Rritet numri i pacientëve të shtruar në repartin e sëmundjeve të frymëmarrjes, njoftuan nga reparti i sëmundjeve infektive në Kumanovë, ndërsa mjekët theksojnë se arsye mund të jetë edhe ndotja e ajrit. Ndërkohë ky qytet vazhdon me metodën e aerosolizimit, i cili është duke dhënë rezultate të mira sa i përket uljes së ndotjes së ajrit
Remzije BILALLI
Shkup, 14 dhjetor – Rritet numri i pacientëve të shtruar në repartin e sëmundjeve të frymëmarrjes, njoftuan nga reparti i sëmundjeve infektive të Spitalit të Përgjithshëm Kumanovë. Për pasojë, qyteti i Kumanovës vazhdon të mbetet mes tre qyteteve më të ndotura në Maqedoni për disa javë resht dhe shpesh duke u radhitur edhe në mesin e vendeve më të ndotura në botë. Nga ky repart thonë se numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë për sëmundjet e frymëmarrjes është në rritje që nga muaji nëntor dhe vazhdon edhe në fillim të këtij muaji. Internisti Ylber Saiti për gazetën KOHA theksoi disa faktorë që ndikojnë në rritje e numrit të pacientëve .
“Numri i pacientëve të cilët kanë probleme me sëmundjet respiratore është në rritje, kurse si faktor kyç është ndotja e ajrit, por faktor tjetër është se në muajin nëntor fillojnë viruset gjithashtu edhe kushtet klimatike ndikojnë tek pacientët sidomos tek ata me sëmundje kronike”, tha Saiti. Saiti shpjegoi se qytetarët duhet të kenë kujdes në ushqim dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje, produkte të pasura me vitamine, pemë dhe perime, mirëpo nga ana tjetër ai apeloi që të kenë lëvizshmëri më të ulët rrugëve të qytetit sidomos kur ndotja e ajrit është më e lartë.
Nga ky repart thonë se për shkak të kushteve klimatike dhe ndotjes së ajrit, pritet që numri i pacientëve të rritet dhe se ata janë të gatshëm të bëjnë pranimin dhe mjekimin e tyre. Aktualisht janë shtruar shtatëmbëdhjetë pacientë në repartin infektiv, mes tyre gjashtë janë me verdhëz, janë sjellur nga zona e Kriva Pallankës. Dregan Çungurski nga Sektori i mjedisit në Kumanovë për gazetën KOHA theksoi se vazhdimisht merren masa dhe ata më saktë janë të shpjeguara në ueb faqen e Komunës së Kumanovës. Sipas tij një nga problemet ishte edhe vendosja e njësisë matëse afër kazanit për ngrohje tek spitali i qytetit, por ky nuk është shkaktar i vetëm i ndotjes.
Të pyetur nga gazeta KOHA se a ka mjaftueshëm inspektime dhe sa dënime janë shqiptuar, nga Inspektorati i Kumanovës u përgjigjën se dënohen të gjithë ata të cilët ndotin mjedisin. “Për realizimin e suksesshëm të aktiviteteve do të ketë kujdestari nga ana e inspektorëve komunal dhe patrullime gjatë orëve të pasdites nga ora 13 deri në orën 21. Kjo masë ka filluar nga muaji gusht i këtij viti. Gjatë periudhës së kaluar nga ana e ekipeve kujdestare është parandaluar djegie ilegale e mbeturinave nga ana e disa qytetarë të pa ndërgjegjshëm. Në gjashtë raste u thirr njësia e zjarrfikësve e cila intervenoi në ndalimin e përhapjes së zjarreve nga deponitë e egra, ndërsa u shqiptuan pesë dënime. Gjatë kësaj periudhe janë lëshuar shtatëmbëdhjetë paralajmërime në bazë të Ligjit për pastrim publik”, sqaroi Boban Bojkovski.
Sipas tij në ndërkohë është kryer mbikëqyrje e jashtëzakonshme në gjashtëmbëdhjetë subjekte juridike, kurse inspektorët nuk janë ata të cilët mund që ta ndalojë dhe të zgjedhin problemin me ndotjen e ajrit. Ndërkaq qyteti i Kumanovës vazhdon me metodën e aerosolizimit që sipas kryetarit të kësaj komune, Maksim Dimitrievski është duke dhënë rezultate të mira sa i përket uljes së ndotjes së ajrit. (koha.mk)