përmes hekurudhës dhe stërmbushja e rrugëve me automjete, kamionë dhe autobusë.
“Transporti rrugor shënon rritje prej 93.2 për qind në vitin 2012, në 96.9 për qind në vitin 2016, ndërsa transporti hekurudhor shënon rënie prej 6.8 për qind në vitin 2012, në 3.1 për qind në vitin 2016.”, tregojnë të dhënat statistikore.
Në Maqedoni, ngjashëm me shtetet fqinje, për dallim prej shteteve evropiane, hekurudha shumë pak përdoret si mjet transportues për pasagjerët, për shkak të ngecjes në modernizimin e binarëve dhe trenave që akoma nuk udhëtojnë me shpejtësi më të mëdha. Ekspertët e komunikacionit thonë se hekurudhat, në raport me mjetet e tjera transportuese, ka më shumë përparësi, siç janë kapacitete të mëdha me harxhim të vogël të energjisë, mbrojtja e ambientit jetësor, përqindje e madhe e sigurisë, qasje e shpejtë dhe e lehtë prej një vendi në vend tjetër, por megjithatë shtojnë se ekzistojnë edhe mangësi në përdorimin e tyre në shtetet me ekonomi të dobëta, siç janë harxhime të mëdha për ndërtimin dhe mirëmbajtjen, sistemet e ndërlikuara teknologjike etj.
Në shtetet evropiane, në 30 vitet e fundit, me të madhe janë në përdorim trenat si mjet transportues më i shpejtë dhe më efikas se veturat. Për shembull, distanca në Gjermani, midis Kelnit dhe Munihut, me veturë përshkohet për dy orë, ndërsa me tren të shpejtë që vozitë deri në 300 kilometra në orë, arrihet për një orë. Treni më i shpejtë italian është “ Le Frecc”, ose në përkthim SHIGJETA që arrin shpejtësi deri në 300 kilometra në orë, duke lidhur qytetet e rëndësishme italiane si Torino-Milano-Bolonja- Firenca-Roma-Napoli dhe nga Bolonja deri në detin Adriatik ose Bolonja- Rimini- Ankona me 87 linja ditore.
Pionierët e trenave të shpejtë në botë janë japonezët, që planifikojnë deri në vitin 2027 të vendosin linjë të trenave me magnet ndërmjet Tokios dhe Nagojës. Rruga prej 280 kilometra, duhet të zgjasë vetëm 40 minuta, duke arritur shpejtësi maksimale deri në 505 kilometra në orë.
Në ndërkohë, për dallim prej shteteve evropiane që stimulojnë përdorimin e transportit publik jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qendrat më të vogla urbane, në Maqedoni jo vetëm që rritet përdorimi i veturave në raport me transportin publik , por edhe transporti publik mungon si mundësi shfrytëzimi në gati të gjitha qytetet në vend. Bile, në Shkup edhe autobusët e rinj nuk e kanë zgjidhur problemin me transportin publik, por përkundrazi ato janë shtjelluar më tej, konstaton raporti i Entit Shtetëror për Revizion kushtuar punës së Ndërmarrjes publike të Transportit për vitin 2015. “Edhe pse NPT ka park vozitës të rinovuar, megjithatë treguesit e punës së saj tregojnë rezultate që janë të kundërta me ato që priteshin. Indikatorët e punës së kësaj ndërmarrjeje lidhur me përmirësimin e transportit urban publik, përmirësimit të shërbimit dhe cilësisë tregojnë më shumë kilometra të kaluara, por me tendencë të uljes së numrit të pasagjerëve të transportuar, të biletave të shitura dhe pasagjerëve të transportuar me kilometra të kaluar”, thekson raporti. Në vitin 2015, është ulur numri i udhëtarëve në raport me vitin 2012 për 1.3 për qind, është ulur numri i biletave të shitura për 9 për qind, ndërsa numri i kilometrave të kaluara është rritur për 6.8 për qind. (koha.mk)