Athinë, 4 gusht – Në 24 orët e fundit, në Greqi është regjistruar numër i lartë rekord i rasteve të reja me Kovid-19, gjithsej 121 raste, prej të cilave vetëm pesë janë nga testet e kryera në pikat hyrëse në vend, sipas të dhënave zyrtare të Organizatës kombëtare për shëndet publik, ndërsa numër i rritur i të sapoinfektuarve (25) ka në Qipro.
Sipas mediave greke, nga rastet e reja të sotme, 47 janë në Selanik, 26 në Atikë, rajoni më i gjërë i Athinës, tetë në Larisa, shtatë në ishullin Kërf, si dhe nga një ose dy të sapoinfektuar në pjesë të ndryshme të Greqisë.
Nga fillimi i epidemisë janë regjistruar gjithsej 4.855 raste.
Duke e marrë parasysh atë se në javën e kaluar në mënyrë drastike filloi të rritet numri i rasteve të reja në Greqi, zëvendësministri për mbrojtje civile Nikos Hardalas dhe profesori epidemiolog dhe shef i komisionit kompetent në Ministrinë e Shëndetësisë Sotiris Ciodras, pasdite mbajtën konferencë shtypi të jashtëzakonshme.
Numër i rritur i rasteve të reja në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe në Qipro. Ministria e Shëndetësisë kumtoi për 25 të sapoinfektuar, me çka numri i rasteve pozitive nga fillimi i epidemisë u rrit në 1.180.